
TIRANE – Emri i saj është skalitur thellë në historinë e muzikës moderne shqiptare dhe vështirë se mund të fshihet. Vesa Luma, këngëtarja e suksesshme kosovare e cila numëron dhjetëra hite në karrierën e saj, ka vendosur që tani t’i përkushtohet tërësisht cilësisë në muzikë, duke lënë deri diku mënjanë edhe hitet e paratë. Në intervistën e sotme për “Vip Pages”, ylli i skenave tona rrëfen projektin më të ri në muzikë, albumin “Pop Cult”, që siç thotë është fryt i dashurisë mes saj dhe reperit të famshëm shqiptar Big Basta, marrëdhënien me të cilin ka plan ta çojë edhe në martesë, por që datën nuk e ka vendosur ende… Zbulojmë bashkë për më shumë se çfarë na ka rrëfyer tjetër Vesa.
Vesa, si je, me çfarë po merresh këto kohë?
Mirë jam, shumë mirë… Gjithë kohën në lëvizje, Prishtinë-Tiranë.
Më shumë në Prishtinë, apo më shumë në Tiranë?
Kohët e fundit në Prishtinë më shumë, ngaqë kam qenë në fazën e promovimit të albumit më të ri. Ka qenë një promovim shumë i veçantë, duke realizuar disa koncerte, në disa prej vendeve më të spikatura për rininë. Gjithçka ka shkuar perfekt, albumi është pritur shumë mirë, edhe pse ka pak kohë që ka dalë. Tani jam kthyer këtu për të vazhduar fushatën e promovimit dhe ja ku jemi.
Është e vërtetë që një pjesë të albumeve i keni shpërndarë falas gjatë promovimit?
Po, në çdo koncert të mbajtur kanë qenë disa albume që janë shpërndarë për fansat më të zjarrtë.
D.m.th. albumi yt nuk është bërë për të fituar?
Jo. E di që në këtë kohë albumi është një luks shumë i madh dhe arsyeja pse ka dalë albumi ka qenë më shumë për shkak të Bigut. Ai u bë iniciator që të realizoja një album, sepse tashmë albumet nuk është se kanë ndonjë efekt apo kanë shitje.
Një pjesë e mirë e këngëtarëve kanë hequr dorë prej tyre duhet thënë…
Po, kanë hequr dorë një pjesë e madhe, por është një pasion aq i madh, edhe i imi, edhe i Bigut, saqë nuk mund ta linim dot vetëm me singëll, pa nxjerrë edhe një letërnjoftim, një fryt të dashurisë sonë…
Aaaa, ky është qëllimi?!
Patjetër që po, prandaj edhe vendosëm ta sjellim në këtë mënyrë.
D.m.th. ky të duket albumi më i bukur që ke bërë ndonjëherë, sepse ka shumë dashuri brenda, apo jo?
Unë, gjithçka që e bëj, e bëj me shumë dashuri, por mund të them që ky album sjell gjithë jetën time gjatë kësaj periudhe… E ku më mirë sesa në një album mund të shprehësh atë që ke bërë gjatë gjithë kësaj kohe!? Është e vërtetë që ne kemi dhënë shpesh intervista, por unë shpirtin tim e shpreh në këngë dhe në skenë. Aty ndryshoj shumë, me thënë të drejtën! E kam kuptuar këto kohët e fundit. Ndaj, ata që duan të më njohin, duhet të dëgjojnë këtë album.
Në këtë periudhë, i ke dhënë prioritet lidhjes tënde, apo muzikës?
Kur jemi lidhur, thashë ‘OK, është koha për një pushim, që t’i kushtohem më shumë anës private’, por ndodhi krejtësisht e kundërta. Ndodhi që ne punuam më shumë, duke qenë se edhe Bigu ka studion e tij “042 zone”, ku ne e bëjmë natën ditë e ditën natë. Gjithçka e kemi aty, edhe punën, edhe qejfin, sepse ne frymojmë aty ku ka muzikë. Kohë mbas kohe projektet sa vinin e shtoheshin dhe neve s’na mbetej kohë për pushim. Njerëzit filluan të na shikonin si çift edhe në skenë…
Kjo do të thotë që ju edhe suksesin duhet ta ndani tanimë?
Patjetër që po!
Të vjen keq për këtë?
