Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot.
Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të patur një element të tillë, vetëm ata.
Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se pëmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistent ndaj veprimeve erozive. Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe përbrenda, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën e shqiptarit, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimento për ta shpëtuar këtë thesar jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Edhe kjo është e pjesshme, mbasi ata nuk morën mundimin që të pengohej shkatërrimi i minares elegante e të bukur, që pa të xhamia nuk është në harmonizimin e saj.
Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj…
Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhria e veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1187 (kalendari hixhri). Administratori i kësaj xhamie, Haxhi Mahmut Berberi, data e rinovimit 1280 (viti hixhri). Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. Mbas këtij, kujdestarinë e kësaj xhamie e mori familja e njohur shkodrane e Myftijve të Tabakëve, në fillim nga Hafiz Isuf Tabaku dhe vazhdoi brez pas brezi deri në ditët e sotme. Brezi i ri i këtij trungu amanetin e të parëve e ka mbajtur edhe kur xhamia është lënë pas dore nga pushteti i kuq.
Por rinovimin e përhershëm kjo xhami e bëri me 16 nëntor 1990 në duel me komunizmin. Kjo shtëpi e Zotit doli fitimtare, që për herë pas një çerek shekulli u thirr “EZANI”, u dëgjuan fjalët e Zotit të Madhërueshëm dhe porositë e Profetit Muhamed (a.s.), me një pjesëmarrje shumë të gjerë popullore prej 65 vetësh, nga Shkodra e rrethimet e saj si dhe nga qytetet fqinje, pa dallim feje, por të gjithë si besimtarë e krijesa të Zotit. Ata erdhën për të gjetur qetësinë e shpirtit të tyre të dërrmuar. E kjo shtëpi e Zotit do të mbetet e re, pse në dorë e mori rinia. Kjo xhami do të mbetet në historinë e Shqipërisë, një pioniere, prijëse e të gjitha xhamive shqiptare, që u hapi rrugën për të ftuar njerëzit drejt Zotit të Madhërueshëm, që t’i luten Atij dhe askujt tjetër.
Myftinia Shkodër






Leave a Reply