
Studentët e huaj janë nga çdo aspekt një fitim për Gjermaninë. Këtë e tregon edhe një studim i ri. Studentët pasurojnë shoqërinë gjermane jo vetëm me kulturën e tyre. Ata forcojnë edhe ekonominë.
Gjithnjë e më shumë të rinj vijnë për studime në Gjermani. Rreth 250.000 studentë të huaj janë të regjistruar tashmë në universitetet gjermane. Edhe pse është e qartë se studentët nga jashtë janë të mirëpritur, universitetet ankohen për kostot që sjell me vete internacionalizimi. Një studim i ri i Shërbimit Gjerman për Shkëmbime Akademike (DAAD) ka përfocuar tani dobinë makroekonomike të mobilitetit të të rinjve. Koordinator i studimit ishte Siegbert Wuttig, i cili është përgjegjës pranë DAAD për bashkëpunimin ndëruniversitar.
DW: Z. Wuttig, në studimin tuaj ju dëshmoni se studentët e huaj janë një fitim për Gjermaninë edhe në aspektin ekonomik. Ka pasur dyshime për këtë?
Në foto, Siegbert Wuttig
Siegbert Wuttig: Në kohërat kur shihet me kujdes çdo qindarkë, veçanërisht kur është fjala për para të taksapaguesve, duhet argumentuar se për çfarë përdoren këto para. Në temën e mobilitetit kemi shumë dëshmi se çfarë sjell ajo për studentët dhe shkollat e larta, pikërisht shanse më të mira për karrierë për studentët dhe më shumë shkëmbim ndërkombëtar në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit. Veç kësaj studentët më vonë kthehen në miq dhe ambasadorë për Gjermaninë në vendet të tjera. Sa i përket dobisë makroekonomike të mobilitetit deri tani nuk ka pasur asnjë studim të këtij lloji në Gjermani. Vende të tjera si p.sh. në hapësirën anglo-amerikane si dhe holandezët dhe danezët, e kanë dëshmuar këtë dobi për shtetet e tyre në studime përkatëse.
Përllogaritjet tuaja bazohen në shpenzimet për konsum të studentëve të huaj, që kapin shifrën e 1,5 miliardë eurove. Këto shpenzime krahasuar me Holandën, Austrinë, Poloninë, Zvicrën dhe Spanjën janë më të lartat. Përse është kështu?
Kjo ka të bëjë me numrin e përgjithshëm të studentëve që vijnë çdo vit në Gjermani. Kur ke 160.000 studentë të huaj që vijnë në Gjermani dhe kanë të gjithë shpenzime për qera, ushqim, veshje apo libra, atëherë shuma është natyrisht më e madhe se në një vend si Polonia apo Austria ku shkojnë dukshëm më pak studentë të huaj. Pra nuk është mesatarja e shpenzimeve për student më e lartë, por masa e studentëve të huaj, që shpenzojnë në Gjermani.
Kur del llogaria juaj kosto-dobi? A duhet të qendrojnë në Gjermani më gjatë studentët e huaj dhe të punojnë këtu?
Për studimin tonë ne kemi marrë parasysh vetëm studentë, të cilët e kryejnë gjithë studimin në Gjermani. Ne mundëm të tregonim se tek ata shfaqen edhe efekte afatshkurtra. Këto janë shpenzimet për konsum prej 1,5 miliardë eurosh në vit. Veç kësaj ata derdhin edhe rreth 400 milionë euro taksa në arkat e fiskut, ose rreth 2500 euro për student. Efekte të tjera në makroekonomi janë për shembull ato në punësim si rrjedhojë e konsumit, pasi mallrat që blihen apo shërbimet duhet të prodhohen dhe ofrohen dhe kjo i përgjigjet rreth 22.000 vendeve të punës.
Por ka edhe efekte afatgjata, kur studentët pas përfundimit të studimeve qëndrojnë në Gjermani, paguajnë këtu taksa dhe kanë shpenzime konsumi. Nëse këto kosto i krahasojmë me vënien në dispozicion të vendeve të studimit, arrijmë në rezultatin se kostot armotizohen kur 30 për qind e atyre që përfundojnë studimet qëndrojnë të paktën pesë vjet në Gjermani.
Por a ndodh kështu?
Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik në Evropë (OECD), pas përfundimit të studimeve në Gjermani qëndrojnë rreth 26 për qind e studentëve të huaj. Instituti e Ekonomisë gjermane flet për 40 për qind. Pra ne jemi në mes me një mesatare prej 30 për qind dhe kjo është një vlerë e sigurt.
Ndërkohë Gjermania është pas SHBA dhe Britanisë së Madhe vendi më i preferuar në botë për studentët e huaj. Dhe politika dëshiron që kjo tendencë të vazhdojë. Nga ana tjetër këtë vit do të shkurtohen shumë bursat për studentët e huaj, gjë për të cilën DAAD ka protestuar fuqishëm. Çfarë prisni ju tani nga politika?
Studimi ynë tregon fare qartë se ia vlen të investosh në mobilitetin e studentëve dhe jo vetëm në atë të studentëve gjermanë, që shkojnë jashtë por edhe anasjelltas. Ky është një argument për politikën për të reflektuar nëse duhet të investojë më shumë para në këtë mobilitet të të huajve. Vitin e kaluar qeveria federale dhe landet gjermane kishin si objektiv rritjen me një të tretën të numrit të të huajve që studiojnë dhe qëndrojnë në Gjermani. Studimi ynë sjell tani vërtet dëshminë se kjo nuk është me përfitim vetëm për studentët dhe shkollat e larta por edhe gjithë shoqërinë gjermane.
Autor – Sabine Damaschke / Eliana Xhani
http://www.dw.de


Leave a Reply