Lot… Por jo në anën italiane, ku banon dhe punon prej kaq vitesh kjo poeteshë aq shpirtdhembshur, por këndej Adriatikut, në Lezhë, në Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Atje ku kishte organizuar promovimin e librit të saj poetik “Shpiti shkruan”, nga një shtëpi botuese tiranase që mban emrin e një vajze, “ADA” – simbolin e ndershmërisë, dhe delikatesës shpirtërore. Regjina Kol Nicaj (Sterkaj), ka lindur në Hot dhe ka kaluar vajzërinë, është bërë nënë dhe ka rrojtur në qytetin e Shkodrës, derisa është larguar në Itali ku ka përcjellë, tok me prurjet e saja të mrekullueshme shpirtërore, edhe përvojën e infermjeres në spitalin qendror të qytetit tonë verior. “Ta marrsha”, “T’u baftë Giina ty”, “Të tana të mirat e shpirtit, o zot” , këta urime kaq normale ndër shkodranët e patëkeq, i dalin vetiu kësaj gruaje që ndjen dhimbje për këdo. Ajo sillet me siguri te të sëmurët italianë, sikurse edhe atyre dikur në Shkodër, si një flutur e bukur,e lehtë, nga buzët e së cilës dalin pa pushim urime dhe dëshira të bukura – “”T’u baftë, Gjina”, “ta bjen Gjina njitash”, “eerdhaaaa….nji tash…”. “Kushedi se sa herë kam fjetë në Shkodër me barkun bosh…kushedi se sa herë kam ecë në kambë nëpër shi e borë për me shkue në shkollë”, u hapi zemrën lezhianëve që kishin mbushur sallën gruaja e cila, tanimë, është larguar sërish drejt Apenineve, te të dy spitalet ku punon papushim dhe me tre turne, njëri nga të cilët, spital të burgosurish.
Të vjen ca keq kur vëren se në media flitet e shkruhet fare pak për jetën kulturore të Lezhës së vogël dhe buzë ujërave. Po të kishit qenë në ditën e festës së librit të kësaj shkodraneje, do të kishit kuptuar se, përse ajo e ka bërë aktivitetin këtu. Vallë, a ka shteruar Lezha që dikur nxori brezin e poetëve brilantë si Ndoc Gjetja, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Shpresa Kapisyzi, Silvana Gjebrea? Këta që përmendëm janë të një brezi. Po më tej? A ekziston më Lezha e bujshme, e vogël dhe e furishme?
Ishte një periudhë kur Lezha kishte një ekip futbolli që nisi të linte nam me tonet sulmuese të futbollistëve. Mandej, ja, erdhën poetët e përmendur. Mandej shpërtheu furia e gazetës “Koha Jonë”. Lezhianët e patrembur, u bënë grusht, si t’i kish bashkuar vendvarrimi i Skënderbeut, dhe nisën një sulm të paparë asnjëherë në median shqiptare dhe, mbase, e dhe në median e të gjithë vendeve postkomuniste.
Djegia e kësaj gazete, ka treguar fuqinë në kulm të pushtetit të katërt, që aktualisht është bombarduar keqas nga një tjetër furi e frikshme edhe më shumë se djegia e një redaksie – furia e heshtjes dhe indiferencës që fryn nga të katër anët, siç po frynë gjithashtu nga të katër anët furia e parave
Dolën disa komplekse të rinjsh nëpër skenat dhe TV-të tona. Jo pak prej tyre përpiqeshin të imitonin komplekse të huajua duke u bërë ca “evropianë” qesharakë, por, oh, jo disa prej tyre. Besoj e kujtojmë “Djemtë e detit” se me sa taban kombëtar rrëmbyen zemra anembanë …ku gjenin…ku i rrëmbenin dhe i futnin në gjirin e tyre prej deti…
Regjina ka shkruar vjersha qysh fëmijë. “Tash fëmijët i kam rritë, vetë e burrin e kam në punë… Tash vetëm due me punue e me shkrue papushim e me i festue librat e mi në Shqipni, megjithëse edhe shoqet e mia italiane më duen fort” – thotë Gjina duke përkëdhelur një vajzë të panjohur që po dëgjon rastësisht bisedën tonë e duke i thënë “Ta marrtë Gjina të keqen!Sa e bukur kenke, o zot!”
Kur shkruajti vëllimin e parë ajo transmetoi dhimbje, dhimbje pafund për vuajtjet gjatë largimit nga atdheu, larg atdheut, jetës prej emigranteje, etj, të kësaj natyre. Mirëpo “…ma bane nji vërejtje…më thanë se boll ma me trishtim. A nuk din me shkrue për dashninë”? Si, more nuk di me shkrue për dashninë? Po unë bie në dashni menjeherë…Edhe nji lule me e pa midis ferrave, më dhimbet …tham me vedi, a thue vjen ndonjë zog me iu ulë afër asaj e me i këndue kangë? Se edhe lulet i duen kangët shumë…”
Tashti, të dy librat e fundit që i ka botuar te “Landi që ma ban faqosjen pa lekë e më merr lekë ma pak se të tanë”, flasin vetëm “për dashni”. Duke qenë infermiere, Xhina, vërtetë ka vuajtur ca më shumë nga ne t ë tjerët, që e kemi kaluar kohën e punës me njerëz sakllam, jo të sëmurë e mes rënkimeve, ama, ka fituar diçka të madhe; ka mësuar të shkruajë çfarë i thotë shpirti dhe pa pyetur për kufij, censurë, rregulla; ashtu siç flasin pa censurë dhe vetëm me shpirt nejrëzit e plagosur apo në prag të vdekjes, apo edhe që kanë vdekur më pas – pacientë të poeteshës sonë sensibile. Të parët njerëz që ia lexojnë vjershat kësaj shkodraneje janë e bija dhe bashkëshorti i saj, një burrë i pashëm dhe ish mundës i fortë i “Vllaznisë”, Gjergj Sterkaj.
Lind pyetja sërish, ku është Lezha sot? A është plagosur aq rëndë shpirti i lezhjanëve sa të të mos ngrihet më? A vazhdon të gurgullojë plot rrëmujë të bukur, dinamizëm ujërash dhe shpirtrash, si gjithmonë?
Përse nuk është më prezent në media si më parë? Pallati i Kulturës ngrihej madhështor dhe elegant, me dy skulptura të larta, atë të Patër Gjergj Fishtës dhe një tjetër që simbolizonte kulturën dhe begatinë e Lezhës, dhe që, sikur qëndronte mbi shpatullat e “Atllasit” të lashtë. (Një lezhjan i moshuar erdh dhe na pyeti se, “paj a ban bre, me kenë poeti i madh në krah me këtë burrë që ka dalë picillak?”). Drejtori Ismet Zusi me stafin e tij e kishte këtë pallat të kulturës dhe dijes modern, që duhet ta kenë zili edhe në Tiranë. Gjatë promovimit të librit, para sallës së mbushur përplot, luajti një violinist në mënyrë të magjishme pjesë klasike dhe nga më të dëgjuarat e njerëzimit. Gjatë interpretimit, atij iu këput një tel, por vazhdoi me heroizëm dhe dinjitet të mahnitshëm koncertin e tij. Ai ishte ish pjesëtar i grupit “Djemtë e Detit” që nuk e kishte braktisur Lezhën e tij por, ja, punonte në stafin e drejtorit Ismet Zusi. Sa lezhianë pasionantë takuam atë ditë. Diskutantët flisnin gjithë mend dhe me figura të zgjedhura me kujdes letrare. Një burrë i shëndetshëm kërkoi fjalën dhe i përlotur u kujtoi pjesëmarrësve se “nji kjo që ju po i thoni poete, asht njajo infermjere që mua më ka shpëtue prej vdejkes”. Dhe biblioteka ishte plot me libra të rinj.
A ka më poetë sot jo qendër e vogël? Me siguri që ka, por asnjeri nuk i njeh deri tani. Ne takuam aty edhe botuesin e një gazete, që, po, po, e nxirrka Lezha; një gazetë me emrin e lashtë të saj “Lissus”. Ai na u ankua se nuk e ndihmonte njeri dhe se e nxjerrte gazetën e tij falë pasioneve të vjetra dhe dashurisë dhe dhimbjes që ka për vendlindjen. Quhet Ndue Dragusha. Mundëm të takonim edhe dentistin e shquar, një mjeshtër i rrallë iI dhëmbëve, Selman Sula i cili, megjithë ofertat dhe grishjet e shumta, nuk e ka lënë Lezhën që të vinte edhe ai në Tiranë. Na thanë se këtë vit bashkia e Lezhës kishte ndërtuar rrugën Lezhë–Kala, shumë e dhe, të kemi parasysh, se kalaja e Lezhës daton 310 vjet para lindjes së Krishtit.
Na thanë se turizmi sivjet kishte qenë disi më i mirë nga vitet e tjera. Nuk mundëm të shkonim në ishull Lezhë, në lokalin e së famshmes Diella; lokal që miku ynë dhe i gjithë shqiptarëve, isha atasheu ushtarak britanik për te vjet rresht në Tirane kolonel Mark Vikers, shkruan se nuk ka ngrënë në ndonjë lokal më joshës, më të mirë e më të pasur e pafund të bukur kudo që ka qenë nëpër botë, se sa atje. Lezha ka 28 km linear bregdet thuajse të virgjër, që nga Derdhja e Matit e deri në Velipojë, por siç u pëlqen lezhjanëve të përsërisin shpeshherë, “Lezhën e ka bekuar zoti por e ka mallkuar politika”.
Shkodranët e duan shumë Lezhën. Dikur shkuleshin në Shëngjin për plazh, kur nuk lejohej nga regjimi komunist të shfrytëzohej Velipoja. Kushedi se me çfarë motive të tjera atdhedashurie organizoi festën e librit të saj kjo emigrante që, sigurish ka për t’u përlotur, kur të lexojë se si një gazetë e atdheut të saj po e kujton sot, ndërsa ajo është e zhytur në nostalgji të pa përshkruar për atdheun këndej Adriatikut.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani



Leave a Reply