Pirro Andoni
Të bëje ambasadorin në kohën e regjimit komunist, ishte një sfidë jo e lehtë, pavarësisht se nga jashtë dukej një detyrë komode. Përtej specifikës së misionit në kushtet e absurdit politik të shtetit të diktaturës së proletariatit, mekanizmi mbi bazën e të cilit funksiononte përfaqësia diplomatike, ishte ndërtuar i tillë që të mbante të mbërthyer “non stop” në tundimin e pasigurisë. Mjafton të kujtojmë këtu mënyrën si operonin punonjësit e Sigurimit të inkuadruar në strukturën e personelit të ambasadës dhe operacionet e fshehta të kundërzbuluesve që zbarkonin herë pas here nga Tirana. Vërtetë që mund të ishe ambasador i jashtëzakonshëm e fuqiplotë, por përballë këtyre njerëzve ishe totalisht i pafuqishëm. E kam provuar këtë gjatë përvojës në Argjentinë, por jam njohur sakaq edhe me mjaft raste që më kanë treguar kolegët e tjerë. Kjo shpurë njerëzish injorant e të pashkolluar e mbante veten “të paprekshme” dhe shumë herë nxirrte krye e i bënte karshillëk edhe vet numrit një të përfaqësisë diplomatike. Vartësia nga Ministria e Brendshme, por sidomos lidhjet e afërta me njerëz të pushtetit politik të Tiranës, i bënin këto specie që rëndom i quanim kalecë të ndjeheshim të gjithëpushtetshëm e të silleshin si të donin. Mjafton të sjellë disa episode nga ato që i kam përjetuar vet, për të vënë në vëmendje të lexuesit këtë praktikë të shëmtuar…
Dy kundërzbulues në Argjentinë
Prania e tij ishte e papritur. Në fakt soji i tyre gjithnjë kështu shfaqej. Atëherë kur nuk të shkonte mëndja, veç kur trokisnin te porta. Gjithherë hijerëndë e serioz me “staturën” e veçantë të zyrtarit të rëndësishëm që në çdo kohë di diçka më shumë nga të tjerët. Kishte kaluar diçka më shumë se një vit nga koha kur kisha çuar në Tiranë dokumentin e CIA-s për Mehmet Shehun, kur një grup, nga ata që kontrollonin shifrën erdhi në Argjentinë. Ishin dy vetë. Të them të drejtën, ata vinin kot e nuk kishin se çfarë të kontrollonin, të gjitha telegramet që bëheshin me shifër vinin në Shqipëri. Atje mbeteshin vetëm numrat, por meqenëse kjo punë i përkiste Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishte vetëm ajo që mund ta ndryshonte. Nëpunësi hiqej nga ata që i “merrte vesh” të gjitha. Një pasdite, kur ndodheshim vetëm, duke shëtitur në një nga parqet e qytetit, njëri nga ata më pyeti: – Sa pagove për atë shërbimin që të bëri ai amerikani?
Mu bë qejfi që bëri një pyetje të tillë. Më kishte ndodhur që duke kaluar nga Roma dhe Parisi, shpesh të dëgjoja se punonjësit e sigurimit në lidhje me kundërzbulimin jepnin shuma të mëdha për të marrë informacione e të dhëna që i interesonin shtetit të asaj kohe. Kjo më linte të mendoja se shumë njerëzve do t’u lindte në kokë një pyetje e tillë. Në fakt pëshpërima të kësaj natyre kishin ardhur deri aty në Argjentinë. Si e pashë drejt e në sy bashkëfolësin dhe për të vërtetuar se një gjë e tillë ishte bërë pa dhënë asnjë grosh, bashkova dy gishtërinjtë duke formuar një zero. Pastaj shqiptova: Asnjë grosh!. Aty për aty mënyra si më provokoi më nervozoi jashtë mase dhe mendova t’i jepja një dajak të mirë, por rregulli e donte ta sqaroja me durim. Mbi të gjitha një pyetje e tillë nuk ishte thjeshtë nga koka e tij. Me siguri gjithë ai rrugëtim nga Tirana aty ishte me porosi të krerëve të Sigurimit, praktikë kjo e njohur jo vetëm nga unë. Pasi përmenda fjalën grosh dhe diçka tjetër që kishte të bënte me një dhuratë simbolike që u kisha dhënë miqve, të cilët më kishin ndihmuar për sigurimin e atij dokumenti sekret, ndenja një çast në heshtje. Të njëjtën gjë bënte dhe kundërzbuluesi që mesa duket nuk gjeti terren për lëndën e parë të intrigës së radhës. Ishte e vërtetë që nuk kisha shpenzuar asnjë dollar. Të nxirrje para nga banka në atë kohë ishte jo vetëm e vështirë, por e pamundur. Çdo shpenzim duhej argumentuar me përgjegjësi. Neglizhencat dënoheshin, madje rreptë…
Operacioni i shifrantit
Shifranti i ambasadës, pas një viti shërbim në Argjentinë, u sëmur nga apendesiti. Raportuam në Ministri dhe prej andej na erdhi urdhri se shifranti nuk mund të bëhej operacion në Argjentinë, por duhej të vinte në Atdhe dhe për periudhën që do të mungonte do të zëvendësohej nga një tjetër. Një vendim i tillë ishte një nga çuditë e shumta të asaj kohe. Ai së bashku me gruan dhe një fëmijë që kishte duhet të udhëtonte deri në Shqipëri, vetëm për të bërë një operacion apendesiti, kjo sepse misioni i tij në Përfaqësi konsiderohej i veçantë dhe duhet të ruhej si zotërues i sekreteve “të mëdha shtetërore”. U gjetën biletat e avionit, u paguan bagazhet për transport ajror e detar, siç ishin rregullat, duke shpenzuar më shumë se 12,000 dollarë dhe u realizua kthimi i shifrantit në Tiranë.
Një veprim i tillë nuk kishte si të mos linte mbresë e të krijonte reagim te ne, që e dinim se sa sakrifica duheshin për të siguruar kaq shumë para. Prandaj nisëm në drejtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme një relacion, ku shprehnim mendimin tonë se shifrantët në rast sëmundje mund të bëheshin operacion në vendin ku punonin, duke pasur përkujdesjen e Përfaqësisë. Po në këtë material, nënvizonim edhe faktin se kontrollin e shifrës nuk e shihnin me vend të bëhej në Përfaqësi, kur fare mirë materialet që kërkoheshin të kontrolloheshin, mund të gjendeshin në Ministri, duke u sjellë me postë diplomatike.
Ky ishte një veprim i guximshëm nga ana jonë, aq sa u pa me vëmendje deri te ministri i Brendshëm i asaj kohe, i cili nuk vonoi të dërgonte një radiogram, duke cituar se “Rregullat e punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme i takojnë vetëm asaj dhe askush tjetër nuk duhet të përzihet në to”. Këtu mbyllej qarku i disa problemeve shqetësuese, që krijoheshin nga ata nëpunës të ambasadave që konsideroheshin “të paprekshëm”, sepse ishin punonjës të Sigurimit, pavarësisht se disa kishin vetëm 4 klasë shkollë dhe një kurs dymujor për shifër. Me të tillë njerëz, shpesh duhet të silleshe me kujdes. Të tatoje pulsin dhe t’i “mbajë më afër”, sepse një telegram që mund të bënin me kokën e tyre, ku mund të shkruanin çfarë t’u tekej krijonte aq shumë probleme dhe ngatërresa, sa askush nuk mund t’i parashikonte. Ndoshta një shifrant mund t’i thoshte titullarit: – Pa qëndro pak, për ku je sot, pa më thënë mua që jam përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ti nuk mund të dalësh nga ambasada. Në këto kushte e me këto rregulla kemi punuar në atë kohë. “Dy pushteti”, Ministri e Brendshme – Ministri e Jashtme shfaqej shpesh në problemet e kuadrit. Kur po kthehesha një herë, u ndala në Budapest. Kolegu im në atë Përfaqësi, Çlirim Muzha, më tregoi se sapo ishte kthyer nga Tirana, ku ishte thirrur se dy nga punonjësit e tij të Sigurimit kishin thyer rregulloren, duke kaluar kufirin për në Austri pa marrë lejen e tij. Ky, për një veprim të tillë ishte ndëshkuar, kishte kërkuar masë. Por ata ishin njerëz të ministrit, apo të ndonjë drejtori në MPB Puna u ngatërrua dhe fajin e mori titullari vetëm se “nuk u tregua korrekt në marrëdhëniet me punonjësit”. Kur kolegu im më tregonte këtë fakt, më shkoi ndërmend ngjarja që iu referova më lart. Çdo të ndodhte po të zemërohej shifranti im në Argjentinë? Duhet të shkuleshim ne që aty e të sqaronim Ministrinë për punonjësin e pagabueshëm! Madje, mund të ndodhte që kur dilte një shifrant e kërkonte llogari në mbledhjet e organizatës, kur një grua me katër klasë shkollë, që ishte martuar me një diplomat, kërkonte të gjente vezën që kishte humbur në frigorifer, apo pse ishte firaksur shishja e konjakut, qëndrimi në Përfaqësi bëhej i padëshirueshëm. Në mendje silleshin shumë nga episodet që tregonin paraardhësit tanë rreth këtyre personazheve, që kanë krijuar një plejadë injorantësh në të gjithë historinë e përfaqësive diplomatike…
Biznesmeni nga diaspora, tre ditë në “burgun” e Hotel Dajtit
Vjeshtë e vitit 1987. Nga ministria kërkohej që të gjendeshin tregje për shitjen e mallrave tona, kryesisht të mineraleve të kromit e bakrit. Themistokli Papadhopulo (Prifti), një tregtar me origjinë nga Qeparoi i Himarës, tregoi dhe shprehu dëshirën për të hyrë në lidhje me dhomat e tregtisë së vendit tonë. Ai kërkoi vizë dhe erdhi në Shqipëri. Sigurisht, viza iu dha pas bisedimeve me përfaqësuesit e shtetit e të tregtisë, të cilët miratuan propozimet e bëra nga Përfaqësia jonë. Po ç’ndodhi me Themistokliun? Ai zbriti në Aeroportin e Rinasit dhe një nëpunës i thjeshtë i tregtisë e shoqëroi në hotel “Dajti”, ku e lanë tri ditë në pritje. Askush nuk bëri ndonjë bisedim me të, as për bakër, as për minerale të tjera. I zhgënjyer dhe tepër i ofenduar nga kjo pritje e paparashikuar, Themistokliu më bën një telefonatë kur në Argjentinë ishte ora 12 e natës: “Më kanë mbyllur tri ditë në hotel. Nuk kam mundësi të takoj asnjeri. Të vetmin nga njerëzit e mi që munda të takoj ishte profesor Grigori (Grigor Gjika, jurist, profesor në Universitetin Shtetëror të Tiranës), kur po kalonte rastësisht para hotelit. Nesër do të nisem për në Argjentinë. Nuk ma priste mendja kurrë se mund të më ndodhte kështu”. Telefoni u mbyll. Bashkë me të edhe një shpresë se përpjekjet e mia për të bërë diçka në drejtim të tregtisë ishin të kota. Po si mund të ndodhte kështu? Çfarë mund të fshihej pas këtij qëndrimi? Këto dhe shumë pyetje të tjera më munduan atë natë e shumë kohë të tjera. Madje, edhe sot kur po shkruaj këto radhë, nuk mund ta marr me mend se cili ka qenë ai person që ka vënë në pikëpyetje apo ka shpifur për patriotin nga Qeparoi, Themistokli Papadhopulli. Gjatë qëndrimit tim në Argjentinë arrita ta njoh mirë. Ishte një tregtar i suksesshëm, me lidhje të shumta që nga Afrika e Jugut deri në Amerikë. Në qendër të Buenos Airesit kishte zyrat e tij, që të jepnin përshtypjen e një personi serioz. E kaluara e tij dëshmonte për një punë të kujdesshme në Afrikën e Jugut, në Egjipt, e pastaj në Argjentinë. Ishte i martuar me një argjentinase dhe kishte dy fëmijë të rritur. Familja e tij jetonte në kushtet e një aristokracie, me ato liri dhe kufizime që kërkonte klasa e tij.
Në lidhje me Shqipërinë, Themistokliu ishte indiferent. Atij i kujtohej fshati, mbante mend ndonjë fjalë e ndonjë vjershë të mësuar në klasën e parë të shkollës në Qeparo. I kujtoheshin këngët që këndonin burrat në ditët e dasmës, por më shumë vallet e tyre kur hidheshin me gju. Madje, për këto e kishte marrë më shumë malli. Prandaj një herë, para se të nisej për në Atdheun e tij, më tha: “Do të shkoj në Qeparo të takoj një herë bashkëfshatarët e mi. Dua të hedh me ta një valle”. Ai kishte ikur nga vendlindja kur ishte vetëm 7 vjeç. Koha jashtë vendit, indiferentizmi i të atit, mungesa e lidhjeve me të afërmit, regjimi politik që sundonte në Shqipëri, i cili kritikohej nga bota, mungesa e fesë dhe shumë faktorë të tjerë e kishin bërë atë dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij, që të mos pyesnin për Shqipërinë. Por rastësia, shpesh krijon lidhje interesante që zgjon interesa te njerëzit, i vë përpara mëdyshjeve dhe shton nostalgjinë. Ishte pikërisht një nga miqtë e mi, Lambro Prifti nga Qeparoi, i cili para se të nisem me detyrë në Argjentinë, mu lut të pyes se mos ndodhet në ato anë kushëriri i tij i parë, Themistokli Papadhopulli. Pa dyshim, një kërkesë të tillë të mikut të shkollës e të jetës e kisha në pjesën time të protokollit, një kërkesë më shumë morale, por edhe e nxitur nga kurioziteti se ç’ndodhte me patriotët tanë. Fillimisht pyeta ata të shoqërisë patriotike “Skënderbeu”, të cilët mu përgjigjën negativisht. Nuk figuron as në listat e shqiptarëve të Argjentinës. Por Lefteri (Lefter Dame), që mbante lidhje të fshehta me miqtë e tij në shoqatat greke, ku bënin pjesë edhe disa emigrantë nga Dropulli, më tha një ditë se një person me mbiemër Papadhopuli punonte në Ambasadën greke në Buenos Aires. Këtu ishte cepi i fillit për të ecur në rrugën ku gjendej i fshehur kushëriri i mikut tim (Ishte vëllai i Themistokliut).
E kërkova në telefon. Iu prezantova me titullin e punës, më tepër për t’i dhënë rëndësi çështjes, duke i thënë në të njëjtën kohë se ishim patriotë nga e njëjta krahinë, që ka emër në historinë e Shqipërisë. Ai që më dëgjonte nga ana tjetër e telefonit, reagonte shumë rrallë. Pasi më dëgjoi me indiferentizëm më pyeti: “Cili është motivi i thirrjes suaj në telefon? Atëherë unë i thashë se interesohem për Themistokliun, nëse e njeh dhe ku mund ta takoj. Ai më dha numrin e telefonit. Pastaj dëgjova pas receptorit fjalën greqisht “Jasas”.
Këtu nisi lidhja ime me Themistokliun. Ai ishte burrë i pjekur. Tregtar me përvojë, me lidhje të ngushta me përfaqësues të shtetit argjentinas, si dhe me shumë përfaqësues të tregtisë në vende të tjera të botës, veçanërisht në SHBA. Por ai nuk e njihte fare Shqipërinë. Më mirë të them, nuk njihte formën e regjimit, të cilën e urrente, kjo kryesisht për veprimet e kryera në drejtim të fesë. Më ndodhte të diskutoja shpesh me të. Mundohesha ta bindja se duhet të ndryshonte mendim për gjendjen në Shqipëri. Prandaj e ftoja të kthehej njëherë në fshatin e tij, në vendin ku kishte lindur. Pas shumë kohësh më premtoi se do të kthehej në Qeparo. Por ai shpesh shprehte çudinë me qëndrimet tona strikte. Kur unë i thosha se nuk bëjmë tregti as me Amerikën, as me Rusinë- dy superfuqitë që i kishim shpallur armiq të betuar të vendit- Themistokliu më thoshte: “Dakord. Unë e blej kromin, se ku do ta shpie është puna ime. Përse ju intereson juve kjo?”
Në logjikën e tij të hekurt, kishte argumente që të bindnin. Por në atë kohë nuk merrej parasysh arsyeja, e drejta, as interesi i vendit. Mbi çdo gjë, në shumë raste të tilla si ky i patriotit tim, vihej politika. Të humbte një treg i leverdishëm për kromin nuk ishte asnjë hata, po nëse hyje në lidhje me një tregtar amerikan, apo që synonte Amerikën, atëherë niste breshëria e kritikave. Madje, pritej të merreshin edhe masat më të rënda.
Të gjitha këto ndodhën edhe me Themistokliun. Pas tri ditësh i braktisur në vetmi në hotel, ai mori avionin dhe u kthye në Argjentinë. E takova, po çfarë mund t’i thosha?! Unë i kisha folur për shumë ndryshime, për njerëz të lirë e përparime në fshat. Për një vend, ku populli jetonte i qetë etj., etj.
“Përralla, të gjitha ato që më ke thënë, Piro, më tha. Kur nuk më lanë të shkoja në fshatin tim, që e kërkova me insistim, kur nuk takova asnjeri, ç’mund të më thuash? Tri ditë jam ulur e jam ngritur vetëm nga tavolina e restorantit. Askush nuk më shoqëroi. Mos vallë më konsiderojnë ndonjë spiun?”. Asnjë argument nuk kisha për të kundërshtuar mendimet e tij. Heshta. Pas asaj dite mbetëm miq, por vetëm si patriotë. Ai nuk deshi të dinte asgjë për tregtinë dhe për Shqipërinë. Më ftonte shpesh në vilën e tij në periferi të Buenos Airesit, ku kalonim orë të tëra, duke folur për të kaluarën e vendit, për vitet e luftës, për peripecitë e xha Miços (babai i Themistokliut), i cili kishte humbur shumë para e pasuri në lojën e bixhozit. Ai rronte ende nën kujdesin e një gruaje aty në afërsi të pronës ku ndodhej edhe vila.
Themistokli Papadhopulli ishte patriot. Ai qëndroi larg politikës. Kjo u bë shkak që të mos merrte pjesë as me shoqërinë patriotike “Skënderbeu”. Por ai e donte vendin e tij, donte fshatin, folklorin e pasur të vendit, madje mendonte se në një kohë edhe mund të kthehej të bënte diçka në Qeparo. Por të gjitha këto u fshinë pas asaj vizite me mbresa nga me të këqijat.
Sot kur gjërat kanë ndryshuar, kur shumë pikëpyetje të asaj kohe gjetën përgjigje në realitetin e shtetit demokratik, tani që ne zbulojmë defektet e politikës së shtetit diktatorial, kthehem edhe njëherë te miku im Themistokli dhe i them: “Më fal o mik, në ndonjë rast edhe e kam tepruar, jo për të gënjyer, por ashtu ishte formimi ynë”. Ai tashmë nuk më dëgjon. Vdiq në vitin 1994, si pasojë e një sëmundje të rëndë në mëlçi.
Mapo.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply