•Familja e të dënuarit të përjetshëm, Admir Tafilit, që u arratis nga Burgu i Drenovës, fshihej në vendin skandinav. Mediat suedeze hedhjin dyshime në hasmërinë me familjen Pjetrushi nga Shkodra .
Nikoleta Kovaçi
-Masakrohet në Suedi i biri i Admir Tafilit, i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 31 dhjetorit 2013 teksa ndërroheshin vitet, në qytetin ku strehohet familja Tafili. Ai është goditur me armë dhe me thikë, por mjekët suedezë kanë arritur ta mbajnë në jetë djalin 12 vjeç, B. T. Edhe pse ende nuk ka asnjë autor të dyshuar, policia ka vijuar hetimet duke gërmuar në të shkuarën e të miturit. Mediat vendase e kanë konsideruar ngjarjen si një hakmarrje nga një armiqësi brutale mes dy familjeve në Shkodër, duke e rreshtuar ngjarjen në mes të vrasjeve të njëpasnjëshme mes familjes Tafili dhe familjes së Pjetrushëve. Referuar mediave suedeze bëhet me dije se, dëshmitarët të cilët kanë gjetur djalin të masakruar, kanë treguar karakteristika të vlefshme mbi personin që ka qëlluar mbi të, madje kanë dhënë edhe detajet fizike të agresorit. Djali vijon të jetë nën kujdesin e rreptë të mjekëve, ndërsa nga ana e autoriteteve tona, edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga krimi monstruoz ende nuk ka asnjë lloj konfirmimi. Ministria e Brendshme dhe e Jashtme, kanë bërë me dije mbrëmjen e djeshme se nuk janë vënë në dijeni nga homologët dhe autoritete suedeze në lidhje me këtë rast. Në fakt prokuroria suedeze është marrë intensivisht me çështjen. Kreu i hetimit, ka thënë për mediat ditën e mërkurë se krimi është i rrallë dhe se personi që e ka qëlluar e ka patur objektiv të miturin. Suedezët e hetimit dhe të policisë kanë dhënë pak detaje në lidhje me origjinën e djalit të plagosur rëndë, por meqë ngjarja është klasifikuar si ndër më të rëndat të ndodhura në Suedi prej shumë kohësh, mediat, si rrallë ndonjë herë, (pasi i kufizon edhe kodi i etikës për të tilla lajme) kanë këmbëngulur, jo vetëm në lidhje me detajet e hetimit, por edhe në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore. Autoritetet e sspitalit vijojnë të shpresojnë në përmirësimin dhe mbajtjen në jetë të 12- vjetarit.
Raportimi nga mediat suedeze
B. Tafili mësohet se është gjetur në gjendje kritike për jetën në një stacion autobusi në zonën Boda në qytetin e Boras në Suedi. Fëmija i plagosur me armë dhe me thikë mësohet se është gjendur rreth orës 17. 00 të pasdites së të martës. Ai është vendosur fillimisht në spitalin rajonal të qytetit dhe më pas është transportuar për në Gothenburg për mjekim të specializuar. Mjekët kanë bërë me dije se i mituri është në gjendje të rëndë shëndetësore, por pas ndërhyrjeve të para mësohet se kanë dhënë shpresa për mbajtjen e tij në jetë. Këto janë detajet që kanë dalë nga grupi i hetimit, ndërkohë që policia e ka klasifikuar ngjarjen si një hakmarrje të pastër ndaj familjes së të miturit. Referuar të dhënave që vijnë nga të përditshmet suedeze mësohet se, djali gjendet në Suedi prej disa vitesh dhe bashkë me familjen e tij ka kërkuar azil pasi në vendin e lindjes familja e tij është e përfshirë në një hasmëri prej shumë vitesh. Madje mediat duke ruajtur edhe etikën e identitetit të fëmijës dhe të ngjarjes së rëndë që ka shokuar gjithë qytetin, tregojnë se është djali i një prej personave të arratisur nga burgu i Korçës dhe që u arrestua në magazinat e një qyteti aty afër. Policia që ka marrë edhe dëshmitë e para të personave që kanë dijeni mbi ngjarjen, mësohet se kanë përshkruar edhe personin që dyshohet se ka kryer krimin e rëndë. Ai është rreth 1.80 m i gjatë, rreth 25 vjeç, i veshur me rroba të zeza dhe sipër tyre, sipas dëshmive, ai mbante një jelekë me shirita fosforeshentë. Autori i masakrës, sipas policisë, ka flokë të shkurtra dhe mjekër të zezë dhe se në kokë, në momentin e largimit nga stacioni, ka patur një kapele po të zezë.
Hasmëritë mes Tafilëve dhe Pjetrushëve
Edhe pse policia dhe grupi i hetimit në Suedi janë mjaft të kujdesshëm në dhënien e detajeve në lidhje me ngjarjen e rëndë që iu ka ndodhur, bëhet me dije se ata tashmë e kanë kthyer vëmendjen nga ngjarjet e ndodhura në Shkodër. Në fokus të hetimeve janë të vendosur hasmëritë mes dy familjeve, ndërsa policia po heton edhe gjithë rrjetin e personave të huaj që kanë lidhje me shtetasit shqiptarë që gjenden në Suedi. Familja e Admir Tafilit, gruaja bashkë me fëmijët u vendos në Suedi dhe mësohet se janë në fazën e shkallës së dytë për të përfituar azilin, ndërkohë i biri i Admir Tafilit, personit që vrau dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve të Malsisë Madhe, Prelë Pjetrushit në Shkodër, dyshohet se është masakruar pikërisht për tu hakmarrë ndaj vrasjes së dyfishtë të kryer tri vite më parë. Admir Tafili u betua të hakmerrej për jetën e të atit që iu vra në derën e shtëpisë dhe për burgun e të vëllait, i cili u vu nën akuzë për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Ngjarjet që datojnë 14 vite më parë, duket se nuk kanë të sosur, e aq më tepër kur hakmarrja shkon deri tek fëmijët. Admiri u arratis pak kohë më parë nga burgu i Drenovës dhe më pas u dorëzua “live” në magazinat e Prrenjasit. Ai nuk pranoi asnjëherë se ishte arratisur për të vrarë apo dëmtuar ndokënd, por që drejtësia të rikthejë vëmendjen tek çështja e tyre, pasi ata, sipas tij, po bënin burg të padrejtë. Tafili në sallën e gjyqit ka treguar se vëllai, Genc Tafili, vijon të kryejë dënimin për një vrasjen që s’e ka bërë asnjëherë. Në fakt ngjarja në të cilën u vra Arben Zylyftari dhe Bahri Tafili, i ati i Admirit, ka ende shumë mister. Burgun për vrasjen e ish drejtorit të Policisë së Shkodrës e kryen vetëm Genci, pasi policia ia faturoi vrasjen të riut, por më vonë ka pasur të dhëna se mbi Arben Zylyftarin ka qëlluar i ati i tij, i cili u vra nga policia.
Shekulli


Leave a Reply