Afrimi i përvjetorit të 100-të të shpalljes së pavarësisë së shqiptarëve, përveç të tjerash gjithnjë e më shumë nxjerr në pah figura të ndritura të kombit që e përgatitën kohë pas kohe këtë ngjarje të madhe. Janë tashmë të evidentuar dy figurat kryesore të ditën së 28 Nëntorit si Ismail Qemali dhe Dom. Nikoll Kaçorri, por edhe shumë të tjerë që firmosën aktin sublim të themelimit, ndërkohë që përveç këtyre, kishte edhe një armatë të madhe luftëtarësh dhe politikanësh që ishin shtylla të rëndësishme për përgatitjen e kushteve historike, luftarake dhe politike, për shpalljen e pavarësisë. Shtrirja e aktivitetit të tyre ishte në të gjitha trojet shqiptare, por edhe kudo ku kishte shqiptarë, pa përjashtuar këtu edhe aktivitetin brenda Ports së Lartë.
Njëri prej tyre padyshim është edhe patrioti mirditas Preng Gegë Marku (Kaçorri) i cili për një kohë të gjatë ishte një ndër kontribuuesit më të spikatur të shumë lëvizjeve luftarake dhe politike të kohës, ndonëse zanafilla e aktivitetit të tij patriotik shqiptar fillon në kohën kur ai ishte ushtarak i lartë i Stambollit.
Kush ishte Preng Gegë Marku (Kaçorri)?
Kaçorri lindi në vitin 1824 në njërin prej shtatë bajraqeve të Mirditës, i njohur si Bajraku i Kthellës, në fshatin Bungaj, shumë pranë ku sot shtrihet qyteti i Rrëshenit si qendër administrative dhe poliitke e Mirditës. Nevoja për shkollim e çoi në Serbi, dhe në vitin 1838 përfundoi 8 vitet e para të shkollimit të tij. Por ai nuk përfundon këtu, pasi niset për studime të mëtejshme në Stamboll. Në kryeqytetin e vendit pushtues ku për çudi shumë shqiptarë kishin shënuar sukses në karrierë, Preng Gegë Marku përfundon shkollimin e lartë ushtarak në Akademinë Ushtarake të atij vendi. Falë zotësisë së tij dhe rezultateve të larta, komanda e asaj shkolle e mban në shërbim të mësimdhënies, ndërsa gjashtë vjet më vonë, mirditasi Kaçorri emërohet nga vetë Sulltani në detyrën e besuar të komandantit të Akademisë Ushtarake. Por gjithashtu Sulltani i akordon gradën e lartë të gjeneralit.
Arratisja e Gjeneralit
Por edhe se i shkolluar dhe në shërbim të Sulltanit, padyshim mendja i ka punuar edhe për trojet e vendit amë, teksa në gusht të vitit 1873 kur po bënte pushimet në njërën prej rezidencave qeveritare në Anadoll të Turqisë, vendos kontakte me ambasadorin britanik në këtë vend. Duke pasur besim te i shpreh vendosmërinë se do të tradhtonte Portën e Lartë dhe Sulltanin që i kishte shërbyer për 30 vjet me radhë, duke i parashtruar edhe planin e dezertimit.
Ambasadori britanik i garantoi strehim politik në Britaninë e Madhe, duke i siguruar pasaportën dhe leje-kalimin, ndërkohë vetë ai e shoqëron nga ambasada në portin e Stambollit, duke i krijuar mundësinë e udhëtimit me anije bashkë me dy diplomat të tjerë për në Britani, duke ju shmangur me sukses rojeve sekrete të Portës së Lartë.
Pasi zbret në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar, ai sigurohet në rezidencën qeveritare britanike në Londër, nën masa të rrepta sigurie për tu fshehur nga gjurmët e agjenturave turke.
Në fund të vitit 1874, gjeneralin e shoqëruan një grup oficerësh të zbulimit britanik dhe e dërgojnë në Itali për arsye sigurie, pasi agjenturat turke e kishin më të vështirë për të deportuar në shtetin italian. Një vit më vonë vendosi të kthehet përfundimisht në Atdhe, ku shoqërohet nga shërbimi sekret italian me një anie ushtarake drejt Durrësit, por për mungesë sigurie e zbresin në portin e Ulqinit, ku prej aty mbërrin në Mirditë.
Në Shërbim të Atdheut.
