Urim poetik për të gjithë bashkëkombasit e mi me rastin e Ditës së Verës
Nga: Namik Selmani
1.
Kur agimi është pa zbardhur
E kur dielli rreze hedh.
Fushë më fushë do shkoj pa ndalur
Të mbledh lule gjemb më gjemb.
Në një shpirt do mbledh aroma.
Do puth flladin që zgjon male
Thinjat-o ç’m’i shporri koha.
Dhe ky mars me manushaqe.
Plis më plis e degë më degë
Mbi një kumbull, ndën një ftua
Do të bëj fustan të blertë
Për shtalistën që e dua.
Këmbëzbathur, larë prej vese
Do flatroj me krahë zogu.
Do t’u jap me mijëra rreze.
Do t’iu mbjell bisk borziloku.
Do të eci hap më hap
Do të ulem mbi ugare
Një ortek të madh do ndal
Duardridhur mbi petale.
Do të bëj gjerdan me lule
Të stolis ballin dhe flokët
Mbi një tavë me ballokume
Do uroj miken dhe shokët.
Le t’i zbardhë duart mielli
Kur të ulem nëpër sofra
Gaz’n që kam ta marrë qielli
Fjal’n e ëmbël ta marrë bota..
Prapë në shpirt do mbledh aroma
Të puth flladin që zgjon shpate
Thjnjat-o t’i shporrë koha
Mbi gjerdan me manushaqe.
Leave a Reply