Në mbledhjen e dy ditëve më parë të Këshillit Bashkiak të Vlorës, qytetarët u përballën me një precedent të rrezikshëm, i cili bie ndesh me interesat e tyre.
Këshilli Bashkiak i Vlorës, edhe kësaj radhe, u kthye në një noter të rëndomtë të plotësimit të tekave të sektit Rama. Në një absurditet maksimal, Këshilli Bashkiak i Vlorës, me anë të votave të kartonëve socialistë, miratoi projektvendimin për dakordësimin e shkrirjes së Bashkisë Selenicë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Vlorë, sipas hartës së re territoriale dhe administrative të propozuar nga sekti Rama, e cila parashikon 46 bashki.
Harta e re territoriale dhe administrative e propozuar nga sekti Rama është kundërshtuar nga të gjitha lokalitetet, bashkitë, qytetarët dhe institucionet vendore të bashkive që preken nga shkrirja. Banorët e Selenicës, qytetarët e saj, Këshilli Bashkiak i kësaj bashkie dhe instancat e tjera vendore janë shprehur kundër shkrirjes së Bashkisë Selenicë dhe bashkimit të saj me Vlorën.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Vlorës, në mënyrë paradoksale, e prezanton rëndësinë e miratimit të kësaj reforme si një domosdoshmëri të ardhur nga konsultimet publike në Vlorë ( konsultime të cilat, për rastin konkret, nuk janë bërë dhe as nuk ka kuptim të bëhen në Bashkinë Vlorë, në një kohë kur kjo bashki nuk cenohet nga asnjë element i reformës në fjalë). Përkundrazi, janë vetë lokalitetet dhe njësitë e saj administrative ato që dëmtohen, ndërsa kërkesat e tyre për rishikimin e statusit administrativ dhe territorial nuk janë marrë parasysh nga antireforma e sektit Rama për t’i kthyer ato në bashki.
Këshilli Bashkiak i Vlorës, i cili miratoi bashkimin me Selenicën dhe, praktikisht, shkrirjen e saj, merr përsipër të japë opinione dhe të vendosë për fatin e banorëve të fshatrave dhe njësive administrative të Bashkisë Selenicë. Kjo është e pafalshme.
Përmes kthimit të Këshillit Bashkiak të Vlorës në një noter të rëndomtë, sekti Rama kërkon të kamuflojë kundërshtimin që banorët i kanë bërë kësaj antireforme. Mosmarrja parasysh e konsultimeve reale publike, siç është rasti i opinioneve të shprehura nga banorët e Selenicës dhe nga Këshilli Bashkiak i saj, si dhe falsiteti i konsultimeve publike me banorët e Vlorës, të cilat në këtë rast nuk kanë asnjë lidhje me situatën në fjalë, përbëjnë një shkelje të rëndë kushtetuese.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 108, pika 2, përcakton qartë se kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Po i njëjti nen parashikon se vetëqeverisja vendore ushtrohet përmes organeve përfaqësuese dhe referendumeve vendore.
Po kështu, kjo praktikë bie në kundërshtim të hapur me nenin 5 të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, i cili përcakton se ndryshimet e kufijve të autoriteteve vendore nuk duhet të bëhen pa konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura. Raporti shpjegues i Kartës e konsideron ndryshimin e kufijve dhe, veçanërisht, bashkimin e autoriteteve vendore, një çështje me rëndësi themelore për autoritetin vendor dhe qytetarët të cilëve ai u shërben.
Në këtë rast kemi të bëjmë me një precedent të rëndë juridik dhe institucional, në shkelje të hapur të parimeve kushtetuese, ku:
1.Këshilli Bashkiak i qytetit pritës, Bashkisë Vlorë, po merr një vendim që, në thelb, përcakton fatin territorial të një komuniteti tjetër, konkretisht të Bashkisë Selenicë.
2.Votimi i këshilltarëve të Bashkisë Vlorë po zëvendëson vullnetin e banorëve të Selenicës, të cilët janë shprehur kundër shkrirjes së bashkisë së tyre.
3.Nuk dëgjohen banorët e njësive të tjera, si Orikumi dhe Novosela, të cilët kërkojnë rishikimin e statusit të tyre administrativ dhe territorial dhe që kanë të drejtë të dëgjohen, dhe për të cilën kanë më shumë se 4 vjet që kanë dalë me një propozim konkret, propozim i ardhur nga vet banorët e këtyre zonave/njësive.
Në respekt ndaj qytetarëve të këtij vendi, në respekt të parimeve kushtetuese dhe atyre evropiane, ky është momenti kur qytetarët duhet të dëgjohen dhe duhet të jenë në thelb të kësaj reforme.
Qytetarët duhet të jenë arkitektët e vërtetë të reformës administrative dhe territoriale, të statusit administrativ që meritojnë dhe të statusit që kërkojnë të kenë. Në themel të çdo reforme territoriale nuk duhet të qëndrojë interesi politik i pushtetit, siç sekti Rama kërkon ta bëjë, një strukturim të mirëfilltë elektoral, por qytetari, banorët e të gjitha zonave, krahinave e komuniteteve që preken, si një e drejtë kushtetuese e tyre.
Burimi/Facebook


Leave a Reply