![]()
(Shqipëria e fotografuar nga të huajt)
Bajram Peçi*
(Pjesa e dytë)
Është shumë e vështirë të njihet tërësia e atyre të huajve që bënë shkrepje aparatesh fotografikë në Shqipëri. Mungesa e punës kërkimore dhe sidomos mungesa e planifikimit të fondeve kulturore, për kërkimin në muzetë europiane, ka bërë që historia e të huajve me fotografinë në Shqipëri, të ketë mungesa dhe të mos jetë e sistemuar. Edhe një studim serioz i artit të fotografisë, për të mos thënë i vetmi, që studiuesi Qerim Vrioni ka sjellë për lexuesin shqiptar, kryesisht i kushtohet fotografëve e studiove shqiptare. Çdo e dhënë tjetër është e duhet konsideruar si rastësore. Kështu u mundësua dhe shfaqja nga Budapesti e emrit të Andrè Kertèsz, operator ushtarak, një ndër emrat më të mëdhenj të artit të fotografisë, i cili është ndodhur në Shqipëri në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Fotot e tij në Shqipëri janë bërë të njohura tani vonë. Nga ky fotograf profesionist i famshëm, krijues i shkollës së fotografisë konceptuale, na kanë ardhur foto historike të viteve 1917-1919, me pamje kryesisht të Korçës e rrethinave të saj. Si vëzhgues i hollë, ai u dha fotove gjurmë të forta të kohës. Negativët në pllaka xhami të fotove ndodhen në koleksionet e Mèdiathèque de l’Architecture, në Paris.
Të kësaj periudhe renditen edhe një sërë fotografësh, kryesisht amatorë e që i përkasin njësive ushtarake franceze të dislokuara gjatë e pas Luftës së Parë Botërore në Qarkun e Korçës. Studiuesi Valter Gjoni, i cili vëzhgoi “Fondin e Medias Franceze” në Bibliotekën Kombëtare të Ministrisë së Kulturës Franceze, një mori prej tyre i publikoi pak kohë më parë në ambientet e Muzeut Historik në Tiranë. Fondi i përmendur më sipër ruan foto nga Shqipëria, shkrepje të aparatit prej Charles Martel, Leon Krajevski, Patrik Najbor, Fredenc Gadmer, Serge Beaurienne, Ted Dubray, Robert Vaucher dhe H. Grant.
Duket e pabesueshme, por nga Amerika është pikërisht një femër që eksploron Shqipërinë në vitet 1921-1922. Aventura e nxit shkrimtaren dhe një nga gazetaret më të paguara amerikane, Rozë Uajllder Uejni, që të shkelë vendin tonë. Në ekipin e saj ajo ka edhe fotografen Annette Marquis, me të cilën fotografuan pamje gjatë udhëtimit në Dukagjin, Pult, Shalë, Tiranë, të cilat më pas ilustruan botimin e librit “Majat e Shalës”.
Ndihmesë jo pak të vogël me foto historike në Shqipëri, nga viti 1924 ka dhënë arkeologu Luixhi Ugolini. Fillimisht në Koman e më pas në Finiq e Butrint, ai fotografoi peizazhe, vendgërmimet, punëtorët e grupin drejtues. Zbulimet më të rëndësishme arkeologjike ilustruan botime të Ugolinit, si p.sh. koka e Deas së Butrintit, sipas njohësve të artit antik-vepër e Praksitelit, në “Albania Antika, III”, faqe 87, e vendosur në atë periudhë në Muzeun e Termave në Romë. Luixhi Ugolini, më 1924-n fotografoi e botoi një koleksion të Shtjefën Gjeçovit, si dhe tri unaza të zbuluara në Koman, me mbishkrimet ende të pashpjegueshme bindshëm, “OITHI ISER” dhe “KER OITHI”.
Shpesh rastësia sjell informacion për shumë emra. Jo shumë kohë më parë u shfaqën për shitje në ankand një sërë fotosh nga Shqipëria, që i përkisnin periudhës së viteve 1927-1929. Janë dy udhëtarë autorë të tyre, Edward dhe Horace Colby. Ata sjellin peizazhe dhe banorë shqiptarë. Në një nga fotot, shfaqet prifti i një fshati, i mbuluar me petka ortodokse, që pozon me një vogëlushe të veshur keq, por dukshëm e hijshme me petkat e kohës, me gjymat e ujit mbartur në dy duar.
Rreth 15 negativë filmash, kryesisht me pamje nga Tirana, por edhe nga zona të tjera shqiptare, janë zbuluar në shtator të vitit 2008, që i përkasin konteshës Marion Grafin Donhoff, gazetares e botueses të së përditshmes gjermane “Die Zeit”; një nga figurat më zotëruese të sistemit liberal e tepër ndikuese në shoqërinë gjermane; një nga intelektualet më brilante të kohës, pjesëmarrëse e komplotit të dështuar për vrasjen e Adolf Hitlerit, më 20 korrik 1944. Ajo, së bashku me motrën e saj, Ivonën, u nisën në vitin 1928 nga Prusia Lindore dhe përshkuan Europën me një kabriolet të bardhë. U ndaluan edhe në Shqipëri, duke lënë pa mend e gojë hapur shqiptarët e ngratë dhe feudalët turkoshakë. Fotografitë e saj rrëfejnë çast pas çasti këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të dy vajzave ekstravagante.
Në këto vite, (ndoshta në vitet 1928-1929) Shqipërinë e viziton dhe e studion etnografi dhe fotografi austriak, themeluesi i disiplinës të etnologjisë së aplikuar, Hygo Adolf Bernatzik. Ai, pos përshkrimeve prozaike, na ka lënë një shumicë fotosh të botuara në librin “Europas Vergessenes Land”. Libri i botuar në Vjenë, në vitin 1930, ka një kapitull për Shqipërinë, “Vendi i harruar i Europës”, i ilustruar me 105 copë foto. Ato u përkasin vendeve të vizituara në Shkodër, Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Voskopojë, këneta e Tërbufit dhe e Maliqit, Liqeni i Ohrit dhe i Prespës. Shumë prej tyre janë unikale. Si etnograf dhe fotograf i shumë vendeve e kontinenteve, Bernatzik i siguroi vetes një vend të dukshëm në historinë e artit të fotografisë, mes të cilave hyjnë dhe ato të kryera në Shqipëri.
Nga vitet ‘30 një ushtarak i lartë, Dayrell Oakley, ka fotografuar në Shqipëri. I ndodhur në Shqipëri për organizimin e xhandarmërisë, krahas detyrës si ushtarak, na ka lënë foto të veprimtarive sportive, ku ndihmesa e tij ishte e gjatë në disa disiplina, por sidomos në futboll. Shfaqet në vitin 1932, në udhëtimin e tij në këmbë, nga Struga në Shkodër, holandezi A. Den Dolaard, prej të cilit, siç njofton Robert Elsie, na kanë mbërritur 8 foto nga Thethi dhe Dukagjini, malësi të cilat ai i shkeli në këmbë. Nga vitin 1935 kemi një koleksion të antropologes e albanologes Margaret Haseluck, prej 50 fotosh. Ajo jetoi në Elbasan për 13 vjet. Koleksioni i saj në vitin 1949 u dorëzua në muzeun e dhuratave të vogla në Londër, nga zbatuesi i testamentit, Ian Grand. Po në mes të viteve ‘30, në qytetet: Tiranë, Durrës, Krujë, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër e Sarandë, ka fotografuar gazetari suedez Sven Auren. Më 1939-n ka ardhur në Shqipëri sportisti gjerman, kampion i kanoes, Karl Karohl, i cili me dy bashkëkombës të tjerë, mes të cilëve një grua, përshkuan lumin Drin me kanoe, përgjatë gjithë rrjedhës, nga burimi e deri në Adriatik. Në botimin e librit me 125 faqe, “Dyrch Albanies Schluchten”, na ka sjellë 54 ilustrime me pamje piktoreske, të grupit udhëtues dhe barinj e banorë shqiptarë.
Periudha e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, duam apo s’duam ta cilësojmë, i solli artit të fotografisë rritje të dukshme cilësore. Së pari, u shfaqën fotografët italianë të propagandës fashiste. Prej tyre u vunë me shumicë në qarkullim kartolina e karta postare. Stabilimenti grafik “CESARE CAPELLO” në Milano editoi një emision me fotografi të panoramave e qyteteve Shqiptare; foto stampa “ANGELI” në Terni, gjithashtu botoi karta postare nga qytetet e Shqipërisë. “DE AGOSTINI” e Novara-s, qarkulloi në Itali e Shqipëri kartolina me foto kostume kombëtare e arkitekturë Shqiptare. Me fillimin e Luftës Italo-Greke shfaqen në territoret shqiptare një numër i dukshëm fotografësh, të cilët kanë lënë një fond të pasur me pamje nga Shqipëria dhe banorët e Jugut shqiptar: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër. Një fond i pasur fotografish nga Shqipëria ka ardhur nga instituti “LUCE”.
Nga fotografët italianë të kohës së pushtimit në Shqipëri vlen të veçohet inxhinieri Piero Ghiglione, i cili, për herë të parë, në vitin 1942, përfshiu në një botim, “Malet e Shqipërisë” të Institutit të Gjeografisë “De Agostini”. Fotografitë u realizuan prej tij në udhëtimet me këmbë, si dhe me mushkë e kuaj, duke shkelur e duke ngjitur tërë shpatet e luginat, nga Veriu në Jug të Shqipërisë. Shumë prej majave të maleve ishte e para herë që fotografoheshin dhe, madje, një pjesë prej tyre të papërsëritura më. Është pamja më e plotë që është dhënë ndonjëherë për tërësinë e maleve, majave, vendbanimeve në zonat e thella malore e banorët e tyre. E botuar me një lidhje luksoze, me foto të shtypura në teknikën monokrom, ajo ngelet si shembulli krahasues më me vlerë për fotografinë e terrenit, të dhënë nga një i huaj. Askush nga fotografët shqiptarë, bashkëkohës e të mëpasshëm, nuk ka mundur, që këtë tematikë, ta kapërcejë cilësisht. Në kujtimet e tij Piero Ghiglione shkruan “…duhet me pasë me vete një tendë edhe një thes lëkure me lesh; …po të mundesh, merr nji shtresë që mbushet me frymë, veç barrës së rëndomtë që përmbëledh litarë, gozhdë, kanxha, çekiç; nuk duhet harru një faqore uji që të nxajë shumë dhe një enë për ujë, 10-15 litrash prej gome, mbasi duhet pasë parasysh se shpesh herë në luginat e nalta të Shqipënisë mungon uji dhe asht punë e vështirë t’ia shtiesh në dorë shpejt, e prandaj asht mirë të kesh gjithmonë një tepricë qi duhet. Fundi, asht shumë e dobishme një rrjetë mushkonjash, qoftë dhe shumë e thjeshtë…duhet pasë gjithnji, bashkë me barnat e tjerë edhe langun kundër të kafshuemes së nepërkës, bashkë me gjylpanën e vet”.
Në vitin 1940, Shqipërinë e ka përshkuar shkrimtari gjerman, Lutz Koch, me bashkëshorten. Çifti udhëtoi në Europën Juglindore, deri në Turqi. Përshtypjet e udhëtimit shkrimtari i renditi dhe i botoi nën titullin, “Udhëtim nëpër Ballkan. 20 mijë km”. Prej tyre, historisë së fotografisë i kanë ardhur foto nga vendet ku kaluan, si: Korçë, Elbasan, Tiranë, Durrës, Krujë, Mamurras dhe Shkodër.
Së fundi, kemi një album fotografik të Vandeleur Robinson në vitet 1945-1946, në të cilat ka shumë ngjarje që lidhen me gjyqet e kohës të regjimit të ri.
*Koleksionist
Kureshti njerëzore
Ja si u zbulua Dritëshkronja
Francezi J.N.Niepce ishte njeriu që parimin e dritëhijes, të përdorur nga arabët në vrojtimet e eklipseve, e zbuloi si proces kimik për ruajtjen e pamjeve. Në vitin 1826, ai realizoi foton e parë në letër klor-argjendi, por të parezistueshme ndaj dritës. Ishte shoku e bashkëpunëtori i tij, L.Daguer, që zbuloi metodën për ndriçim të shkurtër të një pllake prej jod-argjendi, e cila ruan qëndrueshmërinë e shtypur nga zhiva.
Ja si ndodhi! Luis Dageri ndriçoi një pllakë, por e ndali zhvillimin, sepse moti me ndriçim të dobët nuk e ndihmonte. Pllakën e vuri për ruajtje në dollapin e kimikateve. Kohë më vonë, kur e nxori, pa se në të ishte vizatuar një foto. Dikush nga kimikatet në dollap kishte ndikuar, duke shkurtuar kohën e ndriçimit. Filloi të fuste në dollapin e kimikateve pllaka të reja e në çdo rast largonte nga një kimikat, deri sa arriti që në dollap të ngelen vetëm disa pika zhive, e cila i dha fund enigmës. Foto-pllakat e përpunuara me zhivë kishin shumë më pak kohë nevojë ndriçimi. Procesi e mësoi që kohën e ndriçimit ta kufizonte në 4 minuta në verë dhe 15 minuta në dimër. Më 19 gusht të vitit 1839, shpikja u njoh zyrtarisht dhe u regjistrua.
![]()
9. Eduard dhe Horace Colby 1927, foto një prift fshati dhe një vajzë e vogël
![]()
10a.Marion Grafin Donhoff, 1928
![]()
11. Misioni arkeollogjik i Ugolinit 1924, foto nga Butrinti
![]()
12a.Korca 1916
![]()
12b. Foto nga rrethinat e Korçes 1916.Ushtarak francez
![]()
13.Hugo Adolf Bernatzik 1028, foto grua dhe burrë në Tiranë
![]()
14.Karl Karohl, durrës 1930
![]()
15. Piero Ghiglione 1941, malësore të vogla nga Thethi
![]()
Burrë i armatosur nga toskëria
![]()
16.Lutz Koch, pamje nga Kruja, 1941
![]()
De Agostini 1939, zadrimorja
![]()
H. A. Bernatzik 1928, foto grua kosovare në tjerrjen e leshit
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply