Një sherr banal i nisur disa ditë më parë për volumin e muzikës në një bar mes dy të rinjve ka çuar në vrasjen e një personi në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut rreth orës 04:30 minuta, pikërisht në rrugën “Vaso Pasha”. Si pasojë ka mbetur i vdekur Elton Pojani 36 vjeç pronar i një bari në këtë zonë. Policia e Tiranës ka arrestuar si autor të dyshuar të kësaj ngjarje 29-vjeçarin Maren Tufa, i cili ishte frekuentues i rregullt i këtij bari dhe banues i kësaj lagjeje. Dëshmitarë, të cilët e njihnin autorin dhe viktimën, shpjeguan se dy personat disa ditë më parë kishin pasur një diskutim banal.
![]()
Në patrullimin rutinë të policisë në rrugën “Vaso Pasha”, Elton Pojanit i është thënë që duhet të ulë muzikën, pasi po prishte qetësinë publike. Por zbatimi i urdhrit të policisë nuk është pritur mirë nga klienti Maren Tufa, i cili ka kërkuar llogari për volumin e ulët. Ndërkohë që mbrëmjen e të shtunës Tufa është rikthyer përsëri tek bari, duke e mbajtur mend zënkën. Në diskutim e sipër me viktimën ai ka nxjerrë thikën dhe ka goditur disa herë 36-vjeçarin Pojani. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë të cilat kanë mundur të arrestojnë autorin.
Ndërsa një ambulancë ka çuar në spitalin e Ushtarak 36-vjeçarin,i cili nuk mundi t`i mbijetojë plagëve të marra. Grupi hetimor ka nisur hetimet për ngjarjen, ku pista kryesore është ajo e konfliktit të nisur ditë më parë, të cilin autori nuk e ka kapërdirë dot, duke e masakruar me thikë 36-vjeçarin. Megjithatë nuk janë përjashtuar nga hetimi edhe pista të tjera si ajo e një konflikti të çastit apo edhe të mbartura duke qenë se autori me viktimën jetonin në të njëjtën lagje. Me rëndësi për hetimin do të jetë marrja në pyetje e 29-vjeçarit, pasi dëshmia e tij do të hedhë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë dhe motivet që e çuan atë në kryerjen e këtij krimi makabër.
Shekulli


Leave a Reply