TIRANË- Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare poeti i mirënjohur shqiptar Gjok Beci. Poeti vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë dhe kishte disa ditë që ishte shtruar në Spitalin Ushtarak.
Beci është një poet i vlerësuar edhe në fushën e muzikës. Ai njihet si autor i shumë këngëve folklorike të ansamblit të Mirditës si dhe të festivalit në RTSH.
Poeti Gjok Beci është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” në vitin 2009, nga ish-Presidenti Bamir Topi.
(a.n/BalkanWeb)
TROKITJET
Poemë nga GJOKË BECI
Trokita në veten time dhe prita pak
u hap një derë me lulepëlqimet e mia
gjurmet e vocrra morë ndonjë pikë gjak ,
Ishte fëmijëria.
Trokita në hapat e fillesës dhe prita
u shfaq rruga e panjohur dhe molla ,
një oborr , një top lecke , abetarja dhe frika –
ishte shkolla .
u hap një kuti me rrjetë në mes për votime
nuk dija ku banonin bindje e pendesë
trokisja në të vocrrën jetën time –
ishte viti dyzetepesë …
trokita nëpër veten time si nëpër errësirë
jashtë ishin ujëvarat dhe hëna
prej larg më shihte ndonjë ëmbëlsirë –
pranë më rrinte nëna.
po më përcillte te autobuzi i largët ,
mua te shkolla e re më rrinte mendja ,
frenoi diku autobuzi në çåkllën e lagur
dhe m’u tremb ëndrra.
trokita derën e panjohur në magazinë
për herë të parë në jetë pashë stof polak ,
nëna kishte qethur delet në lëndinë ,
më kish veshur me shajak.
dikur “trokit e zgjo ” – do thothte Kadareja
unë mësova më shumë të trokas ,
m’u hapën dyer me libra të reja
dhe poezisë i dhash bast …
trokita thellë në veten time
u shfaq jeta – një bukuroshe rinore,
më thirri si t’ kishte zë bubullime
më mori shumë larg përdore…
ecim bashkë , ende jemi bashkudhëtarë
ajo rend e unë rend pas saj ,
trokita në sy të kaltër e u shfaqën ziliqarë ,
trokita në stinë e s’u shfaq vetëm maj …
trokita në gur të kuq u hap një zambak i bardhë
e hodha me rrëmbim në krahët e erës
ngarenda për Tiranë si një i lumtur i marrë
zambakun e Mirditës ia fala Vaçe Zelës.
trokita në sy të kaltër,u shfaq deti
preka dy buzë dhe u shfaq lulkuqja
eh , sa larg ishin burimi dhe etja
ndoshta më larg se zbulimi dhe zhdukja …
trokita gjithë dyertë që më presin mua
u hapën ëmbël si buzëqeshja
kur trokas kujtimin e Lizës që u shua
derën e hap heshtja.
-
Një jetë kushtuar folkut
Gjokë Beci/ Jeta dhe karriera e një artisti që besoi gjithnjë te muzika… Pasioni i hershëm për letërsinë dhe dëshira për t’i dhënë jetë folkut të Mirditës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në muzikën popullore shqiptare…Dëshira për letërsinë ka nisur që në hapat e parë. Ajo dëshira e vogël që rritet çdo ditë e më shumë tek lexon veprat e autorëve të mëdhenj, siç janë Serembe, Frashëri, Ali Asllani, Çajupi. Këta dhe të tjerë ndriçuan mendjen e malësorit Gjokë Beci dhe zgjuan tek ai një ndjenjë kaq të bukur për poezinë. Si çdo fëmijë, me dëshirën e tij shpërthyese, mundohet të lexojë dhe të studiojë me përpikëri atë çfarë i duket më interesantja, ajo që e “shqetëson” për mirë, për të kuptuar më shumë rreth ëndrrës së tij. Ëndërr që e ndjek atë dhe gjatë adoleshencës me vendosmëri për t’i dhënë drejtimin e duhur. Kështu nisi në një moshë jo të vogël, por as të rritur, udhëtimi i Gjokë Becit drejt realizimit të pasionit të tij për të shkruar. Edhe pse i ati e ka lënë në moshën 4-vjeçare, figura e tij ka qenë një frymëzim për artistin. Gjokë Beci ka lindur në fshatin Zajsë, në zonën Selitë, në Malësinë e Mirditës. Ky është fshati i bukur ku shkroi vargjet e para për të dashurën vendlindje. E që nga ajo ditë e deri më sot ai vazhdon të shkruajë me dashurinë më të madhe, poezi recitale e të këndueshme, siç i quan dhe vetë artisti Beci. Jo vetëm se ishte vëllai i vetëm i motrave Beci, por sepse ai ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë, mënyra se si fliste, si shprehej, si sillej me bashkëmoshatarët e tij dhe të rriturit e diferenconte atë nga të gjithë, sigurisht për mirë. Ka filluar të shkruajë poezi e prozë që nga arsimi 7-vjeçar. Ky pasion u fuqizua më tej, kur Gjoka u transferua me studime në gjimnazin “Ndrec Ndue Gjoka” në kryeqytet, nën trajnimin e profesorëve të nderuar si Petro Marko, Gjergj Zheji dhe Gazmend Biba. “Ishte një vitalitet i jashtëzakonshëm pedagogjik dhe kishin një ndikim pozitiv te secili nxënës”, thotë Gjoka. Ai e vazhdoi më tej pasionin e tij për letërsinë, tashmë i futur më në brendësi të saj, duke shkruar dhe vargjet e para në vitin e dytë të gjimnazit. Ishte fillimi i rrugëtimit të tij në fushën e artit, në botën e krijimtarisë. Si çdo shkrimtar që kujton momentet e para të frymëzimit për të shkruar, si çdo poet që kujton kohën kur ka marrë penën për të hedhur mbi të bardhën fletë bojën e zezë me ide të pafajshme rinore e të gjalla, ai thotë përmallshëm: “Në gjimnaz u zgjuan interesat për letërsinë për dy arsye, e para, sepse lexova bashkë me shokët, leximi të lë përshtypjet e veta, të detyron të ngacmosh tematikat e veçanta, kuptohet se tematika në atë kohë ka qenë uniformë.
Ishte vështirë të shkëputeshe nga uniformiteti i krijimtarisë dhe të dilje në atë fushë që krijuesi vërtet lakmon, krijimin e spikatur, gjurmëlënien. Mendoj se një pjesë të krijimeve folklorike kanë shënuar jetën e tyre të pasqyruar në krijimtarinë time”, rrëfen Beci. Gjithçka po shkonte mirë, poezia, studimet, familja, shëndeti, deri në momentin e diplomimit, i cili i shkoi me sukses, sigurisht! Por ishte diçka tjetër që e cungoi ëndrrën e Gjokës. Dëshira e madhe për të vazhduar studimet e larta, u ndërpre pikërisht në momentin kur ai po e priste me aq gëzim. “Ishin arsye politike, që po t’i them janë sigurisht shumë qesharake, por më ndaluan studimet.” E kujton me dhembje atë ditë kur mori vesh se nuk mund të studiojë në universitet, por nuk u dorëzua. Dhe pse që nga viti 1965 e deri në ‘86-n u detyrua të kryente punë tjetër në vend që të ishte në bankat e Universitetit të Tiranës me bashkëmoshatarët e tij, shokët dhe shoqet e gjimnazit. Por, gjithsesi, kjo periudhë pauze nuk i shërbeu për keq.
Ai u kthye në vendlindjen e tij dhe u mor me muzikë, pa dalë nga fusha e artit, ku dha një kontribut të veçantë për folkun e Mirditës, i cili në atë kohë ishte në periudhën e tij më të keqe. Aty lulëzoi dhe karriera e Gjokë Becit, duke filluar me çmimet e marra në Festivalin e Gjirokastrës, 1978, ku kënga “Xhamadan i trimërisë”, u vlerësua me çmimin e parë. E jo vetëm kaq, Gjoka kishte një të veçantë kur shkruante, ai nuk ndahej nga idetë e tij, dhe nëse i pëlqente ajo që pasqyronte në bllokun e tij, nuk i ndryshonte as presjen më të vogël, por nëse vetëm një frazë i dukej e papërshtatshme e ndryshonte atë njëqind herë deri sa t’i tingëllonte aq bukur saqë të mos ketë nevojë për ta prekur më. Duke vazhduar më tej me “Një zambak i bardhë mbi gur”, “Dy gëzime në një ditë”, të cilat janë me çmime të para, në Festivalin e ’90-s, saktësisht 4 vite pasi Gjoka filloi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1986. Edhe pse në moshën 47-vjeçare, ulet në sallat e universitetit për të ndjekur orët e leksioneve dhe seminareve me bashkëstudentët e tjerë, ku binte në sy figura e tij, jo vetëm për shkak të moshës, por tashmë kishte ardhur me një “fytyrë” tjetër, një njeri i formuar, një personalitet i njëjtë me pedagogët, të cilët gëzonin të njëjtin respekt si ai në bordin e shkrimtarëve.
Gjoka është autor i 10 librave. Vëllimi i parë me poezi që mban vulën e Gjokë Becit është ai i vitit 1970, titulluar “Kur zgjohen Bjeshkët”. Por, pas një pauze të gjatë prej 20 vitesh, ka botuar librin “Zambaku im”, 1990. Për të vazhduar në këto kohë me disa vëllime të tjera poetike, si: “Qiell e dhe”, “Antologjia e shpirtit” (1, 2), “Thuj vetes ec” dhe “Plis në Luvër”.
Vargjet e muzikës
Gjokë Beci bëri emër në muzikën shqiptare, dha një kontribut të veçantë në muzikën popullore. Gjoka ka bashkëpunuar me artistë të vlerësuar shqiptarë, brenda dhe jashtë trevave shqiptare, të cilët i kanë besuar penës së tij, duke e shpalosur me zë atë çka ai ka gjallëruar e ka sjellë në jetë. Interes të veçantë për këngët e shkruara nga Gjoka, kanë pasur këngëtarët nga diaspora, ata të rrymës popullore, siç janë: Shkurte Fejza, Ismet Rexhepi (Maqedoni), Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprela, Myfarete Laze, Kastriot Tusha, Gëzim Nika, Arif Vladi, Manjola Nallbani, Artiola Toska e shumë të tjerë. Në periudhën kur Gjoka bënte ekzaktësisht pjesën e dytë, pra shkruante tekste këngësh, procedonte ndryshe. Atëherë nuk ishin kopertinat që janë sot, këngëtarja apo këngëtari vjen e porosit, merr paratë dhe e mbyll me kaq.
Për Gjokën dhe autorët, kompozitorët e asaj kohe kanë qenë ndryshe: realizohej fillimisht kënga, produkti nuk shitej, por falej. Madje Gjoka përmend një rast për këngën “Xhamadani i trimërisë”: “Unë kam marrë 180 lekë të vjetra, 18 lekë të reja sot, dhe është quajtur se kam marrë shpërblim të madh. Tekstin tim e ka paguar shteti me honorar, nuk e kam shitur. Përpos faktit që nuk paguheshim, kujtoj që sigurisht shumë ndryshe nga ditët e sotme, që të shkruaje një tekst kënge, duhet të kishe parasysh ca pika, të cilat nuk duhej t’i shkelje. Ishin disa vija të holla, të cilat duhej t’i shikoje me kujdes që të mos nxije asnjërën prej tyre, ndryshe të zinte gjarpri”. Frymëzimi është një element kyç në krijimtarinë e një tekst-shkruesi. Për mjeshtrin Beci, frymëzimi është pjesë e pandarë e thesarit të tij kulturoro-folklorik. Ai shkruan atëherë kur e ka të domosdoshme për të shkruar, “mund të vijnë 20 këngëtarë dhe të mos shkruajnë asnjë tekst, mund të mos vijë asnjë e unë kam shkruar 4 të tilla”, pohon ai. Për më tepër ai citon të madhin Kadare: “Unë jam shkrimtar dhe do të vdes i tillë. Jam thjesht shkrimtar shqiptar e nuk kam asnjë kontratë të shkruar me popullin tim se si të shkruaj, pra jam sovran me veten time”. Në vitin 2009, artisti u nderua me çmimin “Mjeshtër i madh i punës” nga ish-presidenti Topi.
Eva Marku
Shqip
Gjok Beci, “Mjeshtër i Madh i Punës”
Mark Gjoka, “Naim Frasheri i Argjende”.
-Vleresimi nga Presidenti i Republikës Bamir Topi për poetin Beci dhe kantautorin Gjoka-
Nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së autoritetit më të lartë të shtetit shqiptar, krijimtaria skrupuloze e poetit të njohur mirditor Gjok Beci, prej më se 5 dekada, pasi këto ditë ai është dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”. Paralel me kete dekorim per poetin e mirnjohur Beci, presidenti Bamir Topi ka firmosur edhe dekorimin me titullin “Naim Frasheri i Argjende” per kantautorin e mirnjohur mirditas, z. Mark Gjoka.
Pikërisht për të përcjellur këtë nderim shumë fisnik të presidentit të Republikës Bamir Topi, bashkia Rrëshen dhe institucioni kulturor organizoi një veprimtari jo vetëm ceremoniale, por një ditë të tërë kulturore kushtuar 70 vjetorit të lindjes së poetit, vargjet e të cilit kanë qenë emblema e qëndresës së Kombit shqiptar ndër dekada.
Promovimi i dy librave poetikë
Dita kushtuar poetit në këtë eveniment interesant, është prirë nga promovimi i dy librave të fundit të autorit “Antologjia e shpirtit tim” dhe “Thuaj vetes ec…”, zhvilluar në sallën e galerisës së arteve në pallatin e kulturës “Mirdita”, ku morën pjesë krijues, poetë mirditorë, pjesëtarë të familjes së poetit, artistë e persona të tjerë të interesuar nga Mirdita, Tirana e më gjerë. Emocione të shumta u ndanë nga artistët, poetët, autoritetet vendore dhe të fuar nga dikasteri i ministrisë së Kulturës si dhe presidenca, në sallën e pavionit etnografik të ansamblit Mirdita.
Veprimtaria promovuese u moderua ngë studiuesi dhe poeti Ndue Dedaj, i cili e ka perceptuar si “Një përvjetor dhe dy libra të rinj poetikë” duke shtuar se “do të doja sot, në këtë përvjetor të shënuar të Poetit, të merrja hua nga poetika e tij një metaforë nga ato të stilit të tij, atë të një bjeshke që zgjohet, që hap flatrat si një shqiponjë dhe nxjerr nga thellësitë e ekzistencës së saj, një poet. Ajo bjeshkë e naltë (Selite a Rugove)… Pasi, përmes tij, ajo bjeshkë mundej të kumtonte një fjalë shqipe të veten, një fjalë të pathënë, por me rrënjët në humusin e traditës shqiptare të këngës. Dhe ia kishte dhënë lejen dhe bekimin atij ta thoshte, në atë mënyrën e tij, atë burimësi këngësh, si një “antologji e shpirtit” të poetit. Metafora e bjeshkës që zgjohet është muza e poezisë së Gjok Becit, që zë fill “zyrtarisht” 40 vjet më parë, kur ai publikon vëllimin poetik “Kur zgjohen bjeshkët” (1970).
Po ajo metaforë vijon të shpërfaqet kohë pas kohe, dhe njëzet vjet më vonë, kur Poeti boton librin e tij të dytë poetik, “Zambaku im” (1990), për të cilin qemë mbledhur kështu si sot, në këtë Pallat Kulture, për ta kremtuar “rikthimin” e poetit me libra. (sepse) Në udhën krijuese të Gjok Becit kishte patur një kohë kur iu ndalua të botonte, ku për profilin e tij veçanërusht si poet i këngës, ndalimi ishte i trefishtë: – nuk do të dilte me këngët e tij në festivalet kombëtare të folkut dhe muzikës popullore të përpunuar, – nuk do të mund të dëgjohej më në festivalet e muzikës së lehtë në RTV shqiptar, – dhe nuk do të mund të botonte poezi në shtypin letrar, as edhe libra.
Për të vazhduar në këto kohë më disa vëllime të tjera poetike, si:“Qiell e Dhe”, “Antologjia e Shpirtit” (1, 2)dhe “Thuj vetes ec”, që sapo ka dalë në qarkullim.
Miq të nderuar, unë po e lë këtu, sepse e di që në këtë ditë jeni të gjithë që doni ta përshëndesni Gjokën dhe ta uroni për dy librat e tij të fundit, që i kemi nëpër duar, e që mensoj se janë mënyra më e mirë dhe për kremtimin e një përvjetori lindjeje, si ky 70-vjetror i Poetit.
Folën për krijimtarinë e autorit me një recensë të zgjeruar Ndue Gjika, Dod Pjetri, Preng Maca, Luan Rama, Ded Shkurti, Viktor Gjikolaj e të tjerë, ndërsa nga një grup nxënësish u recituan poezi nga librat poetikë të autorit.
Ceremonia e dekorimit
Më tej dita kulturore, ka vazhduar me një koncert emocional në sallën e koncerteve të pallatit të kulturës Rrëshen. Fillimisht të pranishmit kanë përcjellë në mënyrë shumë emocionale ceremoninë e organizuar për dhënien e vlerësimit të dhënë nga presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh i Punës” për poetin Gjok Beci dhe “Naim Frashëri i argjendë”, për kantautorin Mark Gjoka. Të pranishmit nderuan me këtë rast përmes huimnit të flamurit ndërsa më pas kanë lexuar motivacionin e dekoratave nga këshilltarët e presidencës, Tom Preku dhe Agron Gjekmarkaj.
Koncerti-spektakël i drejtuar nga gazetari Gjergj Marku, ka sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme në sallë përmes krijimeve të shumta muzikore të autorëve vendas, me vargje të Gjok Becit kryesisht. Janë sjellë këngë të karakterit epik dhe lirik.
Me plot emocion u përcoll përshëndetja e kryetarit të bashkisë Rrëshen Gjon Deda. Ndërsa deputeti Mark Marku, solli copëza kujtimesh nga kontakti i parë me autorin, duke shtuar se ai na ka dhënë besim, kur ishte shumë e vështirë ta kishe dicka të tillë, duke përmendur disa nga librat e Fishtës të dhuruar nga dora e poetit të shquar, në vitet e izolimit të madh. Ai ka përgëzuar vendimin e presidentit për këtë dekorim duke e quajtur një vlerësim për tërë kulturën e Mirditës.
Grupi organizator kishte menduar dhe një tortë në fund të programit, në formën e një libri të hapur, ku shkruhej “Edhe 100 pranvera Gjok Beci, nga Mirdita juaj”, stilizuar dhe një pentagram mbi tortën e bardhe.
Ky ka qenë dhe momenti kulminant,, ku është ftuar dhe poeti në skenë, ndërsa është kënduar kënga “Ti je sofra që na thërret” e kantautorit Mark Gjoka, duke e bërë pjesëmarrës në këngë gjithë publikun që ka duartrokitur pareshtur.
Në fund dita kulturore kushtuar “Mjeshtrit të Madh të Punës” Gjok Beci në 70 vjetorin e tij të lindjes, dhe “Naim Frasheri te Argjende” Mark Gjoka, është mbyllur me një kokteil dhe më pas një darkë.
Poeti që na ofroi rrugën për të mbushur shpirtin.
-fjala e kryetarit të Bashkisë Gjon Dedaj-
Te nderuar pjesmarres!
Te nderuar te ftuar!
Te nderuar perfaqësues te presidences!
Fort te dashur artiste!
Me lejoni te them me emocion se sonte ne kete qytet mbreteron nje mirenjohje e jashtezakonshme, dhe duket se Mirdita i ka te ruajtur ndricuesit rezerve te se shkuares, se tashmes dhe te ardhmes se saj!
Sigurisht se nder morine e pafundme te rasteve kur politka e cdo lloji duhet te degjoje jane vendet e kultit, kishat tona te shenjta dhe sallat e artit, te tilla si kjo e stomja qe per nga qellimi shkon pertej cdo arritje politike, ndaj besoj se sebashku shkojme nje hap me tej ne zbrazetine e puneve te paperfundura permes nderimit te poetit Gjok BECI dhe kantautorit Mark GJOKA, dy nga ata qe provojne ne te tashmen se Mirdita mbetet vendi ku ka banuar perjetesisht e bukura.
Ju pershendes prej zemre dhe vleresoj me mendje e ndjenje keta dy njerez te ndryshem qe ngjajne aq shume, qe i bashkojne lotet dhe dhimbjet artberese permes nderkembimit dhe njesimit, ata jane njelloj klonimi qe Mirdita “gdhend ” bijet e saj permes marreveshjeve me perendite ne castet e perballjes apo ne kapercim te territ.
Te urdheruar nga nje arsye e larte dhe te pasuruar me shpresen se Mirdita do te jete perseri Zonje, artistet tane, edhe se nuk munden t’i hapen plotesisht vendlindjes, ia dalin te mundin hijen qe i ndjek permes farerave te artit, transportuar prej lumenjeve dhe perrenjeve te kesaj treve.
Dikush, diku, ka thene se cdo lum ka betejen e vet dhe cdo perrua kengen e vet dhe si rrallekush nder ne, poeti dhe kantautori e kishin besuar se vetem pak para ketij evinimenti te sotem nderimi, lumi yne ka fituar tashme perjetesisht betejen e bashkimit te kombit dhe perrenjte do te kendonin vrullshem kengen e tyre duke na dhene sebashku nje himn per rendesine e artit.
Me barren e pamatshme te kontributeve dhe peshen e rende te kujtimeve ne jemi sot ketu per te treguar se ndonese nuk e beme te mundur qe ata te mos ishin te ikshem dhe te vijonim t’i shihnim cdo darke ne qytetin e perbashket, ne mundemi dhe duam t’i lexojme dhe degjojme vecmas dhe bashke poetin dhe kantautorin, ne kullat tona te ngrohta dhe ne dhomat e pallateve tona ne nevoje per t’u pershtatur me natyren dhe risitë teknologjike.
Stilit te tyre fitimtar nuk i mungoj kurre flaka e brendshme dhe zotesia per te ecur me ritmin e nje bote ne ndryshim pa mbetur kurre jashte valles se saj dhe pa iu rrezuar paragjykimeve qe denonin me vdekje bukurine e tyre turbulluese, stili i tyre gjen gjithnje nje pike ku te mbahet ne jetgjatesi pavaresisht kurtheve dhe sterkembsave.
Mirekuptimi dhe dashuria e tyre per vendlindjen, Mirditen tone te dashur, ju dhane atyre gjithnje gadishmerine per te sakrifikuar por njeherit epersine e te gjitha koncidencave per te shpetuar gjerat e paperseritshme, artistikisht te shendetshme, ato thirravaje jete !
Ne udhen e distancimit te ndersjellte poeti na del i ndryshem nga te gjithe, ai eshte pikerisht tjetri filozofik per sejcilin prej nesh dhe per te gjithe ne bashke ndersa kantauori mbetet bashkëshoqqeruesi, bashkpuntori por dhe ambasadori i poetit shpresepercjelles ne rrugen dhe vendpushimet e fatit.
Te perndritur nga shija e artit, ne nje kohe kur biografite benin pis dhe te kerkonin te mbaheshe paster ne nje ambient te papaster, ata ia dolen t’ju sherbejne dhe te kurorezojnë trofe qe imponojne respekt, trofe te permasave kombetare para te cileve askush nuk mund te mbyllte syte dhe per kete MIRDITA do te falenderojë e perulet nder vite.
Oroshi dhe Selita , Valmori dhe Blinishti mbeteshin ne roje te rinise dhe freskise se tyre ne pavionin e vecante dhe me te vjeter te artit qe quhej MIRDITE, stolisur me bukuri te rralla, dhe si rrallekush ate kishin shqisat e afta te kapnin dhe popullonin te padukshmen per te gjithe.
Poeti qe zbukoronte me vargje Buzvalmorin kishte kohe qe therriste qe te gjithe te shkonim atje, por per habine tone te thelle, per marrezine e te mosjetuarit apo stermundimin e te jetuarit, edhe pas kaq dekadash mungonte rruga automobilistike bashkohore per te mberritur atje por poeti na ka afruar rrugen tjeter- rrugen per te mbushur shpirtin dhe kengetari duhet per ta interpretuar qe mes tingujve muzikore te na thoshte mos u dorezoni, rruget shkojne andej nga shkojne kenget, pergjate ujendaresve dhe drejt liqeneve nga qyteti ne qytet, sepse nuk mund te mos shkojne rruget atje ku mbijne lulet.
Te nderuar pjesmarres !
Bashkia Rreshen ka nderin te provoje sot se boshllekun qe le politika, e mbush menjehere arti, dhe poeti Gjok BECI eshte njeri nder ata qytetare qe e ben me te njohur vendlindjen udheve te poezise, kenges, fjales drejt shqiptarise se kulluar !
Ngjashmerisht, mjeshtri i këngës mirditore, Mark Gjoka, ish-shefi i muzikës pranë ketij Pallati Kulture, vazhdon te jete bashke me poetin per te ruajtur dhe pasuruar fondit e artë të këngës mirditore dhe asaj mbarëshqiptare.
Per te gjitha keto me lejoni te percjelle kete falenderim prej zemre, kete falenderim qe u shkon familjeve te tyre miqve dhe te afermeve kudo jane, bashkëudhtareve dhe bashkoheseve te tyre.
Faleminderit !
Gjon DEDAJ
Rreshen me 30 – 07-2009
Përgatiti: Aleksandër Ndoja
Leave a Reply