Nga Ben Andoni
Një burrë i zakonshëm, por i armatosur deri në dhëmbë, na shikon si i hutuar nga një foto e dalë boje. Me pamje të vërtetë komiti, i urtësuar deri aty ku s’përfytyrohet, ai i ngjan më shumë një luani të ndrydhur. Pranë, një bashkëluftëtar i vet, e ndjek fokusin po ashtu, i ngulur me sytë në pafundësi. Cilësia e dobët e fotos nuk të lejon që të hedhësh më shumë dritë në tiparet e burrave, por një gjë dihet mirë: Komiti quhet Sali Murati (Vranishti) dhe në dy dekadat e para të shekullit të shkuar ishte simboli i njeriut të lirë. Ky Robin Hood shqiptar, megjithë anatemat e bejlerëve, bëri shumë më tepër për pavarësinë sesa shumë pseudo sepse i dedikoi krejt jetën e vet dhe të familjes së tij. Dhe, e njeriut të drejtë, që iu dedikua nderit. Koha do provojë realisht se Sali Vranishti ashtu si e filloi ashtu edhe do e mbyllë jetën me një ndershmëri të vërtetë oshënari.
Nga ato, që kanë lënë bashkëkohësit, Sali Vranishti nuk mundi kurrë të bënte kompromis. Nëse do të bënte s’mund të quhej më kapedan, por thjesht një nga shqiptarët e shumtë, që bëjnë një çik zhurmë dhe pastaj u fshehën ose më së shumti rendin pas ofiqeve. Se shqiptari dhe ofiqet janë një dyshe e pandarë, këtë se fshehim dot. Historia kombëtare është e mbushur me të tillë syresh. Sejfi Vllamasi, një nga protagonistët e vërtetë të kësaj jete pa shumë andralla, na e përmend si ‘shkarazi’, por kush di të lexojë mirë rreshtat e kupton edhe respektin e tij. Sejfiu, në të gjallë, ishte nga ata që vlerësonin pak. Ka anatemuar Zogun, Luigj Gurakuqin dhe Faik Konicën, duke i treguar ashtu si ishin në të vërtetë. Por, për të ndalet: E thirrën sepse na duhej ndershmëria e tij. Dhe, kush mund të mëdyshojë: Ditën që Sali Murati u thirr të bënte zap njerëzit që nuk donin qeverinë e Vlorës ishin realisht të dhimbshme. Për Qeverinë e Vlorës, për njerëzit, për çdo gjë. Sali Murati, si komandanti i Sigurimit Publik, e merr vetë përsipër përgjegjësinë. Bektash Cakrani dhe Qemal Vrioni i shpallin luftë qeverisë së Vlorës, që në ag, kur ajo ende nuk administron dot ende një territor më të shumtë se prefektura. Dhe, a e merrni dot me mënd se kush ftohet të jetë në betejë, atje në vijën e parë: Përsëri vetë ai Sali Vranishti. Kuptohet, komiti që ishte tani komandant, e zgjidh punën shumë shqiptarçe duke u treguar të gjithëve se ka njerëz që e kanë seriozisht pavarësinë. I shpartallon dhe u djeg të gjithë kamjen…Në fakt, prej muajsh para pavarësisë ai ka filluar aksionet. Një e tillë daton që më gusht të vitit 1912 kur hap burgun e Vlorës dhe liron të gjithë të burgosurit…Sali Vranishti nuk kupton vetëm një gjë: Pse edhe në këtë ditë shqiptarët nuk e kanë seriozisht. Jo që nuk e kupton, por nuk do ta besojë. Ali Asllani do të kujtojë vite më vonë një dialog të Ismail Qemalit me të, kur Plaku i Pavarësisë ka filluar të mendojë tërheqjen: “Si do t’ia bëjmë kapedan tashti?!-i thotë Ismail Qemali.
“Ti bëhesh peshk dhe hidhesh matanë, unë bëhem ‘derr’ dhe marr malet, por halli i këtij populli qysh do t’i vejë?!”- i përgjigjet Sali Vranishti…Në mëshirë të fatit dihet.
Paradoksi është se vetë monumentin e tij, vite më vonë, do ta hedhin në erë. Por, frikacakët kudo s’duken. Dhe, në këtë rast i fshihen nga frika. I biri, Maman, një luftëtar i nderuar do t’u bëjë një thirrje dinjiteti bashkëfshatarëve, që duket se kanë harruar motivin e tyre të dinjitetit:Unë nuk gjej dot asnjë shkak e arsye për të vënë dorë, siç u vu, mbi bustin e Sali Muratit, përveç faktit se në Vranisht, për fat të keq ka njerëz që për interesa partiake kanë degjeneruar aq shumë, sa të shkelin mbi nderin e tyre, bile edhe mbi gjakun e baballarëve dhe nënave të tyre që sot janë dëshmorët e atdheut dhe të hedhin baltë mbi nderin e historisë së gjithë Vranishtit…Ky burrë trim me 13 plagë bëri nga gjërat më të çuditshme në të gjallë…
Fejzi Alizoti do t’i shkruajë me 14.X.1920 Luigj Gurakuqit:”…Në vise të Toskërisë nga Sali Vranishti dhe të tjerë është formuar Komiteti ‘Dora e Zezë’. Ky filloi të ndalojë bujqit të mos japin të drejta të zotërve e të mos njohin zotërimin e tyre…” Kjo nisi me pronat e Syrja bej Vlorës, atij që do t’i mbetet armik më vonë. Por pushka e Sali Vranishtit nuk do të ndalet këtu. Ajo do të ndjehet kundra serbëve në Dibër më gusht 1920. Me Serbët do përleshet sërish në Macukull dhe në Shkallë e Desh, në Mat ku Sali Vranishti drejton me plagë në trup…Që një vit më parë, në vitin 1919 me porosi të tij tre bashkëfshatarë tërheqin 45 armë dhe një sasi fishekësh nga Korfuzi, kurse ai mbetet një nga iniciatorët e shoqërisë ‘Opinga’ ku në statutin e saj shkruhet: “Fatet e vatanit mund t’i zgjidhte vetëm gryka e pushkës”…
Dhe, koha do e tregojë se fjalët që thotë i ka në zemër. Jo më kot ai përgatitet. Në Luftën e Vlorës, epopenë më të madhe të Jugut, do të drejtojë një seksion të luftës atë të çetave të zonës së Rrëzës. Në pllajat e Beunit, ku ndërtohet ultimatumi, kundër perandorisë, kapedani do të takohet me ata që do mbesin në histori pas kësaj Osman Haxhiun, Qazim Kokshin, Ahmet Lepenicën, Hamit Selmanin e tij…
Por, ky burrë simpatik se ka aspak jetën e lehtë. Gojët e këqija që s’mjaftojnë t’ia presin hovin në luftë, përpiqen t’ia dërrmojnë krejt reputacionin. E anatemojnë si njeri me moral të dobët dhe “hajdut’. Por burri që ka një shtëpi vetëm 6m2 dhe një dynym s’mund t’i përgjigjet fjalëve që nuk i sheh. Dy djem i vdesin nga varfëria 9 dhe 13 vjeç dhe vet s’ka as do pak pare për ilaçet e veta. Por kjo s’mjafton. Shumë vite më vonë, ata që i tmerrohen emrit të tij, përpiqen t’ua ulin vlerat, kur në stendën që është bashkë me legjendat e Vlorës Kanan Mazaj, Zigur Lelos dhe Sado Koshenës u heqin dhe diçiturat si heronj të popullit…Përgjigja më e mirë mbetet nga dora e Kadaresë në përkujtim të këtij heroizmi: “…Edhe sikur të zhdukeshin të gjithë dokumentet për Luftën e Vlorës më 1920, gjithë teatri i luftimeve mund të rindërtohej vetëm me anën e vjershave popullore kushtuar asaj…”.
Lufta e Vlorës do e vendosi në panteonin popullor atë bashkë me luftëtarët vlonjatë. Por Vlora ashtu si e gjithë Shqipëria vuan shumë. Ka fituar një luftë që e ka bërë të njohur por jeta ekonomike është katastrofale. Taksat shtetërore që prekin fshatarin e Labërisë janë të pamata, ndaj ata nuk njohin fare të dhjetat e të tjera. Dhe Sali Vranishti është sërish njeriu që ideon kundërshtimin. Shpejt do të jetë shpejt pjesë e “Bashkimit” dhe për atë që jep, Sali Vranishti, madje arrin deri në listat zgjedhore. Por, ka hendek nga burokratët, që e shmangin. Përjeton keq vrasjen e Avni Rustemit edhe pse në këtë kohë duket se ka gjetur pak kujdes, pasi zyrtarët janë kujtuar ta emërojnë deri në kapiten xhandarmërie…Të gjitha s’i mjaftojnë. Nuk ka drejtësi dhe kjo s’përbën pak me kodin e tij moral. E tregon sërish veten teksa do të qëndrojë në përbërje për të mbrojtur revolucionin e vitit 1924. I vetmi shpërblim është se bashkë me Bajram Currin dhe Hysni Currin, Sali Vranishti i akordohet me propozimin e liberalëve një pension…Por nuk e largojnë dot nga lufta kundër të keqes, ashtu si Bajram Currin. Ai lufton trimërisht kudo që nga Shkalla e Deshem, në Macukull e deri në Shkallë të Tujanit…. Ardhja e Zogut e bën të kthehet me det nga Durrësi në fshat kur Revolucioni i Qershorit humbet. Ai do të endet sërish në terrenet e vështira, duke mos e marrë dot atë që ka dhënë aq shumë për këtë vend. Një sëmundje i vigjilon në trup në pritje të dorëzimit të tij. Nuk ka më kohë në tokë. Lufta tani është e pabarabartë se është më vetë Zotin. Humbet. Një infeksion i vjetër do t’i marrë jetën më 24 janar të vitit 1926…
Figura e tij do të sjellë shumë andralla edhe pas vdekjes. Më 1937 regjimi i Zogut më 25 vjetorin e Pavarësisë, nuk miraton propozimin e komisionit të atëhershëm të festës, i cili vendosi që shkolla e fshatit të merrte emrin e tij kurse ajo e Tërbaçit të Halim Xhelos. Gazeta “Jeta e re” do të shprehë çudinë se si Sali Murati që s’ka qenë asnjëherë kombëtar dhe Halim Xhelo një idealist ekstremist, të merrnin këtë emër?! Komunistët venë pikat mbi i. Më 1970, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendos që ai të shpallet “Hero të Popullit”, duke e lënë në vendin e duhur…Një monument i ngrihet në fshat, që në vitet e demokracisë, ia hedhin poshtë, por pa mundur t’i marrin emrin, që i dha krenari në të gjallë dhe të vdekur të gjithë Labërisë. Sërish ia rindërtojnë, pa mundur ta shuajnë kujtimin e një heroi
MILOSAO
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply