
TË SHIJOJ PUTHJEN TË PAREN HERË
Po plasi si kripa në zjarr ta puth Rrushe qafen e bardh si bora
Dridhem si thupër në ujë ta them një gjysmë fjalë
Fjala në fyt më behet lëmsh e s’mundet të dalë
Më shumë se prushin kam frikë të të prek ty se më digjet dora…
Trupi, gjaku, shpirti, ndjenja flakë të verdhë m’i djeg zjarri
Djerse e valët më cërrlegon i tërë balli
Po unë nuk di moj e mirë se si qahet halli
Të mos vdes pa puthur, se nuk e di a do të më kalbë varri…
Në gjunjë bije ti lutem Perëndisë veç një çast të më bëjë erë
Të pushoj një grimë herë mbasi të shkopsitet bluza
Buzët ti çel me buzë të shuaj etjen me tamel nga buza
Si drethëzës, mjedrës, boronicës të shijoj puthjen të paren herë…
Qershor 1974
PASHA DIELL E PASHA HANË
Pasha diell e pasha hanë
Në botë nuk ka tjetër zanë
Tjetër zanë s’ka veç malësoren
Me buzëqeshje e shkri boren
Me buzëqeshje e shkri boren
N ‘gjunjë bien yjet i puthin dorën
I puthin dorë e i puthin ballë
Me shuar zjarrin që i kallë
Tjetër zanë s’ka veç malësoren
Si vullkani me shkri boren
Barë e njomëz me u mbush Marini
Prej liqeni me u ngrit Drini
Drini bëhet det dhe vale
Me u ngjit në bjeshkë hyp në kalë
Hyp në kalë më dal në bjeshkë
Me njomë buzët me dy kokrra pjeshkë
O malësore vdeksha për ty
Me ta puthë dritën në sy
Me ta puthë qiellin në faqe
Ta mbjell bjeshkën manushaqe
Me ta puthë atë qafe xhirafe
Ta bej hanen varëse qafe
Veç një herë në m ‘marrësh grykë
Ti bëj yjet byzylykë
O malësore, o malësore
Flokëgojfiltë e lule bore
Nuk ka n ‘botë zanë veç tej
Me ndezë zjarre nëpër deje
Pasha diell e pasha hanë
Në botë nuk ka tjetër zanë
Tjetër zanë s’ka veç malësoren
Me buzëqeshje e shkri boren.

LULE MALLI
1
Buzëqesh me lulet e bjeshkës Tanusha
Zjarr e flakë merr nga fusha
Sapo vejnë krahë letë pranvera
Ciceron si zog në pyll gërmusha.
2
Qesh stani me mrizin gjithë ngrohtësi
Me njomëzën puthet agu e bie në qetësi
Fenerin ndezë hëna mbi maja
T ’mos mbesë në terr zana kur bënë dashuri.
3
Në shpatull të malit një gurrë prej ari
I bije fyellit, pipëzës, çiftelisë në fije bari
Baresha njom buzët e rreshkura
Buzabuzë me buzët e një mëkatari.
4
Xixëllonjat buzëprushe komçat zbërthyen
Nga Mbasqafja sapo u kthyen
Me buzë ngjyer me të kuq drethëze
Një rrem njomëze për magji në lis thyen.
5
Sapo vjen mbrëmja një yll humbet
Qahet se në qiell të errët nuk është mbret
E zë belaja me një shatërvan ujëvarë
Sepse nuk dinë pse kurora i mbet.
6
Guri i çikave mbuluar me myshk të vjetër
Iu nxi faqja kur i pa thinjat në mjekër
Mëngjes-mbrëmje livadhit i rrinë mënjanë
Kot e gënjen mendja, ato s’kthehen tjetër.
7
Livadhi i bjeshkës qesh me heshtjen e vet
Me herkën e vjetër mbi supe se si mbet
Dimri vjen dhe ikën, vjen dhe ikën vera
Në të gjitha ditët, ditë për të dashuruar s’gjet..
8
Qan mali me lot se nuk u kthye baresha
Loçke e zemrës i plas gurrës kur vajton lauresha
Ngrihet një re e mrrolur mbi Kaki
E ti thua ka ndezë llullën e duhanit Nobresha…
9
Drethëza buzëgjake në zhare kuqëlon
Diell e hënë në sytë e saj i shikon
Me vesë qielli qerpik-larë
Gjelbërim e dritë të ngrohë shpirtin pikon
10
Gojfili mikja imë e art buzënjomë
Shpirtin ta skllavëron me të këndshmen aromë
Lindi në maje të kreshtës ngjitur me retë
Mbi trupin e djegur të një meteori kufomë.
11
Boronica shkëndija e shpirtit qe nuk shuhet
Shkëndijë e zjarr që as kujt si ruhet
E lindi zoti të falë mirësi
Ti jap frymë njeriut atëherë kur duhet.
12
Mjedra bija e drethëzës të robëron
Puthjes ti zbulosh misterin të ndihmon
Më mirë mos e shijon ti o njeri
Mos u gënje se pastaj larg saj nuk rron.
13
Helmin e luledeles ma hidh në gotë
Nëse me puthjen mëkatova sot
Pa të hyrë në zemër nuk ikja dot
Në vdeksha aty parajsën me jep o zot
14
Të paktën me ty të flija vetëm një natë
Më mbyti vetmia në ëndërr të gjatë
Mbeta rrugët botës me hap duke i matë
Shpirt e ndjenje m’i djeg një afsh i thatë
15
Mua më duket se do vdes larg teje
Aty ku dergjet shpirti i një reje
Nga frika se ti më gënjeje
Se më dashuroje, por dhe më urreje
16
Në vitet më të bukura në jetë
Mes nesh kish hyrë një mal, një det
Mali qe trishtuar, deti nuk ish i qet
Sa e sa vite, sa e sa muaj, ditë e net
17
Vesa e mëngjesit shtëpia jote
Pasqyrë e zanës ka qenë nder mote
Çiltërsia mos të venitet në sy
Duke parë fytyrën e kësaj bote
18
Gjithë netët pa gjumë rri
Luajt me yje tamel zogu pi
Lulet në ëndërr s’më çelin si për herë
Pse më thuaj o Perëndi
19
Të më rëndoj plis i mallit fillon
Në brendësi shpirti si krua në mal loton
Se jeta për të gjallin qenka betejë
Me vdekjen luan edhe kurë rron
20
Jam luftëtar në ketë botë
Diell e hënë ti kem të plot
Linda me dhimbjen binjak
Me dhimbjen mëngjeset pi në gotë……………..
…………. vijon.
PROFIL
Flokët gojfile
Vetullat e holla
Gjakësin ftua
Faqet molla
Buzët qershi
Syrin si rrushi
Më thuaj Perëndi
Prush kush i mbushi
Gjuhen boronicë
Dhëmbët bishe
Qafen gastare
Këmbët birrë n’ shishe
Belin blete
Vithet e gjana
Trupin bjeshkë
Ballin si hana
Vdes duke lindur
Ngjallem duke vdekur
Nëse me duar të bardha
Vashë më ke prekur…

ZJARR E FLAKË MA DOGJE GJAKUN
Moj tropojane moj buzëprushe
Bjeshkën lule se çe mbushe
E mbushe njomëz ti moj zanë
Moj buzë prushe vetull hanë
Moj buzë prushe nga Tropoja
Nga sytë tu mashtrohet Troja
Unë për ty Trojës luftë i nisi
Në mes e thyej si krande lisi
O ulja çikë syve kapakun
Zjarr e flakë ma dogje gjakun
Si drenushë po del përpara
Me i tufë ylberi nga ujëvara
Moj tropojane moj buzëprushe
Bjeshkën lule se çe mbushe
E mbushe njomëz ti moj zanë
Moj buzë prushe vetull hanë

BËHEM LOT E HARK YLBERI
Moj belholla e Dukagjinit
Valle hedh me valët e Drinit
Në Kaki po hedhë valle
Dorë për dorë me shtojzovalle
Flokëgojfiltë e selvi shtatin
Llavë vullkani dogje fshatin
Dogje pleq e dogje të ri
Diell mbi bjeshkë sytë e zi
Diell n’bjeshkë, diell n’maja
Për sytë tu u çmend dynjaja
I çmende vashë me nazet tua
Faqet mollë e gjoksin ftua
Diellin n’bjeshkë vashë e ule
Me shkri borë e me çelë lule
Me të puthë sytë unë i mjeri
Bëhem lot e hark ylberi
Moj belholla e Dukagjinit
Valle hedh me valët e Drinit
Në Kaki po hedhë valle
Dorë për dorë me shtojzovalle…

UNË JU DUA GJERË PERTEJ CAKU
… ke buzëqeshje nimfe si Tanusha
qëkur ke vënë varëse hëne te gusha
shoqen tënde nuk e gjej dot
po, un s’dua ti puth sytë me lot
sot më dukesh krejt ndryshe
herë thëllëzë, herë dallëndyshe
do të kyçi në zemër në dry
buzëqesh ëmbël ngadalë aty
mos bëjë zë, mos bëjë rrëmujë
kurë të pi në kupë të florinjtë me ujë
me ujë a më musht rrushi
edhe pse je llavë e gacë prushi
po unë ju dua gjerë përtej caku
në duart e mia je lule zambaku…
Nikaj Mërtur me 10 shtator 1978.

RRI LARG MEJE
Buzët tua vashë
dy kupa rrushi
Më thuaj e mirë
Prush kush i mbushi…
E zura nga brirët
Lumin e tërbuar
Zjarrin që më ndeze
Vashë për të shuar..
Nga unë rri larg
O flaka e zjarrit
Me buzë ke për t’më djeg
Edhe rrasat e varrit…
Ani, ani le të vdes
Të të vdes në duar dua
Se ti vashë më varros
Në varr puthjet e tua….
PËR NJË PUTHJE PËLCAS SI SHTUPA
Unë dua të jam pijetar, i madhi i kësaj bote qe kthej kupa
Të dehem marrëzish kurë të puth qupa
Të puth. Të puth. Të puth
Të digjen në prush të buzës tende, e të pëlcas si shtupa…
Këtë mbrëmje ti je një yll ndër yje qe ndrit me dritë plot
S’kam parë një magji të tillë kam një mot
Në cep çerpiku varur një qershi-lot
Në qershi-loti lind dielli mëngjesesh që ndriçon këtë botë…
Si kalli gruri djegur jam për ujin e buzës tënde prej Perëndie
Ti këndon e qeshë me zanat nën hije
Unë o Esmere u mbyta zije
Zbuloje faqen, mos thuaj jo, për një puthje vetëtimë, veresie…
Unë dua të jam pijetar, i madh i kësaj bote qe kthej kupa
Të dehem marrëzish kurë të puth qupa
Të puth. Të puth. Të puth
Të digjen në prush të buzës tende, e të pëlcas si shtupa…
Korrik 1975.

MËKATARJA
Qeshet gurra e malit, sa herë shkon e vjen moj drenushë
O zot nga ai bucak ty mos të vritet dora
Të vetmin mëkat ke, qafen më t’bardhë se bora
E sytë të frikshëm si të gjarprit dy krerësh në gërmushë…
Ç’do ndodhë me mua po u gënjeva nga buza jote, m ‘thuaj
Faqen ia zbulon një të varfri, e s’ke frikë
Një mëkatari që për një puthje nga kjo botë mund t ‘ik
Uji kristalor rrjedh e humbë buzësh tua, unë digjem e vuaj..
Ngadalë moj, në dorë bucakun, fjalës po i jep flakë e zjarr
Diellin ma zë me qerpik, kur stanit i rri në derë
Gjerë në qiell tek unë dimër, tek ti pranverë
As për gaz, as për vaj një lule erëmirë nuk kam ku ta marr…
Ç’do ndodhë me mua po u gënjeva nga buza jote, m ‘thuaj
Faqen ia zbulon një të varfri, e s’ke frikë
Një mëkatari që për një puthje nga kjo botë mund t ‘ik
Uji kristalor rrjedh e humbë buzësh tua, unë digjem e vuaj..
Qershor 1976

HISTORI DASHRIE
M ‘u kujtua se si kish rënë në dashuri rrëfimi i një miku
Me shikim të parë, me një femër
Me një buzëqeshje, me një lëvizje të lehtë qerpiku
Ajo erdhi, trokit në portë, i hyri të rroj përjetësisht në zemër.
Buzëmbrëmje një vashë kulloste qengjat në stom të një are
Ish fillim pranvere ..mbi borë lulja sapo nxirrte kryet
Qengjat ishin imëtakë por sugarë… dhe vasha po, ish sugare
Loznin me xixëllonjat… me hënën… me yjet…
Ish çast magjik. Fillova tej e më tej të bëhem më xheloz
Ende pa i çelë luleputhje në të ëmblën buzë
Ajo i la xixëllonjat e hënën vetëm shkoj me yje të lozë
Ndjenjat m ‘u dogjën n ‘prush, të bardhet e fytyrës në shpuzë…
Ndjenjës, shpirtit e zemrës i besova se kam rënë në dashuri
Nuk e dija se dashuria është engjëll hyjnorë
Një shoqe me kish thënë dashuria të zë si verë , një shok si raki
Dashuria mua s’më la të lëviz. Më prangosi këmbë e dorë.
Prill 1976.

Burimi – Facebook


Leave a Reply