
Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia është duke lëvizur trupa në Gadishullin e Krimesë me traget, pasi ushtarët rusë dje morën nën kontroll një pikë kufitare në anën ukrainase të një lumi të lundrueshëm që ndan të dy vendet.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Powers konfirmoi lëvizjen e trupave ruse mbrëmë në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. Dje më herët, agjencia e lajmeve Reuters citoi rojet kufitare të Ukrainës të kenë thënë se ata kishin parë grumbullimin e një autokolone ruse me automjete ushtarake të blinduara në anën e saj të Ngushticës Kerç.
Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin përdori seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të lexuar një deklaratë të presidentit të rrëzuar ukrainas, Viktor Yanukovych, i cili javën e kaluar iku nga Kievi në Rusi, pas disa javësh të protestave anti-qeveritare.
Ambasadori Churkin tha se zoti Janukoviç i kishte kërkuar Presidenti rus Vladimir Putin të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë për të vendosur “paqen” dhe “qendrueshmërinë” në vendin e tij. Nga ana e tij, zoti Putin këmbëngul se Moska ka të drejtë të ndërhyjë në Ukrainë për të mbrojtur qytetarët rusë.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply