Luela Myftari
Këtë fundjavë në Prishtinë, fill pas festës së Pavarësisë u organizua një takim me këngëtarë dhe artistë nga e gjithë shqiptaria për të mirën e artit dhe kulturës në këtë shtet të ri.
Ishte një event i organizuar nga kompania OnAir.FM e për këtë na flet më shumë këngëtarja Jehona Sopi e cila është pjesë e këtij stafi që më shumë se kurrë po përpiqet të sjellë një frymë të mirë në fushën e kulturës në Kosovë.
Jehona rrëfen për gazetën “Shekulli” se ky ka qenë një aktivitet ku pjesëmarrësit kanë qe-në nga komuniteti i artit dhe kulturës (yjet e estradës, siç i thonë në zhargonin mediatik shqiptarët e Kosovës). “U bashkuan në këtë aktivitet personalitete nga të gjitha trojet shqiptare dhe partnerë të tjerë të rajonit (Rumania, Polonia, Bosnja, Maqedonia etj)”, – thotë Jehona Sopi.
Ajo vazhdon të na shpjegojë edhe më tej në komunikimin me ne, se eventi ka pasur karakter informues. “U diskutua për menaxhmentin e ri, funksionimin transparent dhe argëtues të kulturës në Kosovë”, -tha Jehona për gazetën “Shekulli”. Ishte një takim ku nuk mungoi kokteji dhe muzika live.
Me mbi 190 milionë shikime në muaj, OnAir.FM është një ndër rrjetet më të mëdha të artistëve dhe grupeve të pavarura në YouTube. E duke qenë kaq i përhapur dhe kaq i njohur ndër artistët shqiptarë, kjo kompani bën të mundur menaxhimin, promovimin e muzikës dhe artit.
Edhe në këtë takim, sipas Jehona Sopit, kjo kompani i është dedikuar totalisht me profesionalizëm, artistëve të pavarur nga tërë bota, artistëve të rinj për të ndërtuar kështu më shumë siguri në botën e artit.
Ofrimi i transparencës, qasja e lehtë dhe e shpejtë (online) në informata përmes smartphone-it apo kompjuterit ishin dy nga qëllimet e këtij takimi artistësh.
Shekulli


Leave a Reply