
Dr. Hysni Hoxha
Faik Konica, të cilin Fan S. Noli e konsideron rizbuluesin e Flamurit të Skënderbeut, në shënimin: “Flamuri kombëtar i shqiptarëve” (Albania”, 15, shtator, 1901), ndër të tjera shkruan: “Ngjyra kombëtare jona është e kuqja dhe e zeza; këto ngjyra të vëna bashkë janë shenji kombëtar i shqiptarëve”.
Simbolika e ngjyrave të flamurit tonë kombëtar: e kuqja dhe e zeza strukturohen shpeshherë në krijimtarinë tonë poetike. Flamuri, që në krijimet e para, si frymëzim poetik, evokohet si simbol i shenjtë kombëtar, si në vjershën e Zef Skiroit: “ Flamuri i arbërit”.
Fluturo te i rimti qiell,
Shejti flamur lyer me gjak;
Fan S. Noli në vjershën e njohur: “Shpell’ e Dragobisë” krijoi një figurë të re simbolike: Bajram Curri, trim i historisë sonë kombëtare, që u flijua për atdhe , në imagjinatën e Nolit është bajrak, flamur i gjallë, qenie e gjallë e mrekullueshme, që simbolizon heroizmin kombëtar në luftë kundër pushtuesve barbarë të trojeve tona etnike.
Hilë Mosi, poeti, atdhetari ynë i shquar, një ndër udhëheqësit e Kryengritjes së Malësisë, në vjershën “Flamuri” këndon:
Me gjak ti shqipe je mësuar
Të kuqen ngjyrë prandaj e do…
Në vëllimin “Komkursi për hymnin e flamurit” nr. 2, (Tiranë, 1937), ku janë publikuar tekstet e konkursit për një himn të ri kombëtar, që u shpall me pëlqimin e Këshillit Ministror të Shqipërisë, – ngjyra e kuqe, në 16 vjersha të zhanrit të himnit, si në vjershat e përmendura, është simbol i sakrificës, flijimit për idealin më të lartë kombëtar – çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë.

Me gjak e ngjyem flamurin ndër beteja
Kur shkrepëtiu dhe gjëmoi rrufeja…
(vjersha 28, me pesudonim I riu plak)
“Prej Prokupje deri në Nish”, që e këndon rapsodi dhe atdhetari ynë, Dervish Shaqa, është këngë, thirrje e gjakut të etnisë sonë, është gjëmë kundër forcave barbare të Serbisë. Prej fundit të vitit 1877 dhe fillimit të vitit 1878, pushteti barbar i Serbisë, me terror të organizuar, vetëm gjatë tri ditëve dëboi me dhunë 700 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit! Në duart e barbarëve të Serbisë ra Nishi, ra Piroti, Pllana, Toplica, Prokupja, Vranja! Ranë edhe qytete dhe vise të tjera të stërgjyshërve tanë. Rapsodi ynë Dervish Shaqa i shqetësuar thellë këndon:
Hajde, hajde Zeqir Llausha
Tre llogore me gjak i mbushe
Ço’ Zeqir Bajrakun!
-S’mund po e luej prej gjakut.
Në këtë këngë rrëqethëse është krijuar imazhi më tragjik, më tronditës që evokon flamuri ynë kombëtar i skuqur, i shenjtëruar dhe i rënduar nga gjaku i derdhur i trimave tanë që u flijuan në mbrojtje të trojeve tona.
Flijimi heroik i paparë për mbrojtjen e flamurit kuq e zi
Sipas rrëfimeve dyzet e katër dhe dyzet e pesë të dr. Bardhosh Gaçes: “Flamuri dhe Ismail Qemali në këngë dhe rrëfime popullore”, flijimi më i madh për flamurin tonë kombëtar të shenjtëruar me gjakun e qenies sonë, është bërë më 6 prill 1911 në Deçiq. Shtatë malësorë trima, të Malësisë së Madhe u nisën drejt fshatit Bratilë të Deçiqit për të hequr flamurin gjysmë hëne dhe në vend të tij të vendosnin flamurin tonë kombëtar. Gjatë aksionit luftarak kundër tre taborëve të osmanlinjve, që ruanin flamurin e Perandorisë Osmane, shtatë malësorë trima flijoheshin njëri pas tjetrit. Binin si trima për flamur. Flamuri nuk binte, por shkonte prej dore në dorë të trimave tanë. Pas rënies së trimit, Marash Ucit, prej tyre vetëm Prelë Gjoka arriti në Bratilë, i cili hoqi flamurin e armikut dhe vendosi flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrerëshe. Mirëpo, nga plumbat e armikut u flijua për këtë simbol të shenjtëruar.
Në këngën “Jam shqiptar e nuk ul flamur”, rapsodi ynë popullor, është frymëzuar nga qëndresa dhe heroizmi i rrallë i trimit kosovar, Kamer Loshit, i cili ka qenë luftëtar i vjetër i Çetës së Azem Galicës. Kamer Loshi nuk u përkul para naçelnikut serb, i cili e urdhëroi ta hiqte flamurin kuq e zi nga shtëpia ku zhvillohej ceremonia e dasmës. Kamer Loshi, i rrethuar në shtëpinë e tij nga ushtria e krajlit të Serbisë në fshatin Padalishtë të Burimit, deri në fund të frymës së tij luftoi kundër armikut, që ia vuri zjarrin shtëpisë. Me shtatë plagë digjet ky trim në flakën që e mbuloi shtëpinë e tij. Nuk lejoi që të rrëmbehet flamuri kombëtar në ceremoninë e dasmës. Nuk lejoi as të shkelet pragu i shtëpisë nga këmba e pushtuesve serbë. Nga pushka e Kamer trimit mbetën të vrarë dhjetra ushtarë të Serbisë mbretërore.
Kombi shqiptar meriton të ketë himnin e vet origjinal
Çështja e himnit tonë kombëtar,e trajtuar që heret, sipas mendimit tim,edhe sot mbetet e diskutueshme dhe e pazgjidhur. Ministria e Arsimit e Shqipërisë me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 523, më l922 shpalli konkurs për hartimin e një himni të ri kombëtar. Anëtarët e e komisionit për vlerësimit e teksteve të këtij konkursi ishin krijuesit dhe atdhetarët tanë të devotshëm: Mid-hat Frashëri,Fan. S. Noli,Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta,dhe Mehdi Frashëri. Konkursi, sipas komisionit vlerësues, dështoi për shkak se tekstet e arritura nuk i plotësuan kriteret për një himn të mirëfilltë kombëtar. Prej dymbëdhjetë vjershave të arritura në konkurs, komisioni propozoi për botim vjershën e Ernest Koliqit dhe atë të Kristo Floqit “për inkurajim të autorëve të tyre” .
Shumë më vonë,në vitin l937 ndërmerret veprimtaria më serioze për ndërrimin e himnit me një synim të caktuar që 25- Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë të kremtohet solemnisht me një himn të ri kombëtar. Komisioni ka qenë i përbërë prej emrave të shkëlqyeshëm të kombit tonë: Parasqevi Kyrias,kryetare me anëtarë: Mati Logareci,Sotir Papahristo, Ekrem Vlora, Karl Gurakuqi, Teki Selenica dhe Zoi xoxa. Ky komision, pas shumë bisedimesh, për vlersëmin e teksteve të konkursit, zgjodhi Komisionin Gjykues të përbërë prej tre vetash:At Gjergj Fishta, Konstantin ( Kostaq) Cipo dhe Mid-hat Frashëri, i cili sipas deklarat së tij me shkrim, nuk mori pjesë për shkaqe materiale. Mirëpo, pas një veprimtarie të tillë dhe të gjatë, ndodhi një veprim i papritur dhe i mbrapsht: komisioni muzikën ia besoi një të huaji: kompozitorit italian: E. A. Mario,i cili kompozoi tekstin e autorit Beqir Çela, që fitoi në konkurs. Etnomuzikologu ynë i madh, profesor Ramadan Sokoli në studimin “Gjeneza e flamurit dhe himnit tonë kombëtar” ku shfaq mendimin për një him të ri origjinal, vë në pah, me të drejtë, dobësitë e këtij konkursi, për të cilat reagoi shtypi si dhe disa revista të asaj kohe. Siç vërehet nga ky studim, kundër himnit tonë të huazuar ka pasur reagime edhe para komisionit të vitit l937. Të tilla kanë qenë mendimet e shfaqura në fletoren “Besa”(ll korrik, l932).ku paraqitet nevoja për një himn të ri kombëtar me melodi thjesht shqiptare. Kundër himnit të huazuar është reaguar edhe në revistën e njohur “Hylli Dritës“ . Shoqata “Miqt e Shkodrës” në Shkodër, ka qenë po ashtu kundër himnit ekzistues.
Në konkursin e tretë (l945-l946) realizimi më i mirë poetik është zgjedhur teksti i Skënder Lurasit: “Himni i Shqipërisë së re” me muzikë të Kristo Konos. Nga konkursi i katërt më l976 janë zgjedhur dy himne: I pari është ai i Çesk Zadesë,ndërsa i dyti i Nikolla Zariqit me tekst të poetit Fatos Arapi: ”E lirë u ngrit toka jonë”. Në atë kohë të diktaturës së regjimit totalitar në Shqipëri as që pritej të ndërmerrej ndonjë nismë e drejtë dhe serioze kur çdo gjë kontrollohej nga pushteti.
Shumë më vonë , pas rënies së sistemit totalitar,sipas dispozitave ligjore të vitit l99l,himni i sotëm u pranua si himn kombëtar. Por edhe një vit më vonë , më l992, nuk ndodhi asnjë ndryshim. Komisioni i simboleve pranë Kuvendit Popullor të Shqipërisë, shpalli debat të gjerë, i cili nuk pati sukses. Nga kjo nismë e dështuar doli në shesh një propozim për një himn të ri me tekst të Luigj Temalit dhe me muzikë të Ferdinant Lleshit. Në këtë rast nuk pati mendime, të dispozituara në Kuvendin Populllor që himni të mbetet i pandryshuar.
Lasgus Poradeci në studimin e tij: “Himni kombëtar ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ dhe gjenezae tij” konstaton me të drejtë se himni ynë është përkthim, adaptim, krijim. Siç vërehet në këtë studim edhe vet Asdreni e pranon origjinalin e tekstit: “Mi flamurin tonë” të poetit rumun:Ioan Barsan, ku, ndërtë tjera, thotë: “Unë e bëra vjershën që t’i shërbejë qëllimit atdhetar duke e përafruar me fjalët e origjinalit rumun në disa vargje të mia në frymë shqip tare”.
Gjatë krahasimit që kam bërë në punimin përkitazi me studimin e përmendur të Lasgushit, kam theksuar se përkthimi i himnit rumun nga Asdreni është përkthim i lirë dhe kreativ.Sukses më të madh ka arritur gjatë përkthimit dhe përshtatjes së strofës së katërt në të cilën poeti rumun shkruan:
Dhe në librin e përjetësisë shkruan
Se shumë kombe do humbasin,
Po Rumania jonë e shtrenjtë
Përjetë , përjetë do lulëzojë.
Ndërsa strfa e Asdrenit është kjo:
Se Zoti vet e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë ;
Për të përtë luftojmë ne!
Asdreni gjatë përshtatjes së vargjeve në mënyrë inventive në këtë strofë ka krijuar një shprehje poetike më të fuqishme se origjinali.
Unë ndjej një respekt të thellë ndaj krijuesve dhe atdhetarëve të devotshëm, anëtarëve të komisionit për Kremtimin e 25 Vjetorit të Vetëqeverimit të Shqipërisë më 28 Nëntor me një himn origjinal. Ata mbledhje pas mbledhjes, me një përkushtim të madh kombëtar, kanë vepruar që ta kryejnë këtë mision. Te ne në Kosovë, siç kam shkruar, për bërjen e simboleve shtetërore të shtetit të Kosovës, janë caktuar individë të grupeve politike, të cilët kanë vepruar sipas direktivave politike.
Në kohën tonë përveç entomuzikologut tonë, Ramadan Sokoli edhe krijues të tjerë të artit,janë për një himn të ri origjinal. Kompozitoriynë Feim Ibrahimi (1935 – 1977), pjesëmarrës në konkursin për “Himnin e Republikës” më 1976 ka qenë i mendimit që kombi ynë të ketë një himn të ri kombëtar.
Sabri Godo romansieri, demokrati dinjitoz, që nuk është më në mesin tonë, duke thënë se himni ynë është një huazim muzikor, deklaron: “Kjo na bën të mos ndjehemi tërësisht në terrenin tonë kur e këndojmë”. Mandej romansieri ynë shton: “disa breza shqiptarësh janë rritur me këtë himn, prandaj ndryshimi nuk mund të kalojë pa ndonjë parapërgatitje”. Në intervistën që kam zhvilluar me krijues, që është në librin “Simbolet Kombëtare”, kam pasur krijues të cilët kanë shprehur mendimin që himni, të cilin e kemi sot të ndërrohet me një himn me tekst dhe muzikë origjinale, sepse këtë që kemi sot nuk është origjinal, përveç poetit rumun, Ioan Barsa edhe kompozitori Ciprian Porumbesku është rumun.
Profesor Ramadan Sokoli me plot të drejt konstaton: “Shumë himne kombëtare janë kompozuar nga autorët të huaj”, por ai mandej shton se “shumë shtete zëvendësuan himnet e vjetëruara me himnet e reja. Më se të dobishme janë sot pikëpamjet e etnomuzikologut tonë, Ramadan Sokoli, i cili studimin “Gjeneza e flamurit dhe himnit tonë” e përfundon me këto fjalë: “ Urojmë që botimi i këtij shkrimi të shërbejë si nxitje për një himn të ri të kalitur në kudhrën e zjarrit e të përvojës sonë. Që të jetë zë kushtrimor i zemrës së popullit tonë e të përshkohet nga afshi i kësaj zemre të madhe, shkurt të jetë i gatuar me intonacione kombëtare që të prekë ndjenjat e dëgjuesve shqiptarë”.
Ne sot kemi krijues të nivelit evropian për krijimin e tekstit poetik dhe vijës melodike. Fjalën kryesore për krijimin e një himni të ri kombëtar duhet ta kenë krijuesit e artit muzikor dhe atij letrar, por me përkrahje dhe vendosmëri përkushtuese nga personalitetet e institucioneve qeveritare, para së gjithash të atyre të kulturës.
Marrë nga trajtesa që u paraqit në debatin, i cili u organizua në Biblotekën Kombëtare Universitare në Prishtinë, më 19.12.2012, lidhur me librin “Simbolet Kombëtare” të ketij autori.
Shih edhe Gjekë Gjonaj, VEPËR DINJITOZE ME VLERA KOMBËTARE, Koha Javore, viti X, nr 571, 20 qershor 2013:14-5.
Marre nga revista “Buzuku”


Leave a Reply