
Udhëheqësit e përkohëshëm të Ukrainës kanë emëruar figurën popullore të opozitës Aseniy Jatseniuk si kryeministrin e ri të vendit.
Ata njoftuan emërimin e zotit Jatseniuk para një turme të madhe dje në Sheshin Pavarësia të Kievit. Parlamenti pritet të marrë sot në shqyrtim kandidaturën e tij.
Jatseniuk është ish-ministri i jashtëm dhe ish-ministër i ekonomisë pro-perëndimor. Një ndër detyrat e tij kryesore do të ishte të parandalojë kolapsin e ekonomisë ukrainase.
Shtëpia e Bardhë thotë se mbështet fuqishëm udhëheqësit e Ukrainës në punën e tyre për të formuar një qeveri shumëpalëshe që përfaqëson të gjithë ukrainasit. Shtëpia e Bardhë bën thirrje për një qeveri me bazë të gjerë, të angazhuar ndaj ripajtimit si baza e nevojshme për ndihma ndërkombëtare.
Kush është Arsenyi Jatseniuk ?

Udhëheqësi i opozitës ukrainase Arsenyi Jatseniuk, që dje mori emërimin për kryeministër i vendit, ka qenë ministër i jashtëm ukrainas dhe një aleat i fortë i simbolit pro-perëndimor të Ukrainës Julia Timoshenko.
Jatseniuk, një ndër tre udhëheqësit më të njohur të opozitës gjatë tre muajve të fundit të krizës politike, i diplomuar si ekonomist dhe jurist, paralajmëroi dje se qeveria e re është e përgatitur të ndërmarrë “hapa tepër jopopullore” për të stabilizuar ekonominë që është shumë pranë falimentimit.
“Ne jemi në buzë të greminës dhe kjo qeveri përbëhet nga njerëz të gatshëm për vetëvrasje politike. Nuk i trembemi ferrit,” tha ai për radion britanike.
39-vjeçari Jatseniuk lindi në një familje akademikësh në qytetin perëndimor të Çernivtsit. Gjatë dekadës së fundit ai ka shërbyer si kreu i Bankës Kombëtare të Ukrainës. Ai u zgjodh nga ligjvënësit ukrainas në vitin 2007 për të kryesuar parlamentin gjatë presidencës së Viktor Jushçenkos, por dha dorëheqjen pa u mbushur viti, kur përplasjet politike mbërthyen kryeqytetin ukrainas.
Gjatë krizës së fundit, ndërkohë që protestat vazhdonin me zjarr në Kiev muajin e kaluar, presidenti pro-rus Viktor Janukoviç u përpoq të rekrutojë zotin Jatseniuk, udhëheqës i Partisë Atdheu. Presidenti i ofroi atij postin e kryeministrit, por Jatseniuk e refuzoi ofertën, duke thënë se populli i Ukrainës duhet të vendosë të ardhmen e vendit, jo zyrtarët qeveritarë.
Analistët thonë se qeveria e përkohëshme mund të riorganizohet pas zgjedhjeve të 25 majit, duke lënë të paqartë të ardhmen politike të zotit Jatseniuk.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply