Plasaritja e buzëve është një shqetësim jo vetëm estetik i stinës së dimrit dhe që prek shumë persona. Ne menduam t’ju tregojmë disa këshilla për buzë të buta e të bukura
Pavarësisht joestetike, buzët e plasaritura mund të gjenerojnë bezdisje dhe madje në rastet më ekstreme edhe dhimbje. Shkaqet mund të jenë vërtet të shumëfishta. Në fakt ekzistojnë patologji që si simptomë të parë (të pasuara nga të tjera) kanë pikërisht plasaritjen e buzëve. Këto janë raste ekstreme, por nëse buzët tuaja vazhdojnë të jenë të plasaritura, pavarësisht nga çdo gjë që ju po bëni për t’i trajtuar ato, këshilla është që të shkoni te një specialist.
Shkaqet dhe sjelljet jo të duhura
Shkaqet më të zakonshme të plasaritjeve të buzëve vijnë nga dehidratimi dhe i ftohti, lëpirja e vazhdueshme me gjuhë e buzëve, pirja e duhanit dhe mungesa e vitaminave. Por le të ndalemi në situatën e problemit tonë, duke bërë të qartë sjelljet jo të duhura për buzët e plasaritura:
– Konsumi i vazhdueshëm i cigareve dhe i alkoolit
– Kalimi, edhe pse pa dashje, i gjuhës mbi buzët e thata apo edhe të plasaritura. Kështu ju rrezikoni ta përkeqësoni situatën.
– Heqja e lëkurës së thatë, e dalë në sipërfaqe të buzëve.
Si t’i zbusni
Ilaçet e zakonshme popullore janë pothuajse gjithmonë më të mirat për këtë problem. Kështu që aplikimi mbi buzë i vajrave të tillë si ai i ullirit, jojobas ose i susamit etj., do t’ju ndihmojë që t’i zbusni ato.
Skrabi (pastruesi)
Një ilaç i mirë është skrabi me sheqer. Në një filxhan kafeje ku keni hedhur dy lugë gjelle ujë, shtoni edhe sheqer deri sa të shihni me sy që masa të bëhet e trashë. Më pas aplikojeni mbi buzë me lëvizje rrethore për 5-10 minuta dhe plasaritja e buzëve do të zhduket. Por kësaj përzierje mund t’i shtoni edhe një gjysmë luge mjaltë. Në treg gjejmë padyshim shumë produkte për këtë problem.
Balsami i buzëve
Kujdesi për buzët e plasaritura duhet të nisë në mbrëmje. Pas pastrimit të fytyrës, nevojitet aplikimi i një shtrese të trashë të një balsami buzësh emolient. Nëse kjo masë merret çdo mbrëmje si pjesë e kujdesit rutinë të natës, efektet janë të jashtëzakonshme. Gjatë ditës kujdesi duhet të përfshijë një balsam buzësh me faktor mbrojtës kundër diellit SPF 15 dhe përbërës që ofrojnë mbrojtje kundër rrezeve UVA (avobenzone, dioksid titani ose oksid zinku). Një i kuq buzësh jo transparent mund të kompensojë deri diku faktorin mbrojtës, por jo plotësisht. Madje, femrat që përdorin të kuq buzësh disa herë në ditë manifestojnë një shkallë më të ulët të prekjes nga kanceri i buzëve në krahasim me femrat që përdorin të kuq buzësh më rrallë. Kjo tregon efektin mbrojtës kundër diellit të të kuqit të buzëve.
Produktet mbrojtëse për buzët
Disa produkte kujdesi për buzët kanë në përbërje kamfor, pepermint ose ekualiptol. Secili prej këtyre përbërësve bën pikërisht të kundërtën e asaj që ka nevojë buza e plasaritur – e irriton më tej lëkurën e buzës, madje mund të shkaktojnë edhe një ndjesi djegie në të. Produktet që kanë fenol në përqindje rreth 0.5% bëjnë përjashtim midis produkteve të promovuara si “mjekësore”, pasi ai ka efekt në eliminimin e baktereve dhe mikrobeve të tjera. Për trajtime afatshkurtra, produktet me përmbajtje fenoli mund të rekomandohen duke bërë kujdes, pasi shoqërohen me efekte irrituese dhe tharje.
Faktorët
Ndjeshmëria e buzëve ndaj kushteve të mjedisit i detyrohet faktit se ato janë e vetmja pjesë e lëkurës së fytyrës pa gjëndra yndyrore. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që buzët të mbahen të lagura dhe të mbrojtura nga kushtet agresive të mjedisit. Ka shumë produkte emoliente për buzët dhe sa më emoliente të jenë ato, aq më efikas është veprimi i tyre.
Gazeta Shqip




Leave a Reply