Jonida Hitoveizi
Kanë qenë një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia e Tiranës, ato që kanë mbledhur së bashku emrat më të famshëm shqiptarë. “Tirana Art Days” ka sjellë në kryeqytet aktivitete të larmishme kulturore, siç ka qenë prezantimi i dokumentarit të Eliza Dushkut, ekspozita e Fadil Berishës, sfilata mode nga stiliste të njohura etj. Emrat që po bëjnë famë jashtë kufijve kanë ardhur në këto ditë të bukura tetori si një familje e madhe promovimi vlerash në këtë jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Në këto ditë të bukura festimesh vetë Kryeministri Berisha por edhe kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, kanë shoqëruar mysafirët dhe i kanë falenderuar ata për punën e shkëlqyer në promovimin e vlerave shqiptare, të cilat të gjithëve na bëjnë të ndjehemi krenarë. Një nga vajzat bukuroshe, modelja më e komentuar aktualisht në Amerikë dhe Evropë është dhe Angela Martini. Ajo këto ditë ka qenë në Tiranë dhe nuk e ka fshehur aspak emocionin për pritjen e ngrohtë që i është bërë në vendin e saj. Angela ditën e djeshme prezantoi për herë të parë për publikun shqiptar linjën e saj të rrobave të banjës “Martini Bikini”, e cila u prit mjaft mirë nga të pranishmit.
Angela, si jeni ndjerë gjithë këto ditë në Shqipëri dhe tek sfilata që po zhvilloni?
Të them të vërtetën jam dashuruar me Shqipërinë, këtë herë edhe më shumë. Kam menduar me vete “unë dua të kem shtëpi këtu. Dua të rri edhe më shumë këtu”.
Po mendon të kesh një shtëpi në Tiranë?
Po ta kem, pse jo?! Është vendi im dhe njerëzit janë kaq të dashur, kaq inteligjentë. Në gjithë botën kam shkuar dhe kam kërkuar suksesin, por gjëja që mua më gëzon është mënyra sesi më trajton mua vendi im. Madje i thashë Fadilit se sot vendi im më ka dhënë më shumë forcë. Kur shkoj jashtë shtetit dhe kam momente të vështira, apo kur them “këtë nuk mundem ta arrij”, unë do luftoj edhe më shumë sepse shqiptarët besojnë tek unë.
Jeni shumë e komentuar në Shqipëri por edhe jashtë saj. Ju bezdisin thashethemet?
Jo më. Nuk kanë më fare efekt tek unë. Tani nuk reagoj më, s’më infekton asgjë.
Më parë ke thënë që nuk do pozoje kurrë nudo, por duket se Fadili ta mbushi mendjen…
Është ndryshe, sepse ka nudo klasike dhe nudo art. Nuk është ekspozim nudo për të shitur një revistë, po edhe për këtë rast do të bëja nudo vetëm me Fadil Berishën.
Duket se jeni një skuadër për promovimin e vlerave shqiptare në botë, Fadili, Blerimi, ju, dhe më tej Eliza Dushku…
Ne mundohemi të prezantojmë Shqipërinë me mënyrat tona. Ne e ndihmojmë njëri-tjetrin. Nuk jemi konkurrues. Jemi si një familje e madhe. Tani që jam në vendin tim më duket një familje edhe më e madhe, ndaj thashë që sot kam marrë më shumë forcë. Kur të vijnë momentet e vështira, unë nuk do të ndalem.
Angela, jeni përfolur për shumë histori dashurie. A keni dikë në krah?
Jo, jam vetëm.
Do ta zgjidhje partnerin tënd shqiptar, nga Tirana?
Edhe mund ta zgjedh. Ndoshta del ndonjë që më pëlqen (qesh).
Fadil Berisha: Shqipëria, po aq moderne sa Europa dhe Amerika
“Në çdo fotografi më pëlqen shpirti i njeriut, ai është sekreti i artit tim”
Fadil Berisha është fotografi shqiptar më i njohur në botë. Shumë vajza, të cilat sot janë në majat e suksesit, i janë mirënjohëse atij për ndihmën dhe forcën që u ka dhënë për t’ia dalë mbanë. Emrat janë të shumtë, fotot të padallueshme në bukurinë dhe veçantinë e tyre. Në ekspozitën e paraqitur ditën e djeshme në “Pallatin e Kongreseve”, Fadili ka ndarë këtë bisedë të shkurtër me ne lidhur me ekspozitën, por edhe sesi e sheh ai Shqipërinë në këtë 100-vjetor pavarësie.
Si ndjeheni duke qenë mes fotove të bukurosheve shqiptare të sjella në këtë ekspozitë?
Është një emocion shumë i madh. Kur jam futur për herë të parë dhe kam parë gjithë këto vajza, të cilave u kam bërë fotografi, më ka përshkuar trupin një ndjenjë me të vërtetë emocionuese. Ka qenë një ëndërr e imja që t’i shoh shqiptarët në këtë nivel, më të bukurit në botë dhe kjo u realizua.
Keni ndihmuar shumë nga vajzat e bukura për të ecur përpara, si Angela Martini, Zana Krasniqi e shumë të tjera. Si është të punosh me këto vajza?
Është shumë bukur pasi unë kam vite që merrem me këtë biznes dhe gjithmonë kam dashur të mos jem vetëm unë në atë pjesë të botës së modës, por të sjell edhe shqiptarët aty. Ka qenë një bashkëpunim i mrekullueshëm. Në fillim ka qenë më e vështirë, por tani këto vajza kanë sukses në gjithë botën.
A është Shqipëria po kaq e bukur në këtë 100-vjetor sa gjithë këto foto të bukura që ju keni shkëputur prej saj?
Shqipëria po bëhet çdo ditë e më e bukur, përveçse po modernizohen dita-ditës. Po arrijnë t’ia kalojnë edhe botës moderne, si Evropës dhe Amerikës.
Jeni fotografi shqiptar më i njohur në botë. A keni një sekret kur fotografoni?
Shpirtin. Në çdo fotografi më pëlqen shpirti i njeriut. Të nxjerrësh më të bukurën që ka brenda dhe kjo më ka ndihmuar gjithmonë. Dua të shoh çdo gjë të bukur dhe të rrethohem prej tyre. Ky është sekreti im. Shpirti.
Të gjitha vajzat ju janë shumë mirënjohëse, po ju sa mirënjohës i jeni bukurisë së tyre?
Ponormale, sepse duhet ta kesh bukurinë.
MAPO
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply