
Provinca e Karsit njihet për llojet e shumta të djathërave të shijshme dhe qyteti ku është ngritur ferma e parë për rritjen e patave në Turqi.
Qyteti i Karsit ndodhet në Zonën e Anadollit Lindor.
Ai është stacioni i parë i udhëtimit tonë nëpër Turqi. Ky udhëtim do të nisë nga qyteti kufitar Serhat i Edirnesë, do të vazhdojë në Çorum, atdheun e Hititëve; për të ecur më larg në Artvin, fytyrën e qeshur të Kaukazit; në Safranbollu, qytet që mbart në vetvete fisnikërinë brenda thjeshtësisë; ullishtet e Mudanjas, të mbushura me histori e shije gatimi; për t’u zgjatur më tutje drejt bregut, në Këjëkëjin (Kıyıköy) e Ineadasë, ku kaltërsia e detit bashkohet me të ngjyrën jeshile të pyjeve.
Qyteti befason ata që për herë të parë shkelin rrugicat e tij dhe përqafohen me banorët e tij. Qyteti me rrugët e gjera, bukurinë e ndërtesave të mbetura nga periudha ruse, djathë-shitësit, tufat e patave, statujat që e zbukurojnë atë, parqet plot me të rinj, banjot (hamamet) e vjetra dhe plepat buzë përroit të Karsit nuk pasqyrojnë një pamje klasike orientale.
Kur ngjiteni në kala dhe shikoni poshtë, e kuptoni menjëherë planin “tip skare” të qytetit që të sjell ndërmend Shën Petersburgun. Të gjitha ndërtesat zyrtare si Zyra Taks-Tatimeve, Konaku i Vjetër i Prefektit, Këshilli i Qytetit, Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë e Dhoma e Tregtisë që do të shihni tek ecni nëpër rrugët e qytetit, janë ndërtuar gjatë periudhës 40-vjeçare të Pushtimit Rus (1878-1918).
Po, qyteti i Karsit është i çuditshëm! Kur shikoni brenda shtëpive të vjetra prej guri sistemet e thjeshtë të ngrohjes me kalorifer që mbajnë emrin “peç” dhe të ndërtuara pothuajse 100 vjet më parë, sobat gjigande kineze apo pianot e vjetra “relike” që edhe pse tani nuk nxjerrin më tinguj, vazhdojnë të qëndrojnë në një cep të dhomës së ndenjes dhe që amvisat nuk harrojnë t’ua marrin pluhurin, e kuptoni se jeni ballë për ballë me të shkuarën e një kulture të ndryshme.
E ndërsa jeni ulur në një kafene dhe jeni duke pirë gotën me çaj, një vendas i moshuar heroizmin e Ahmet Muhtar Pashait ose dhimbjen e heronjve të Sarikamishit mund t’jua rrëfejë duke ua qëndisur zemrën me talentin e një artisti teatri. Mund të dëgjoni një melodi kaukaziane që del nga një fizarmonikë në një cep tjetër, zbret nga dritarja në rrugicë dhe përshkruan të gjithë qytetin e Karsit.
Ditët e premte, një grua në radhën e gjatë të formuar tek dera e tyrbes së Ebu’l-Hasan Ali el-Harakani-t mund të flasë për luanin që ecte pas shenjtorit që mbante drutë në shpinë.
Po, qyteti i Karsit është i habitshëm! Figurat e drerëve dhe deleve të malit të punuara mbi shkëmbinj nga një gjuetar 12 mijë vite më parë në fshatin Çamëshllë (Çamışlı) të provincës Kaëzman (Kağızman) po të vini re me kujdes mund ti shikoni të “qëndisura” edhe në muret e Shtëpisë së Mjekut që gjendet në qendër të qytetit.
Romani “Në largësinë e Pagjumësisë së Bardhë”, një nga librat më gjithëpërfshirës që është botuar për qytetin e Karsit, që në fillim të stinës së dimrit dhe pothuajse deri në fund të pranverës veshet me një pëlhurë të bardhë, titullin e ka marrë nga një varg i poezisë “Karsi” të Xhemal Syrejasë (Cemal Süreya)… Shkrimet e libër, secili i shkruar nga një profesionist, rrëfejnë qytetin e Karsit nga shumë aspekte, duke filluar nga kultura e popullit e deri tek historia e qytetit para Mesjetës, ndërtimet monumentale e struktura social-ekonomike.
Qyteti është i njohur edhe për llojet e shumta të djathit… Këtu gjeni djathë kaçkavall, gravijer (djath zvicre), djathë caliku, djathë Çeçili dhe Saçak. Karsin mund ta përkufizojmë edhe si qytetin që “i është mposhtur djathit të bardhë”… Këto lloj djathërash zënë gjithmonë vend në bagazhet e atyre që kthehen nga ky qytet dhe bëjnë të lumtur ata që i marrin si dhuratë.
Nëse ju bie rruga nga provincat e Karsit, për shembull Susuz, do të shihni çobanët e vegjël që me shkopinj në duar drejtojnë tufat e patave për në kotece.
Patat janë shumë të rëndësishme për qytetin e Karsit, i cili është qyteti ku është ngritur çifligu i parë i rritjes së patave në Turqi. Aq sa, therja e patave që fillon me rënien e dëborës kthehet në një ceremoni. Mishi përdoret për gatim, puplat për jastëkë dhe jorganë, krahët për bilbila për fëmijë. Patat pastrohen, kriposen dhe thahen. Zakoni i fshatit është që të gjithë të gatuajnë mish pate në të njëjtën ditë. Pse vallë? Kjo bëhet për të mos ua shtuar nepsin fqinjëve. Edhe pse veçanërisht gatimi i mëlçive të patës është më popullor, banorët e qytetit e dinë mirë vlerën e patës, sa për të mos shpërdoruar as copën më të vogël të saj.
Kur flasim për qytetin e Karsit, nuk mund të mos përmendim Rrënojat Ani…
Shumë njerëz, para se të shohin Ani-n, mendojnë për një vendbanim të vogël e të thjeshtë, ndoshta për shkak të emrit të shkurtër që mban… Por nëse Karsi është luani, atëherë edhe Ani është krifa e tij! Ata që kalojnë nga Porta e Luanit dhe hyjnë brenda duke kaluar nga muret rrethuese, e kuptojnë se në çfarë vendi kanë ardhur. Një pjesë e kthyer në rrënoja e Ani-t, me Katedralin e Madh, Xhaminë Manuçher, zbukurimet në kishën Tigran Honents dhe kishat e tjera, Kishën e Shën Prkitch të ndarë përgjysmë prej rrufesë, Manastiri i Virgjëreshave në buzë përroit Arpaçaj, ura e Rrugës së Mëndafshit, banjot publike, shpellat dhe ndërtesat e tjera shpalosin përpara syve një të kaluar të mrekullueshme.
trtalbanian.com
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply