
Astrit Lulushi
1914 – Në Durrës, Esad Pashë Toptani e shpall veten president, kryeministër dhe komandant të forcave të armatosura të Shqipërise. Ai kerkon konfirmimin nga anëtarët e Senatit, duke i kërcënuar se do t’i vriste një nga një të gjithë ata që do të votonin kundër. Pastaj, Esad Pasha merr në dorëzim pallatin mbretëror në Durrës dhe menjëherë i shpall luftë Austro-Hungarisë, për të treguar se ishte në krahun e aleancës Francë, Britani, Rusi.
1936 – Lindi Vaclav Havel, presidenti i nëntë dhe i fundit i Çekosllovakisë dhe presidenti i parë i Republikës Çeke. Ai shkroi mbi 20 drama, si dhe prozë, poezi e të tjera, që janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Emri i tij filloi të bëhej i njohur në vitet 1970 me manifestin Karta 77, një përgjigje e tërthortë ndaj burgimit të anëtarëve të një grupi muzikor çek nën akuzat se mbanin flokë të gjata dhe se muzika e tyre kishte ndikime perëndimore. Në vitin 1979, Haveli bashkë-themeloi Komisioni për Mbrojtjen e të Persekutuarve. Për aktivitete të tilla ai u burgos, u thirr në hetuesi ose u mbajt nën përgjim nga policia sekrete. Një nga esetë e tij është “Fuqia e të Pafuqishmit”, ku Haveli flet për një shoqëri ku njeriu detyrohet të jetojë një gënjeshtër brenda gënjeshtrës, aludim i hapur për regjimin në të cilin vetë autori jetonte. Në vitin 1979, Haveli e përshkruan rolin e tij si disident duke thënë se “asnjëherë nuk vendosa të bëhem disident. Ne ishin shndërruar në disidentë, pa e ditur fare se si. Ne thjesht bëmë disa gjëra që ndjenim se duheshin bërë për hir të së mirës, asgjë më shumë, asgjë më pak.” Në vitin 2005, revista globale Prospect e përfshiu Havelin në listën e 100 intelektualëve më të mëdhenj të botës. Vaclav Havel vdiq më 18 dhjetor 2011 – mes shkrimeve të tij gjendet edhe kjo poezi: “It is I who must begin”
(shqipërim)
Jam une që duhet të filloj
Menjëherë, këtu, tani
pabujë, pajustifikim
se do ishte e lehtë
tjetër-here a gjetkë
për t’jetuar në harmoni
me zërin e vetëdijes
siç e kuptoj unë —
sapo filloj këtë,
papritur zbuloj
për befasinë time
se s’jam i vetmi
as i pari dhe
as më i rëndësishmi
në këtë udhë të nisur
fundi i së cilës s’varet
nëse unë humbas ose jo.”
1947 Harri Truman bëhet presidenti i parë amerikan që përdor televizionin për t’iu drejtuar popullit nga Shtëpia e Bardhë. Dhe fjalimi i parë televiziv kishte të bënte me agjërimin; Trumani u kërkoi amerikanëve që mos hanin mish të kuq të martave, as mish pule të enjteve, të kursenin çdo lloj ushqimi për të ndihmuar Evropën e sapo dalë nga lufta, që po vuante nga uria.
1962 – Në Britani, grupi Beatles lëshon diskun e parë të suksesshmëm, “Love Me Do”. Kënga ishte një kompozim i hershëm Lennon-McCartney, që në vitin 1958 kur ata ishin 16-vjeç. Më 4 shtator 1962, menaxheri Brian Epstein pagoi udhëtimin me aeroplan nga Liverpuli në Londër për grupin Beatles, së bashku me bateristin e tyre të ri, Ringo Starr. Pasi u regjistruan në hotelin Chelsea, pasdite shkojnë në Studiot EMI, bëjnë gati pajisjet e tyre muzikore dhe fillojnë të interpretojnë duke filluar me këngën “Please Please Me” dhe pastaj “Love me do”. Siç ndodh shpesh, gjerat më të mira janë ato që nuk planifikohen. Kënga “Please Please Me” nuk u pëlqye, gjë që solli zhgënjim për Bitëllsat, pasi kishin shpresuar që kjo të ishte kënga e kryesore e diskut, dhe pastaj “Love Me Do”.
Mendim i ditës
“Jeta është e lehtë me sytë mbyllur .”
John Lennon
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply