
Sa është lehtësuar kontakti me pornografinë sot për fëmijët tanë, si mundemi t’i mbajmë të miturit sa më larg saj, cilat janë rreziqet dhe pasojat që pornografia sjell, janë pyetje në të cilat përgjigjet për albinfo.ch z. Martin Boess, drejtor i SKPPSC-së (Schweizerische Kriminalprävention – Parandalimi i krimit zviceran).
Martin Boess : Këto dhjetë vjetët e fundit arritja te kontakti i shoqërisë sonë me pornografinë është bërë shumë më i lehtë se përpara. Nëse kanë pasur njerëzit para 20 vjetëve vështirësi për të rënë në kontakt me këtë lloj dukurie nëpërmes gazetave apo dyqaneve të specializuara (sex shops), sot kjo gjendet në internet falas. Sot interneti ofron pornografi të të gjitha llojeve, si dhe pornografi të ndaluar me ligj (pedofili, etj.).

Kodi Penal në Zvicër ua ndalon të gjitha format e kontaktit me pornografinë të miturve nën moshën 16 vjeç. Të rinjtë nuk duhet të influencohen nga seksualiteti i të moshuarve, por duhet ta zhvillojnë seksualitetin e tyre sipas moshës, në anonimat dhe të lirë. Pra, sipas ligjit, të miturit as nuk duhet parë imazhe pornografike, prandaj duhet bërë çmos për t’i mbrojtur dhe larguar nga këto.
Çfarë dhe si duhet vepruar? Z. Boess këshillon që ne si të rritur duhet të merremi sa më tepër me kontrollin e fëmijëve tanë ose personave të mitur për të cilët kujdesemi, duke mos lënë në shtëpi çfarëdo lloj gazete, video kasete apo DVD-je me përmbajtje pornografike. Po ashtu duhet kontrolluar punën e fëmijëve në internet, duke parë historikun e webfaqeve të shikuara. Është po ashtu e rëndësishme të flasim haptas me të miturit për të cilët kujdesemi, duke ua treguar rreziqet e kësaj dukurie dhe duke i këshilluar që të mos kërkojnë dhe të hapin kësi lloj webfaqesh, sepse janë në dëmin e tyre. Pse?
Kurthet e pedofilisë
Sidomos është e rrezikshme, shpjegon z. Boess, pornografia e fëmijëve (pedopornografia). Sot pedofilët janë të lidhur nëpërmes rrjeteve të shumta të internetit mes vete, ku i shkëmbejnë imazhet pornografike të fëmijëve dhe njëkohësisht bien lehtë në kontakt me fëmijë.
Kjo mund të jetë e rrezikshme për adoleshentët, sepse pedofilët nëpërmes këtyre webfaqeve pornografike hyjnë në bisedë-chate me të rinjtë dhe u propozojnë njoftime, lidhje ose gjëra, siç janë seksi me të miturit. Ata sillen me këta fëmijë në mënyra të sofistikuara, janë të dashur dhe bëjnë çmos për t’i futur në grackat e këtij krimi. Shumë fëmijë në shumë raste janë kuriozë për t’i provuar këto gjëra, për t’u njoftuar me këta persona dhe kjo mund të bëhet gjë fatale dhe tepër e rrezikshme për jetën dhe ardhmerinë e këtyre fëmijëve.
Zonja Elvira Aziroviqi, me prejardhje nga Kosova lindore, jeton në Cyrih me familje dhe punon pjesërisht, është nënë e 2 fëmijëve dhe komenton për albinfo.ch rreth kësaj teme:
«Është e vështirë të rriten fëmijët sot në Perëndim. Kur flasim për internetin në ditët e sotme, sistemi i jetës është i tillë që po na imponohet të gjithëve interneti, i cili është sa i dobishëm, aq edhe i rrezikshëm. Shumë herë djali ynë 14-vjeçar na thotë mua dhe burrit që dëshiron të mësojë dhe të gjejë material nga interneti, por ne jemi të vetëdijshëm që ky aty edhe dëfrehet me lojëra ose bën chat, por nuk mund t’ia ndalojmë, sepse na thotë që është djali i dajës, apo dikush i afërt nga Kosova ose ndonjë shok, pra nuk është e lehtë, sepse edhe ai ka nevojë të mbajë kontakte me familje apo me shokë, sidomos kur janë larg. Ne mundohemi t’ua shpjegojmë fëmijëve tanë shumë dukuri negative dhe i këshillojmë të jenë të kujdesshëm dhe të largohen nga droga, hajnia, rrahjet, por sa i përket temës suaj, ne shqiptarët e kemi pak të vështirë t’i diskutojmë këto dukuri haptas me fëmijët tanë, sepse ende janë shumë të rinj. E kemi lënë me burrin që unë ta edukoj vajzën dhe t’i flas për këtë temë, kurse burri djalit. Mendoj që në Kosovë fëmijët janë më të kontrolluar nga shoqëria, nga familja dhe ndoshta edhe më pak bëjnë gabime ose më pak bien viktima në aspektin e temës suaj».
Së pari çlirimi nga tabutë, pastaj kontrollimi
Z. Gashi nga Kloteni, nëpunës në aeroportin e Cyrihut dhe baba i 3 fëmijëve të vegjël, e ka pakëz të vështirë të shprehet për albinfo.ch në lidhje me këtë temë publikisht, por megjithatë është i mendimit që ne shqiptarët e kemi gabim, sepse shumë shpesh u ikim bisedave rreth këtyre çështjeve dhe na vjen thjesht rëndë t’i diskutojmë për arsye të njerëzve që na njohin. «Ata mund të keqkuptojnë nëse unë e vë foton time këtu poshtë temës në artikullin tuaj, ose e zbuloj identitetin tim komplet dhe të mendojnë gjithçka pa e lexuar fare për çka bëhet fjalë», thotë z. Gashi.
«E sa i përket kontrollit të fëmijëve, të them të drejtën nuk kam shumë njohuri rreth internetit dhe kompjuterit për ta kontrolluar historikun, siç thoni ju, ose për të parë se çfarë sajtesh ka vizituar fëmija im. Mendoj që popullin tonë së pari duhet ta edukojmë për t’u ikur tabuve, pastaj ka nevojë për t’i mësuar sesi duhet bërë kontrollin prindëror në kompjuter dhe sa më tepër duhet t’i sensiblizojmë këto tema, të cilat janë të rëndësishme për gjithë shoqërinë».
Sidoqoftë, është e mirë t’i kontrollojmë fëmijët tanë me kohë, siç thotë z. Boess dhe është po ashtu e nevojshme të flasim pa tabu dhe ngurrime për tema të ndryshme, siç është interneti, pornografia dhe rreziqet e saj, nëse duam që ta parandalojmë problemin me kohë.
Silvije Buçaj Shehi, Kriminologin in der Schweiz

http://www.albinfo.ch/sq/node/26799


Leave a Reply