Protesta e fundit nxori në sipërfaqe një dukuri që prej kohësh ekziston, Por që shpesh është mbuluar me fjalë të mëdha, patriotizmin verbal.
Në podiumet e protestave u shfaqën dhjetëra emigrantë, të prezantuar si zëra të Diasporës. ( pasi kështu ju pëlqen ta quajnë vehten) Folën për Shqipërinë, për atdheun, për nacionalizmin, për dashurinë ndaj vendit. Kritikuan qeverinë, sistemin dhe mënyrën se si po qeveriset vendi. Disa shkuan edhe më larg, duke vënë në diskutim zhvillime historike e politike që çuan në rrëzimin e diktaturës.
Fjalët janë të mëdha. Pretendimet edhe më të mëdha.
Por ajo që mungoi ishte pyetja më e thjeshtë: Çfarë jeni gati të bëni ju vetë?
Sepse patriotizmi nuk matet me decibelët e zërit në një mikrofon. Nuk matet me numrin e daljeve televizive, me postimet në rrjetet sociale Apo me fjalimet e shkruara në telefon.
Patriotizmi matet me përgjegjësinë. Dhe këtu fillon problemi.
Shumë prej atyre që flasin me zë të lartë për Shqipërinë prej vitesh jetojnë jashtë saj. Është e drejta e tyre. Emigrimi është një zgjedhje individuale dhe askush nuk mund të gjykohet thjesht pse ka kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit.
Por kur zgjedh të flasësh në emër të atdheut, të kërkosh ndryshimin e tij dhe t’u kërkosh të tjerëve sakrificë, Lind një pyetje legjitime:
A je gati të sakrifikosh edhe ti?
A je gati të kthehesh? A je gati të punosh këtu? A je gati të investosh këtu?
A je gati të rrezikosh diçka nga jeta jote e ndërtuar jashtë, Në mënyrë që të kontribuosh për vendin që thua se e do?
Sepse është shumë më e lehtë të kërkosh ndryshimin nga larg Sesa të jetosh me pasojat e atij ndryshimi.
Është e lehtë të vish për një protestë, të marrësh mikrofonin, të lexosh disa rreshta nga telefoni, të ngresh zërin, të bësh disa deklarata patriotike Dhe më pas të marrësh avionin për t’u kthyer atje ku ke ndërtuar jetën tënde.
Kjo nuk është domosdoshmërisht hipokrizi. Por, nëse shoqërohet me pretendimin se përfaqëson një popull apo një komunitet të tërë, Atëherë bëhet një problem serioz.
Sepse Diaspora nuk është një dekor politik. Ajo është pjesë e kombit shqiptar, me kontributin, historinë dhe peshën e saj. Por askush nuk mund të pretendojë të flasë në emër të gjithë emigrantve Vetëm sepse ka dalë para një mikrofoni.
Ashtu si askush që jeton në Shqipëri nuk mund të pretendojë të përfaqësojë të gjithë shqiptarët. Në fund, secili përfaqëson mbi të gjitha veten dhe përgjegjësinë e vet.
Shqipëria sot përballet me një prej problemeve më të mëdha të historisë së saj moderne: shpopullimin. Të rinjtë largohen. Familjet largohen. Fshatra dhe qytete boshatisen. Prona dhe toka mbeten pa njerëz. Një vend mund të ketë bukuri natyrore, pasuri, potencial ekonomik dhe histori, Por nëse nuk ka njerëz që jetojnë e ndërtojnë aty, E ardhmja e tij vihet në pikëpyetje.
Prandaj, përballë këtij realiteti, një pyetje duhet t’u bëhet veçanërisht atyre që flasin më fort për patriotizmin:
Nëse Shqipëria është vërtet atdheu juaj, Kur do të ktheheni?
Jo për një fundjavë. Jo për një protestë. Jo për një intervistë televizive. Por për të jetuar. Për të punuar. Për të investuar. Për të rritur fëmijët. Për të ndërtuar.
Sepse një Shqipëri që boshatiset nuk mbrohet vetëm me fjalime.
Dhe këtu qëndron paradoksi i madh Ata që mbeten në Shqipëri shpesh u kërkohet të luftojnë, Të protestojnë, të sakrifikojnë, Të përballen me vështirësitë e përditshme Dhe të ndryshojnë sistemin. Ndërkohë, shumë prej atyre që jetojnë jashtë Japin këshilla nga distanca dhe presin që barrën e ndryshimit ta mbajnë të tjerët.
Kjo nuk është një thirrje kundër emigrantëve. Përkundrazi.
Është një thirrje që emigranti të mos trajtohet vetëm si votë, Si turmë proteste apo si zë televiziv. Shqipëria ka nevojë për dijen, kapitalin, eksperiencën dhe energjinë e njerëzve të saj jashtë vendit.
Por kontributi nuk është i njëjtë me deklaratën. Fjala mund të ndezë një turmë. Vetëm veprimi mund të ndryshojë një vend.
Prandaj, për ata që dalin në podium dhe flasin për patriotizëm, Pyetja nuk duhet të jetë sa bukur e lexuan fjalimin.
Pyetja duhet të jetë Çfarë do të bëjnë pasi të zbresin nga podiumi?
Nëse pas mikrofonit vjen avioni, Pas fjalimit vjen largimi Dhe pas deklaratës vjen rikthimi në jetën e sigurt jashtë Shqipërisë, Atëherë kemi të drejtë të pyesim nëse kemi parë patriotizëm apo thjesht një performancë patriotike.
Shqipëria nuk ka nevojë për patriotë me orar. Nuk ka nevojë për nacionalistë që shfaqen vetëm kur ka kamera. Nuk ka nevojë për njerëz që e duan Shqipërinë vetëm si ide Si kujtim fëmijërie apo si sfond për një fjalim. Shqipëria Ka nevojë për njerëz që ta bëjnë Shqipërinë vend ku ia vlen të jetosh.
Sot jemi përpara një udhëkryqi. Përballë shpopullimit, secili duhet të zgjedhë mënyrën e vet të kontributit. Dikush mund të kthehet. Dikush mund të investojë. Dikush mund të krijojë vende pune. Dikush mund të sjellë dijen dhe eksperiencën e fituar jashtë. Dikush mund të ndihmojë komunitetin e tij. Por një gjë është e sigurt Shqipëria nuk do të shpëtohet nga fjalimet.
Dhe patriotizmi që mbaron sapo fiket mikrofoni, Nuk është ai patriotizëm që i duhet një vendi që po përballet me boshatisjen. Koha e fjalëve të mëdha ka kaluar. Ashtu siç nuk kanë vlerë patriotizmet në rrjetet sociale Tani duhet të flasi veprimi. Pasi veprimi flet më shumë se fjala.
Kujdes spiunët
Burimi/Facebook


Leave a Reply