Gjenerali Preng Geg Marku (Kaçorri), bie menjëherë në kontakt me shumë rilindas të veri-lindjes së Shqipërisë, si me Isa Buletinin, Dom Nikoll Kaçorrin, Bajram Currin, Ded Gjo Lulin, Elez Isufin, etj, të cilët organizonin të gjitha trevat e veriut duke bërë propagandë për të bindur dhe sqaruar për mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, e kjo duhej domosdosshmërisht një kryengritje e përgjithëshme, e cila u arrit.
Me punën e tyre të përkushtuar ngritën peshë trevat e veri-lindjes së Shqipërisë si; Mirditën, Kurbinin, Lezhën, Shkodrën, Malësinë e Madhe, Matin, Dibrën, Lumën etj. dhe mobilizuan vullnetarë me një forcë prej 7000 veta.
Ngrihet Armata Kombëtare me Komandant të përgjithshëm Gjeneral Pren Geg Markun (Kaçorri), dhe zv. Komandant Isa Boletinin si dhe anëtarët e shtabit të mbrojtjes, Idriz Seferi, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Sulejman Vokshi, Jakup Ferri etj, të udhëhiqnin e komandonin shtabin e mbrojtjes së Prizrenit.
Për mbrojtjen e Kuvendit të Prizrenit morën pjesë dhe shumë mirditorë ndër të cilët po përmendim disa prej tyre si: Vokërr Mark Tarazhi, Ndue Gjet Lazër Tarazhi, Preng Nikoll Gjoka, Gjok Bib Doda, Pjetër Përtena, Llesh Preng Ruci, Nikoll Geg Bardhi, Nikoll Zef Kacorri, Bajraktari i Kthellës Gjon Melyshi e Gjet Ndrec Bajraktari nga Rresheni.
Preng Gjin Marku,e Preng Dod Molla, Malaj, Kros Përloshi, Ndërfushaz, Nikoll Llesh Uksani, Skuraj, Prend Bardhoku, Milot, Preng Ndue Përkola, Manati, Ndue Gjon Leka e Preng Pjetër Gjergji, Kryezez, Mark Geg Doda, Vel, Pjetër Beleshi, Kthellë-Epër, Nikoll Ndue Skana, Orosh, Gjok Preng Gjeta, Shebe, Ndue Geg Përkola e Cub Ali Musa, Baz, Frrok Mushta, Spac, Ndue Ndre Beqiri, Simon, Zef Ndue Kol Xhaci, Fanë, etj.
Porta e Lartë turke përdori të gjitha mjetet, sidomos rushfetin (lira turke) tek disa bajraktarë të shitur, dërguan forca ushtarake që të ndëshkonin kryengritësit dhe të fabrikonin intriga nga më të ndryshmet për të përçarë e penguar me çdo kusht kryengritjen e armatosur të Lidhjes së Prizrenit.
Në luftimet kundër turqve janë të përmendur nga treva e Topajanit të Bajrakut Parë të Lumës, atdhetarët Sait Gega e Ahmet Qehaja, si luftëtarë e udhëheqës popullor që u prinin malësorëve në fushën e betejës, aty ku rreziku ishte më i madh të cilët dilnin me fitore, pasi ishin njohës të mirë të terrenit.
VRASJA
Me 22 Prill 1881 në betejën e Ceralevës në Kosovë, në përfundim të luftimeve gjeneralin e goditën me një plumb në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Pas tërheqjes së forcave shqiptare, Pashai me një grup oficerësh turq marrin kufomën dhe në shenjë rebelimi i presin kokën dhe e dërgojnë në Portën e Lartë në Stamboll, duke i treguar Sulltanit se tashmë Gjenerali Preng Geg Marku (Kaçorri) nuk jetonte më.
Në ceremoninë e varrimit merr pjesë populli i mbarë Kosovës i Mirditës dhe krahinave të tjera të veriut të Shqipërisë ndërkohë që pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një delegacion nga Vatikani me në krye Ipeshkvin e Romës i cili ngriti meshën e lamtumirës. Pas ritualit ceremonial, trupi i pajetë varroset pa kokë në Kishën e Deçanit, Kosovë.
Forcat Osmane të drejtuara nga komandanti i ushtrisë Dervish Pasha, thyejnë rezistencën e shqiptarëve dhe dënoi me vdekje, burgime të rënda e internime popullin në masë.
Këto përndjekje dhe vuajtje do të vazhdonin pa ndërprerje deri në kohën që Shqipëria u bë e lirë dhe e pavarur.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk”Shkodrani



Leave a Reply