Lajmi i largimit nga kjo jetë i mjeshtres së këngës shqiptare, “Artiste e Popullit” , “Artiste e Merituar”, “Nderi i Kombit”, të madhes Vaçe Zela, u mësua me hidhërim nga të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Atdhe, ku iu bënë edhe nderime të mëdha, por në të gjithë botën ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët. U ndie thellë vdekja e saj edhe në Filadelfia ndër emigrantët shqiptarë të vendosur në këtë qytet.
Për të shprehur respektin ndaj kësaj këngëtare, Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, organizoi një mbasdite përkujtimore, ditën e Dielë, më 9 Shkurt 2014.

Ishte veprimtaria e parë për këtë vit, që organizoi kjo shoqatë, mbas kujdesit që tregoi për rifillimin e mësimeve, mbas pushimeve dimërore, në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”.
Megjithë kohën e pamjaftushme në lajmërimin e bashkatdhetarëve, anëtarë dhe jo anëtarë të shoqatës, sidhe motin e keq të kësaj të diele, në Qendrën Kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, u mblodhën bashkatdhetarët për të nderuar Vaçen tonë të papërsëritshme.
“Njerëz si Vaçja lindin shumë rallë”, tha një nga pjesëmarësit në veprimtari. Kurse një tjetër u shpreh: “Ndër shqiptarët mund të ketë të tillë që mund të mos njohin Presidentin apo Kryeministrin, por nuk besoj se do të ketë shqiptar që të mos dijë kush ishte Vaçe Zela, të mos ketë dëgjuar, qoftë edhe një herë, Vaçe Zelën duke kënduar.

Në krye të sallës një tavolinë e mbuluar me cohë të kuqe, fotografia e Vaçes në krahë të Flamurit tonë Kombëtar, dhe anash saj dy vazo me lule shumëngjyrëshe, tregonin për respektin dhe mirënjohjen që i bëjnë shqiptarët e Filadelfias këngëtares sonë të shquar, që me zërin e saj korri duartrokitjet jo vetën të spektatorëve shqiptarë, por edhe atyre të të gjitha vendeve të botës ku ajo buçiste me vokalin e saj.
Veprimtaria filloi me disa çaste heshtje në kujtim të Vaçe Zelës, pa harruar këtu edhe nderimin për violinistin e shquar Ibrahim Madhi, që u nda nga jeta pak kohë më parë.
Pastaj në sallë buçiti zëri i Vaçes në këngën “Valsi i lumturisë”. Në përfundim të këngë duartrokitje, ashtu si duartrokisnim gjithmonë kur e shikonim dhe e dëgjonim Atë live në skenë. Në fytyrat e pjesëmarrësve vrehej trishtimi por nuk munguan edhe lotët. Ishin lotë hidhërimi që kanë shoqëruar këto ditë Vaçen tonë që shkoi në amëshim.

Në vazhdim z. Sadik Elshani, kryetar i shoqatës, mbajti materialin me titull “Vaçe Zela – Ylli që nuk shuhet kurrë”, ku bëhej fjalë për jetën dhe veprimtarinë e Vaçe Zelës, lindur në Lushnje, rritur në Tiranë dhe vdekur në Bazel të Zvicrës, por që amaneti i saj, për t’u prehur në tokën ku u lind dhe u rrit, u plotësua.
Midis të tjerave z. Sadik përmendi: “….Ja kështu do të kujtohet Vaçe Zela. Me këngët e saj gjithmonë do të jetë në mesin tonë. Edit Piafi ynë u nda nga kjo botë, për t’u ngritur në qiellin e Përjetësisë, prej nga do të shndrisë si një yll që nuk do të shuhet kurrë….. Teksi i zgjedhur, muzika plot ritëm dhe e rrjedhshme, interpretimi me shpirt dhe pasion – këto janë këngët e Vaçe Zelës, janë këngët e vendit tonë, janë këngët e shpirtit tonë”. Ai e përfundoi me fjalët: “……Vaçe Zela, kjo zonjë e rëndë e muzikës sonë, u prehtë e qetë në tokën Shqiptare, në zemrat e shqiptarëve. Gjithmonë në zemrat tona”.
Mbasandej përsëri këngët e Vaçes dhe më pas iu la radha pjesëmarrësve për të sjellë kujtime nga takimet me Vaçen.

Llazar Vero, që ka patur fatin ta takojë disa herë këngëtaren tone, solli kujtime nga këto takime. “Sa herë e kam takuar Vaçen, në çastet kur ajo priste të dilte në skenë para spektatorëve, e shikoja atë shumë të emocionuar si të ishte hera e parë që ajo dilte të këndonte në skenë, por kur fillonte të këndonte, Ajo hynte shpirtërisht në botën e këngës dhe emocionet i largoheshin….” tha midis të tjerave Llazari.
Vlashi Fili, që e mori fjalën më pas, solli kujtimet e tij të fëmijërisë kur ka takuar për herë të parë dhe të vetme Vaçen, këngëtare të estradës së Lushnjes që kishte ardhur për shfaçje në Kuçovë, rreth viteve 1955 – 1956. “Atëherë, në ato vite, nuk kishte kamera dhe fatkeqësisht këtë takim e kam vetëm në memdjen dhe zemrën time”, shprehu keqardhjen Vlashi.

Bisedat e lira mbas veprimtarise për kënaqësinë që falte Vaçja me zërin e saj në këngët tona, kur zëri i saj i shoqërojë edhe aty në sale, në këngët e njëpasnjëshme, e mbyllën këtë mbasdite përkujtimore.
Vaçe, Ti nuk ke vdekur, Ti rron në zemrat tona e pavdekshme, sepse ti ke lënë zërin tënd që kumbon në këngët e panumurta. Shpirti Yt le të prehet i qetë në Parajsë.
Vasil Filipi
Filadelfia, 9 Shkurt 2014


Leave a Reply