Jo, nuk më vjen keq, përkundrazi kam pasur mungesë të kësaj ndjenje normalisht, sepse gjithçka e kam bërë vetë, deri në momentin kur u njoha me Bigun, dhe e kam pasur jashtëzakonisht të vështirë. Po njëjtë ka vepruar edhe ai, duke qenë se tani jemi dy. Gjithmonë dy mendime, janë më të vlefshme se një mendim i vetëm, por duhet të përmend që absolutisht vendimmarrjen në fund e bëjmë gjithmonë vetë. Ka momente kur jemi bashkë në koncerte, ka momente kur jam vetëm unë apo kur është vetëm ai, por lidhja na ka dhënë shumë mundësi.
Si është ta kesh partnerin në të njëjtën fushë me ty, më mirë apo më keq?
Të jem e sinqertë, në disa momente është mirë, në disa momente jo edhe aq. Megjithatë ne kemi fituar besimin tek njëri-tjetri dhe kjo na bën që të mos kemi asnjë lloj problemi.
Ju, jeni gjithmonë bashkë?
Jo gjithmonë. Normalisht jemi bashkë në Tiranë, kur Bigu ka aktivitete në Kosovë, ose kur do të takojë familjen time. Megjithatë kohët e fundit kemi qenë pak larg njëri-tjetrit, duke qenë se unë kam qenë më e angazhuar në Kosovë, ndërsa ai me punë në studio.
Jetoni bashkë, apo jo?
Jetojmë bashkë, jetojmë në Tiranë.
Na trego një ditë të zakonshme, tuajën si çift; si jeni në shtëpi, si i ndani detyrat, kush gatuan…
Është fat i madh që edhe në këtë aspekt jemi shumë të ngjashëm.
Jeni të dy shumë të kujdesshëm, apo shumë rrëmujaxhinj?
Shumë të kujdesshëm jemi, si unë edhe Bigu… Nuk e kam menduar përpara se të jetonim bashkë, që mund të ishte kaq shumë i kujdesshëm. Normalisht, disa punë që ai si mashkull nuk mund t’i kryejë, i bëj unë, por që në përgjithësi jemi një çift 50 me 50, i ndajmë gjërat bashkë, i kemi mësuar se çfarë ka qejf njëri dhe se çfarë ka qejf tjetri. Mund të them që ka qenë shumë e lehtë, më e lehtë se ç’e kisha menduar, bashkëjetesa.
Dita e zakonshme nis me një kafe; kemi një pamje shumë të mirë tani tek shtëpia e re, tek Shallvaret, kështu që pimë kafe, punojmë në studio. Nuk është se dalim të frekuentojmë jetën e natës, apo edhe të ditës.
Pse?
Unë kam qenë tip i tillë më përpara, po sikur e kemi gjetur atë rehatinë në studio, apo në tarracën e shtëpisë, kështu që aty po na shijon më shumë për momentin.
Aty e gjeni frymëzimin?
Aktualisht jemi të frymëzuar për të bërë muzikë të mirë dhe kemi qenë të gatshëm për të sakrifikuar për këtë. Unë e di shumë mirë atë rrugën e suksesit, të hiteve, të parave nëpër koncerte, por momentalisht nuk po më shijon, momentalisht po më shijon të bëj gjëra që do të lënë gjurmë tek publiku dhe kjo është një sakrificë, sepse fatkeqësisht tek ne ndodh që duhet të zgjedhësh njërën nga të dyja rrugët. Jemi të vendosur për të bërë këtë gjë, në mënyrë që siç thotë Bigu, të kemi vend në dokumentare në të ardhmen.
Ti, si i thërret? Bigu?
Jo, unë nuk e thërras, as Bigu dhe as Geri…
Po si e thërret?
Po është Jetë ai, është Jeta ime…
Vesa, meqenëse jemi në fund të kësaj bisede, çfarë do të kemi të re prej teje?
Në fund të nëntorit do të ikim për në Hagë të Holandës, aty do të regjistroj klipin e ri, i cili është i katërti për këtë vit. Është në bashkëpunim me një këngëtar shumë të njohur në Holandë, që është shqiptar nga Tirana, Jon Tarifa. Kemi bërë një duet bashkë, është një këngë në gjuhën angleze dhe në këtë mënyrë do të realizojmë atë që kemi dashur të realizojmë unë dhe Bigu. Një klip në Tiranë, një në Kosovë, një në Maqedoni dhe një në diasporë. Mezi po e pres, pasi është një këngë me stil shumë të veçantë, me një tekst shumë të dashur për mua.
Pyetja e fundit: Do mbetet në bashkëjetesë lidhja juaj, apo ka plane për ndonjë martesë së shpejti?
Hmm…
Apo të bëjmë një herë klipin pastaj shohim e bëjmë?
Do të bëjmë shumë klipe dhe pastaj do të vendosim…


albnews.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply