
FDA paralajmëron për rrezikun e lenteve me ngjyra si pjesë e kostumeve për Halloween
Megjithëse një palë lente kontakti kozmetike të kuqe apo të bardha mund ta bëjnë kostumin e sivjetshëm të Halloween-it të duket edhe më fantastik, punonjësit e Zyrës së Hetimeve të Krimit pranë agjencisë amerikanë FDA (agjencia që ka për detyrë mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit publik nëpërmjet kontrollit dhe administrimit sipas rregullave të caktuara të ushqimit dhe medikamenteve.) kanë paralajmëruar se shumë prej këtyre lenteve janë të paligjshme dhe mund të shkaktojnë dëmtime serioze të syrit që mund të çojnë deri në verbim.
Punonjësit qeveritarë të zyrës së sipërpërmendur së bashku me zyrën amerikane të Emigracionit dhe Kontrollit dhe Mbrojtjes së Doganave dhe të Kufirit janë në mes të operacionit të ashtuquajtur “Double Vision” (Operacioni Vrojtim i Dyfishtë) – i cili ka për qëllim kapjen dhe konfiskimin e lenteve kallp apo të atyre të importuara ilegalisht pa aprovimin paraprak të FDA-së.
“Megjithëse Halloween është afër, blerësit nuk duhet të lejojnë që një çmim i leverdisshëm apo një kostum vërtet fantastik t’i verbojë deri në atë masë sa të mos vënë re dëmet që mund të shkaktojnë lentet kozmetike të kontaktit kallp,” tha në një deklaratë të tijën James Dickins, drejtori i asociuar i zyrës së Hetimeve pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara. “Ajo që është me të vërtetë e frikshme është dëmi që këto lente fallco mund t’i shkaktojnë syve për të gjithë jetën.”
Që të shmangin rrezikun e blerjes së lenteve fallco, konsumatorët nuk duhet t’i blejnë lentet e kontaktit pranë shitoreve që shesin ekskluzivisht kostume apo aksesorë Halloween-i, kinkalerive, dyqaneve të produkteve kozmetike apo shitësve on line të cilët nuk kërkojnë recetë të lëshuar nga mjeku.
Më tej, Dickins shtoi që është e paligjshme të blesh lente kontakti pa recetë të lëshuar nga okulisti, optometristi apo syzabërësi me liçensë përkatëse nën mbikqyrjen e doktorit të syve. (v.p.)
illyriapress.com
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply