Kalendari ka bërë një shaka që ia heq Fatos Lubonjës “gjethen e fikut” të analistit “me duar të pastra”, dhe e zbulon edhe Lubonjën si tentakul të “Oktapodit”, të cilin e denoncon në shkrimin e tij të para disa ditëve “Ilir Meta si shtyllë e sistemit”. Ky shkrim i Lubonjës, i botuar në 29 mars, në gazetën “Panorama”, merrte shkas nga pritja që dha Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, me rastin e 45 vjetorit të lindjes. Fatos Lubonja ishte i ftuar në pritjen që dha Ilir Meta, por nuk shkoi atje. Por pas tre ditësh, në 8 prill do të jepet një tjetër pritje e madhe për një ditëlindje, ku Lubonja është përsëri i ftuar dhe nuk pritet që të mungojë. Në 8 prill 2014 feston 55 vjetorin e lindjes Irfan Hysenbelliu pronari i gazetës “Panorama”, ku Lubonja botoi shkrimin e tij të përmendur më lart. Festa e ditëlindjes së pronarit të gazetës “Panorama” pritet të jetë edhe më madhështore se ajo që bëri Ilir Meta. Në vend të karkalecave të ditëlindjes së Metës, në festën e Oligarkut Hysenbelliu, pritet të ketë arragosta. Në krahasim me festën që do të bëjë në 8 prill Irfan Hysenbelliu, festa e ditëlindjes së Ilir Metës ngjan si festa e një maturanti i cili e ka babain kryetar komune në provincë.
Meqënëse Lubonja në shkrimin e tij të 29 marsit thotë se “Oktapodi” në Shqipëri ka veç “tentakulave” politike, edhe ato ekonomike dhe mediatike, atëherë ky do të ishte rasti më i mirë që Lubonja të shkruante për “tentakulat” ekonomike dhe mediatike të “Oktapodit”, të cilat më së mirë i përfaqëson pronari i gazetës “Panorama”, Irfan Hysenbelliu, i cili është shembulli i oligarkut të tranzicionit, që e ka bërë pasurinë në mënyrën abuzive tentakulare që përshkruan Lubonja në artikullin e përemndur. Festa e pronarit të gazetës “Panorama” do të mbahet në tarracën e pallatit shumë katësh, me dhjetë kate pa leje, që ka ndërtuar oligarku Hysenbelliu, midis selisë së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (në gjuhën popullore njihet si “Hipoteka”) të Tiranës dhe burgut 313. Në fakt është fjala për një ansambël pallatesh, për të cilin vite më parë shtypi ka shkruar shumë duke paraqitur dokumente që tregonin se Oligarku Hysenbelliu kishte hyrë në oborrin e Hipotekës duke uzurpuar mijëra metra truall, gjë që u bë shkak që që Banka Botërore të tërhiqet nga financimi i një pjese të projektit për modernizimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pallati më i lartë i ansamblit, i cili i bën hije Burgut 313, që gjendet aty afër, është monument i pushtetit abuses që kanë krijuar disa oligarkë si Hysenbelliu, duke keqpërdorur gazetat dhe televizionet që kanë në pronësi.
Në 8 prill oligarku Hysenbelliu me siguri që do t’ i thotë Lubonjës atë gjë që i thotë kur pinë kafe bashkë në tarracën e pallatit në fjalë, duke i bërë me shenjë nga teleskopi: “Hajde Fatos, a të shkoi mendja atë ditë kur të rrasën aty poshtë (në burg), se do të vinte një ditë që ta shikoje burgun nga lart, sikur ta kishe në pëllëmbë të dorës? Po t’ i kisha shtuar edhe disa kate, mund të shikoje edhe burgun e Burrelit me dylbi që këtu! Ja kështu vete drejtësia tamam në vend, apo jo?”
Në fakt, që drejtësia të shkonte tamam në vend, Irfani duhet të ishte brenda në burg dhe ta shikonte pallatin e tij me dylbi, kur ta shembnin rruspat. Sipas logjikës së Lubonjës i cili thotë për festimin e datëlindjes nga ana e Metës, se “Sigurisht, festimi kishte kuptim tjetër; po çfarë kuptimii” është e arsyeshme që e njëjta pyetje të bëhet edhe për festimin e ardhshëm të oligarkut të “Panoramës”. Ajo që mund ta quajmë si historia e biznisit në Shqipëri, por edhe në botë, ka treguar se oligarkë të tillë si pronari i “Panoramës” sa më afër falimentimit janë aq më të bujshme i bëjnë festimet, për të krijuar iluzionin se punët e tyre shkojnë më mirë se kurrë. Pra, e gjithë festa e tyre është një maskaradë, që bëhet për të maskuar gjendjen e vërtetë të tyre.
Në të vërtetë, Lubonja dhe Hysenbelliu janë anë të së njëjtës medalje. Se ka një ngjashmëri kërshërore mes mënyrës se si shkruan dhe flet Lubonja dhe mënyrës sesi bën biznis Hysenbelliu. Të dy, si Lubonja, ashtu dhe Hysenbelliu, kanë të përbashkët atë se nuk kanë interes për cilësinë e produktit të punës së tyre. Oligarku i “Panoramës” merret edhe me prodhim birre, ndërtim pallatesh, por ai nuk ka interes as që të shitet birra, dhe as që të shiten apartamentet dhe dyqanet në pallatet e ndërtuara prej tij. Synimi i oligarkut është që të marrë sa më tepër kredi nëpër banka, duke vendosur si kolateral fabrikën e birrës në Korçë, të cilën e privatizoi nga shteti për një copë bukë, pikërisht për këtë qëllim, apo ndërtimet e tjera të tij. Malin e kredive, sipas mendjes së tij duhet t’ ia paguajë shteti. Për këtë qëllim, mori disa galeri kromi nga Berisha, për të siguruar para cash, në mënyrë që veç të tjerash të paguante edhe Lubonjën.
Kur është fjala për të nxjerrë përfitime abuzive nga shteti, oligarkut i punon mendja hollë. Para se të largohej Berisha nga pushteti, oligarku i “Panoramës” bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën, bëri projektin e mahnitshëm që të gjitha bizniset e lojërave të fatit që gjendeshin në Tiranë, të shkonin në mjediset e ish-kombinatit të autotraktorëve. Kështu, të gjitha bizniset e lojërave të fatit do të formonin praktikisht një kooperativë, kryetar i së cilës do të bëhej Irfani, i cili e kishte marrë një pjesë të madhe të ish-kombinatit të autotraktorëve, kur mori përsipër nga Banka “Credins” kreditë e papaguara të Carlo Bollinos, i cili i kishte marrë vite më parë këto mjedise për kompaninë e tij mediale. Kështu, të gjithë bizniset e lojërave të fatit të Tiranës do t’ i paguanin qera Irfanit, i cili pasi t’ i jepte Bashës pjesën e tij, do të shlyente kreditë me pjesën e mbetur. Aq me pasion e kishte marrë Irfani këtë projekt saqë kishte bërë gati dhe bill-boardet gjigande me drita, që lexonin “Las Vegas Tirana”. Por, në prag të zgjedhjeve Berisha kishte probleme të tjera, kështu që Irfanit i mbetën tabelat, dhe nuk e bëri dot Shkozën “Las Vegas”. Lubonja nuk shkroi kurrë për këtë projekt. Merret vesh, qeni nuk e kafshon dorën e të zotit që e ushqen.
Lubonja, ashtu si pronari i “Panoramës” nuk ka interes për cilësinë e produktit të tij medial. Ai nuk shqetësohet se ato që shkroi në 29 mars do të përgënjeshtrohen në 8 prill. Lubonja nuk shqetësohet që gazeta “Panorama”, ku boton ai gjendet në një pallat të ndërtuar në një tokë që është një pasuri publike e marrë në mënyrë abuzive, dhe për këtë kanë dalë fakte të mjaftueshme në shtyp, për të cilat Lubonja është në dijeni. Lubonja nuk shqetësohet që është lakeu i një oligarku. Lubonja shqetësohet vetëm për një gjë, që të gjitha këto t’ i dinë sa më pak njerëz, në mënyrë që ai të mund të vazhdojë të bërë rolin e moralistit të rreptë të shoqërisë në emisionin televiziv të Fevziut dhe në faqet e gazetës “Panorama”./Kastriot Myftaraj
Leave a Reply