Zyrtarë të EULEX-it thanë se politikani lokal serb, është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në krime lufte dhe krime pas luftës në Kosovë.
Në Kosovë, zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, thanë se politikani lokal serb në veriun e Mitrovicës, Oliver Ivanoviç është arrestuar.
Në një komunikatë për medie të këtij misioni, thuhet se, Oliver Ivanoviç është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria e posaçme dhe përfaqësuesit ligjor të Oliver Ivanoviçit.
“Prokurori pastaj ka zhvilluar një intervistë me Oliver Ivanoviçin, si i dyshuar në një hetim për krime të luftës, së bashku me akuzat për vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit. Intervista ka përfunduar dhe prokurori ka ekzekutuar urdhrin për arrestim, dhe është duke kërkuar nga gjykata që të marrin në konsideratë kërkesën për paraburgim”, thuhet në njoftim.
Nuk janë dhënë hollësi për dyshimet që bien mbi zotin Ivanoviç, por, mediet lokale thanë se ato mund të kenë të bëjnë edhe me ngjarjet e shkurtit të vitit 2000, kur dhjetë shqiptarë kishin humbur jetën gjatë trazirave në veriun e Mitrovicës.
Më herët gjatë ditës, nisma qytetare SDP, që drejtohet nga Oliver Ivanoviç, tha se “thirrja për t’u paraqitur në prokurori ka prapavijë politike, për të krijuar një baraspeshë me arrestimet në radhët e komunitetit shqiptar. Padyshim se kjo synon edhe shkaktimin e frikës dhe jostabilitetit tek komuniteti serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj nisme.
Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikw që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas, ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës. Ai ka paralajmëruar mundësinë që sërish të kandidohet për këtë post në zgjedhjet për kryetar të kësaj komunë që do të mbahen më 23 shkurt, meqë kryetari i zgjedhur në votimet e dhjetorit të vitit që lamë pas, Kërstimir Pantiç, dështoi të japë betimin duke kundërshtuar që t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës.
Përfshirja e komunave veriore në zgjedhjet e organizuara nga Prishtina u bë e mundur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur ne prill të vitit të kaluar ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët po takohen sonte në Bruksel, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në takim do të diskutohen aspekte të marrëveshjes që kanë të bëjnë me gjykatat në veri, çështjet e telekomunikacionit, energjisë si dhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Tash për tash është e paqartë se si do të vazhdojnë bisedimet, meqë Kosova këtë vit pritet të mbaje zgjedhjet parlamentare, ndërsa edhe Serbia pritet të shkojë shpejt në zgjedhje të parakohshme. Partitë në pushtet në Serbi janë pajtuar dhe i kanë propozuar presidentit serb, që të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e reja, më 16 mars.
Zeri i Amerikes
Leave a Reply