-Ju jeni nga Mezhgorani i Tepelenës, një trevë traditash. Cfarë kujtimesh pikante ju ndjekin nga vendi i prindërve tuaj?
– Po. Unë jam nga Mezhgorani. Une kam lindur në Tepelenë dhe jetuam për pak vite, pasi babain e transferuan dhe e çuan si kryetar kooperative për fshatrat Mezhgoran dhe Peshtan, në periudhën e komunizmit… Punoi për disa vite me ndershmëri dhe me nje miqë si të pandarë me të gjithe fshatin, por më vonë e hoqën me urdhër ” nga lart”!!! Kreu punë të rënda në kooperativë së bashku me nënën (Pastë paqe!) e të tjerë gra e burra. Puna e tyre me përmasat e skllavit, pothuaj e papaguar është një nga brengat që më dhëmb vazhdimisht.
Im at, veteran i Luftës Antifashiste, megjithëse me ndershmëri të përhershme, edhe sot është i pastrehë…
Por është fakt se prindërit e mi dhe gjithë fshati, mbasi punonin në vapë e acar, në tufan e të shoqëruar nga blerimi, brenda botës shpirtërore mbanin vend për librin. Ishin dhe janë miq të mëdhenjë të dijes. Kjo kulturë në kushte tejet të vështira, dëshmon për vitalitet, inteligjencë natyrale, prirje e ngjitje këmbëngulëse drejt së panjohurës.
Kjo aftësi është pothuaj genetike, duke pasur parasysh faktin se pikërisht tek ky vendbanim mes gurëve (“Mesguras”, emri autokton shndërruar nga sllavët në “Mezhgoran”, në shekujt IX – XXI), janë tre kroje me emrat: i Erës, i Diellit, i Hënës, që sjellin pranë emrat e Perëndive Pellazge, një pasaportë e identitetit në mijëvjecarë.
Në lidhje me kujtimet pikante, dua të them se shoqëria e shkollës fillore, më ndjek në çdo vënd të Amerikës, në jo pak moment të meditimit…Sa më shumë rritemi, aq më shumë dëshirojmë të kthehemi tek periudha kur ishim të vegjël, si dega e pemës mbi lastarët.
. Jam futur në shkollë në moshën 5 vjeçe, në klasën e parë. Se harroj kurrë ditën e parë si dhe mësuesit Zoin, Naimin, apo të tjerët. Prindërit më mësonin poezi dhe t’i recitoja. Në shtëpi më kishin ngritur një skenë provizore. Kur ishja gati, më hipnin mbi valixhen e madhe të gjyshit, që kishte sjellë nga Amerika, si tip sepete me ngjyrë të artë, paksa e lartë… Nuk shkoja në shkollë pa kaluar provën para prindërve…Këtë mënyrë të thjeshtë, por jo pak të rëndësishme, e kujtoj dhe tani. Me mbesën time Dean, improvizoj skenën. Zakonisht përdorim shkallët brenda dhomës, në vend të podiumit…, kur ajo është gati për të cituar ndonjë varg .
Kapja e xixëllonjave është një motiv tjetër lirik që mund ta krahasoj përveçse me fëmininë, si moshë dhe me Mezhgoranin si vend.
Mandej krijonim një botë të tërë tonën në rrethin e fëmijëve. Merrnim qershitë e kuqe dhe i vendosnim në vesh.., në vënd të vathëve …Improvizonim lojën me litar, duke u hedhur, pranë portës së shtëpisë sime. Nga porta e gurtë gjatë lojërave, kam ende një shenjë në ballë, ku një shoqja ime, natyrisht padashje, më lëshoi majën e çengelit të portës. Më rrodhi gjak. U mblodhën gratë e mëhallës. Më vendosën bimë dhe ma lidhën me shami…Ai nishan i mbetur, ndoshta është një mesazh hyjnor, për të mos ta harruar kurrë vendlindjen.
Babai përveçse pasionin për librat, kish pasion për rrtijen e bletëve. Kishim disa koshere. Më ka pëlqyer shumë marrja e mjaltit në ditët e bukura të verës. Prindërit vendosnin kokoret dhe tymosnin drejt piteve, të shmangnin pickimin. Zhaurima e bletëve ish një koncert në një kompozim magjik. Ato këndonin në fluturim e sipër dhe mandej rridhte mjalti nga shtrydhja e piteve në makinë….Nëna u servirte mjaltë atyre që vinin, apo kalonin në rrugë…Krijohej një farë feste në këtë lartësi të gurtë, ku jo shumë larg ecte lumi i Vjosës.
Mbledhja e sherebelit është një motiv tjetër që s’mund ta harroj. Ngriheshim herët, shkonim pas prindërve, u ngjiteshim zallishteve ku bleronin kaçubet dhe këpusnim gjethet e i vendosnim në futane…Këndonim këngë dhe në një farë mënyre sfidonim izolimin apo varfërinë e tejskajtë…Njerëzit gjenin mënyra të mbijetonin e të jetonin…Por ende më dhëmb fakti që grurin e prodhonin në fshat dhe e konsumonin në qytet… Një fshat me traditë blegtorale arriti të vuaj për pikën e qumështit…Rroba e re ish një ëndërr…Tani jam në vëndin më të përparuar e demokratik të rruzullit, me të gjitha kushtet, por motivet e fëminisë s’mund t’i shmang dhe as që dua t’i shmang…Dhimbjen nuk mund ta shmang, dhe s’përpiqem ta shmang… Remarku pëshpërit nga universi i tij : “Lumturia nuk gjendet asnjëherë në momentet kur ne e jetojmë, atë e bëjnë magjike vetëm kujtimet tona”.
-Mezhgorani është quajtur nga shumë njerez si fshat me kulturë, djep personalitetesh
Për fshatin tonë thuhej “derë e kurbet”, emigrim,vazhdimisht emigrim. Nuk ka shtëpi në Mezhgoran që mos të ketë patur emigrantë: në Francë, Amerikë, Greqi etj.dhe disa prej tyre mbaruan universitetet më të njohura… Ata që shkuan në Francë dhe Amerikë sollën nga kultura franceze mendimin më të përparuar dhe Lirinë që e mbajtën brenda shpirtit . Mjaft prej tyre, ashtu si edhe im gjysh, sollën nga Vatra e Amerikës mjaft libra, një pjesë të të cilave ua mbanin në doganë.
Kryesisht, emigrantët e Francës sollën me vete parimet e iluminizmit dhe kjo ishte një nga arsyet që në vitet 20-të të shekullit që shkoi, fshati i Mezhgoranit u bë epiqëndra e mësuesve që u përhapën në të gjithë trevën e Tepelenës.
Dhe jo vetëm kaq. Për të pasur me vete një fragment nga Franca, një rrugeje të fshatit ja vendosën emrin “Bonaparti”, në nderim të heroit të famshëm…Arkitektura e shtëpive të gurta ishte dykatëshe, me gurë të gdhëndura, brënda oborresh me mure të lartë, që të jepnin imazhin e aristokracisë perëndimore të shkrirë në gurin dhe motivet autoktone.
Mezhgorani është pjesë e Tepelenës e cila ka nxjerrë burra të përmasave botërore, që kanë rrezatuar ndjeshëm jo vetëm në historinë dhe kulturën kombëtare: Ali Pashë Tepelena(1740-1822), Selam Musai(1860)-1920), Sten Dragoti(1932), pjesë e komunitettit shqiptaro-amerikan, aktualisht regjizor I famshëm me përmasa botërore, të cilin kam pasur nderin ta intervistoj në Manhattan .
Në kuadrin e personaliteteve të mëdhenj të Tepelenës dhe të Shqipërisë hyjnë nga Mezhgorani: Fehmi Bej Mezhgorani i(1874-1930) i cili ka kryer studimet në Zosime dhe në vitin 1909 ka qënë kryeredaktori i gazetës “Zgjimi”, duke dhënë kontribut të shquar në vigjilje të Pavarësisë. Sami Mezhgorani, ka dhenë kontribut btë shquar në çështjen patriotikë shqiptare. Një grup i tërë mësuesish kanë hapur jo vetëm shkollën shqipe në Mezhgoran, por janë shpërndarë e kanë hapur një grup shkollash shqipe në tërë trevën e Tepelenës në vitet 30-40. Sejfulla Malëshova(1890-1971), me nënën nga kjo trevë, ka kryer shkollën fillore në Mezhgoran. Ai arriti të bëhej personalitet nga më të shquarit e kulturës dhe politikës shqiptare, disident dhe përkthyes i Zgalemit, me përmasat e përkthimit nolian.
DR.Përparim Tepelena(1931-1966) një studjues dhe mjek i shquar arriti të zbulojë dhe të mbrojë disertacionin me vlerat e Ujit “Glina”, uji më i famshëm në Shqipëri e ndër tre ujërat mineral më të famshëm në kontinenttin europian. Ana Jakushenko(Tepelena), është studjuese e shquar në Moskë etj. që mund të vendosen denjësisht në panteonin e personaliteteve të Shqiparisë.
-Cili është arsimimi juaj si dhe aktiviteti pedagogjik e shoqëror?
Mbarova arsimin e lartë për mësuese e gjuhës dhe e letërsisë në Universitetin “Aleksasnder Xhuvani.
Ushtrova profesionin e mësuesisë në gjimnazet e Tiranës, pasi ishja e martuar qysh studente dhe kishja një bebe: Valbonën e cila më krijoi kushte për të punuar në Tirane pranë bashkeshortit tim Qemalit, i cili në bazë të rezultateve ishte mbajtur direkt pasi mbaroi Universitetin e inxhinierisë në Institutin e projektimeve të Ushtrisë, po në Tiranë.
Letërsia dhe mësuesia kanë qenë pasioni im i përhershëm.
Ato më kanë bërë të komunikoj lirshëm me nxënësit dhe t’ju krijojë hapësirën e nevojshme për t’u lidhur me botën e artit. Në pervojën time kishja kuptuar se sa më shumë e ngurtë dhe pa nerv të komentoje medoemos që ora do të ishte e akullt dhe shokuese për të rinjtë. Në klasë harroja çdo problem familjar apo shoqëror. Isha pjesë e nxënësve dhe e mesazheve letrae, artistike, shoqërore e pedagogjike që duhej t’jua transmetoja me kujdes, në mënyrë të natyrshme për tua bërë pjesë të përsonalitetit.
Krijohej një miniteatër me nxënësit, ku aktrimi mësues- nxënës ishte në harmoni, në rezonancë të plotë mes tyre, duke patur jo pak herë parasysh thënien e poetit të famshëm Robert Frost:
“Ka dy lloje mësuesish: nje lloj që ju mbush me shtëna dhe trembeni aq shumë sa që nuk mund të lëvizni, dhe lloji tjetër që ju stimulon dhe ju hidheni në qiell…”.
Vetë lënda e letërsisë të vë në lëvizje, të jep jetë, në gjimnazin “Cajupi”, ku punova, lëvizja, jeta arrihej me disa aktivitete të traditës si psh orët letrare, gazeta ”E ardhmja”etj. Spektaklet për Miss “Cajupi” s’ka se si të mos të quhen pjesë e rrezatimit të etikës dhe estetikës së letërsisë dhe artitt. Nga ky gjimnaz dolën dhe fituan tre misse konkuruese në Miss Shqipëria: Monika Zguro, Juela Meçani,Vilma Papajani (ish nxenesja ime për katër vjet në kujdestari) .
Kam marrë pjesë rregullisht në studiot që u organizuan rreth projektit për zhvillimin e arsimit në Shqipëri nga CDU, seminare që drejtohej nga amerikanë dhe një vajzë e re intelektuale plot energji Blerinda Idrizi.
Në jetën politike u përfshiva me Partine Demokristiane e cila u krijua menjëherë pas PD dhe PR-s gjatë përmbysjes së diktaturës, nga intelektualë të zotë si prof.Gjergj Ndoja, inxh.Franc Marku etj… U zgjodha sekretare e PDKSh-s dhe drejtova gazetën “Ora e Shqipërisë”, për të cilën ju jam mirënjohëse gjithe demokristianëve të Shqipërisë që ma besuan këtë detyrë në Kongresin e saj të parë që u mbajt në Tiranë në vitin 1994.
-Kur ka qënë puthja juaj e parë dhe çfarë keni ndjerë në takimin e parë të buzëve të partnerit. Natyrisht ju keni qenë në epiqendër të djemve shumë herët mbasi keni qenë shumë e bukur. Thonë se ju quanin Helena e Trojës për flokët e verdhë dhe sytë e kaltër. Desha të dija për puthjen e adoleshencës, më magjikja dhe natyrisht më e fshehta… A ja tregove dikujt?
– Është pak rast unikal, por puthja ime e parë e adoleshencës ka qenë me bashkëshortin tim, me të cilin s’u ndava për tërë jetën. Ka qenë krejt rastësi njohja me të, ndërsa unë ishja në vitin e parë në Pedagogjiken e Fierit, ai vazhdonte inxhinierinë në Tiranë nga kontigjenti i ushtrisë. Puthjen e parë nuk ja tregova askujt, por takimet me të morën dhenë se ai vinte nga Tirana dhe më takonte fshehtas… Kështuqë filluan thashethemet,” spiunuan” tek drejtoresha e shkollës e cila thirri me urgjencë prindin tim… Sidoqoftë marrëdhëniet tona mbetën shumë serioze dhe nga më romantiket e jetës sime..
Ish drejtoresha e shkollës, (Bubulina Mici,motra e Fatos Arapit, bashkëshortja e shkrimtarit Aristotel Mici), pasi u njoh zyrtarisht me Qemalin,( i cili kur u emërua në Institut te projektimeve si inxhinier kishte fatin të kishte në zyrën e tij një mikeshë të Bubulinës, Jolandën), do të na e bënte dhe më të lehtë marrëdhënien tonë.
Letrat me njeri-tjetrin sa poetike po aq dhe me nektar dashurie, ngelen një arkivë e familjes sonë, që të sjellin shumë humor dhe lumturinë e një kohe që s’mund të quhet kurrë e largët…
…Në lidhje me epitetet Helena e Trojës, Libera,… Kleopatra për brunet etj, ishin të kohës për shumë vajza, ose siç jepen dhe sot pa masën e duhur, ku ka rrezik të dali e gjithë Shqipëria “Miss Bota”!…
– Ju patët një karierë jo të vogël së bashku me bashkëshortin. Si i ndihmuat proceset demokratike në përmbysjen e diktaturës dhe cilat qenë arsyet që shkuat në Amerikë?
Është e vërtetë që po ecnim relativisht mirë. E mbështetëm me kulturë demokratike dhe sakrificë gjithë procesin e rrëzimit të diktaturës, grevën e urisë së studentëve, ku brenda grevës kishim mikun e familjes sonë prof.Mehdi Shehun, një intelektual plot kulturë dhe kundërshtar i hapur i regjimit. Kemi qenë në gjithë demonstratat që u zhvilluan deri në rënien e bustit të diktatorit dhe të komunizmit, ditë që u nisëm nga sheshi i studentëve, ku me artopalant na drejtoi drejt sheshit kryesor aktorja e njohur Yllka Mujo
. Do të kishja dëshirë të kishim aparat fotografimi për t’i pasur si relike ujin me ngjyrë që lëshuan makinat e policisë duke filluar para TV Sh-s drejt trupave tanë. Apo me vidio: thirrjet: “policia është me ne, policia është me ne!..”
.Kam lexuar në emër të gjithë mësuesëve të Tiranës telegramin në mbështetje të grevës së urisë së studentëve në Pallatin e Kulturës në Tiranë, që drejtohej nga Ylli Vejsiu.
Për të gjitha këto bashkëshortin tim e transferuan nga Ministria e Mbrojtjes, pasi ishin me gishta demokratët që ishin shfaqur publikisht dhe e çuan si shef katedre në Akademinë Ushtarake, jo se ishte vend i keq, por ishin të detyruar si rezultat i kualifikimit që kishte pasi kishte dhënë gjithë provimet e dizertacionit dhe kishte vetëm mbrojtjen e temës. Vendi i punës kërkonte kualifikimin pasuniversitar.
Edhe pse bashkëshorti im në kohën e demokracisë punoi në disa institucione të larta si shef katedre në Akademinë ushtarake për lëndët inxhinierike, dhe paskësaj në Korpësin e Paqes pranë Ambasadës Amerikane, ndërkohë kishim dhe autoshkollën tonë private, ku kishim të punësuar inxhinierë dhe disa specilasitë për makinat, po ndjenim se ishte e pamundur jetesa, ngase vendi po shkonte drejt luftës civile… Plasën demonstratat nga studentët në Vlorë, firmat piramidale dhe shumë gjëra të tjera që po sillnin erën e luftës… Liderët e dy partive kryesore ishin në luftë për jetë a vdekje me njeri-tjetrin… Ne ishim të bekuar se e kishim marrë vizën për në Amerikë qysh në Maj të vitit 1996 dhe akoma nuk e kishim vendosur. Në 26 shkurt të 1997 ës, dy ditë para se të mbyllej aeroporti,vendosëm dhe u larguam për në Amerikë.
.. Ishte e dhimbshme, e tmerrshme të ikje, të ikje sa më parë ndërsa po shkatërrohej gjithçka, po hapeshin depot… Cili shqiptar s’mund të ikte në se kishte vizën në xhep?…. Kjo ikje ka qënë nëpër erën e tragjedisë që po ndodhte në vendin tonë….
-A i kërkuat rrënjët e të parëve tuaj si emigrantë atje dhe çfarë ndjesie provuat?
Familja ime kishte kohë që kërkonte gjyshërit si nga nëna dhe babai në Amerikë si Hamit Veis Mexhgorani, Muhamet Veis Mexhgorani dhe Shaban Muçi nga Beçishti i Tepelenës (ky i fundit është xhaxhai i nënës sime).
Gjyshi im Hamit Veis Mexh(zh)gorani, kishte ardhur në Amerikë në fillim të shekullit të kaluar, por ishte e pamundur ta gjenim, ngase nuk dispononim asnjë dokument të shkruar. Atë ditë që unë gjeta emrin e tij ishte një nga ditet më të gëzueshme të jetës, sepse gjeta rrënjët e trungut, gjeta gjyshin tim aq të dashur dhe fisnik, gjeta gjurmët e tij këtu në Amerikë rrënjët e pemës sonë në perëndimin…
Gjyshi u kthye në Shqipëri me libra të Fan Nolit, ku disa prej tyre ja sekuestruan në doganë.
Që ditën që kam shkelur në Amerikë, gjyshi im më dilte në ëndërr e kudo! Unë që javën e parë, pra në vitin e mbrapshtë të 97-s , pa ambientuar me Amerikën, doja të shkoja tek Statuja e Lirise për të gjetur në mur emrin e gjyshit tim.
Shumë përpjekje, shumë kërkime, edhe me vajzat e mia dhe babain, shkuam disa herë së bashku, por mundimi ishte i kotë ngase mbiemrin tëgjithë emigrantët e asaj kohe në përgjithësi shkruanin emrin e fshatit nga vinin. Kështu ata shkruanin përpos emrit të babait dhe Me (xh) zhgorani, që ne fakt ishte e shkruar me xh jo me zh sic e dinim nga drejtshkrimi…
Një ndjenjë ngazëllimi më përshkoi të tërën, kur para syve në kalendarin e motit te vitit 1912 te Fan Nolit publikuar në vebin e Vatrës, lexova një grup të madh nga Mezhgorani i Tepelenës, që kishin paguar për Vatrën.
Gjej rastin të falënderoj prof.Peter R Priftin, At Arthur Liolinin dhe z.Naum Priftin të cilëve iu shkruajta për gjetjen e gjyshit dhe për të gjithë emigrantët Mezhgoranas që mbështetën kauzën e Nolit.
Prof.Peter R.Prifti, në përgjigjen e letrës së tij, ish sekretar dhe editori i Diellit në kohën e Nolit, si dhe një personalitet i shquar i Kombit më shkruante:
“Sikundër popujt kanë nevojë të dinë për historinë e kombit të tyre, ashtu dhe njerëzit kanë nevojë të dinë për pjesëtarët e familjeve të tyre që kanë “humbur”, qofshin ata prindër, gjyshër, vëllezër, motra, etj. Kanë nevojë të zbulojnë rrënjët e tyre familjare. Ti je një nga këta fatmirë, që ia arrijnë qëllimit”.
-Pak e habitshme, që ju arritët së bashku me bashkëshortin dhe vajzat tuaja të ngrinit televizionin në gjuhën shqip “Alba Life” dhe dy shkolla shqipe.
Jemi habitur jo vetëm ne, por edhe komuniteti shqiptar në Amerikë…Vërtetë si mundët?
Të jesh në Amerikë aspak nuk është e habitshme për të realizuar ëndrrat që ke, nëse ke vullnetin, pasionin, përkushtimin dhe punën pa orar dhe pa kushte për çfarë do të realizosh. Si gjithë emigrantët e tjerë në fillim përballohesh me vështirësi të mëdha sidomos kur je pa dokumentat, por fati ynë ishte që vajzat i sollëm si “exchange student” në shkollë të mesme në Amerikë dhe po vazhdonin universitetet ndaj nuk kishim probleme të kësaj natyre. Pra ishim më të lirshëm. Ndërsa bashkëshorti kishte ardhur i përgatitur totalisht sidomos me gjuhën që dispononte.
Arritja ndoshta është dhe nga profesioni i mirëfillte si mësuese e letërsisë. Jam gjithmonë ënderrimtare dhe besoj në realizimin e tyre (edhe pak fluturim). Ky lloj ëndërrimi më sjell pranë fjalët e nobelistit Anatole Franc : “Për të arritur gjëra të mëdha, nuk duhet vetëm të veprosh, por edhe të ëndërrosh, jo vetëm të bësh plane, por edhe të besosh”.
E kam pasur ëndërr të bukur artin, poezinë, TV-n, dhe pse një copëz e këtyre më ishte realizuar në Shqipëri nga vajza e vogël Klodiana atëhere adoleshente, e cila ishte drejtuese e emisionit për femijë tek “Pafi” në TVSH, në Tiranë. Duke pasur një përvojë disa vjeçare si bashkëpunëtore e TV Kultura Shqiptare me producent Adem Belliun, që e falënderoj, ndërsa Qemali mbaroi për programim kompjuteri në një kolegj në Amerikë i cili doli valeditorian (studenti më i mirë), ne ishim të gatshëm për shumë gjëra teknikisht dhe profesionalisht. Vendosëm të hapnim TV “Alba Life”. Pasi u trainuam për më shumë se një vit nga TV amerikan në Staten Island , Neë York, u licensuam ligjërisht, filluam transmetimin e emisioneve.
Emisioni i parë ishte për Shkollat Shqipe, shkolla që i hapëm ligjërisht me leje nga Bordi i edukimit të Nju Jorkut. Ndërkohe jepnim mësim në shkollen shqipe dhe po punonin shume rëndë për të sjellë fëmijë dhe për t’i mësuar ata. Duhet të kuptojmë se nxënësit janë të lindur këtu dhe kanë shumë vështirësi në të folurën shqip… Por bashkëpunimi plot kulturë me mësueset që kanë qenë bashkë me ne në çdo kohë e ka bërë dhe më të lehtë… Gjithashtu dhe bashkëpunimi me Z.Amir Suka që është drejtori i programit në TV, ka bërë që në të të realizojmë punë të devotshme. Pra, përvec vullnetit, bashkëpunimi sjell sukses.
Pastaj vazhduam më tej me hapjen e shkollës tjeter në Brooklyn dhe emisionet u shfaqen me orë më të zgjatura, me ditë më shumë. Ndërkohë tani jepenemisione dhe në paketën digitale TV Alb.
-Cilët janë disa nga personalitetet e shquara që keni intervistuar?
Kam pasur fatin të bashkëpunojë qysh në fillim me gazetën e mirënjohur “Illyria”, “Dielli”, TV Kultura shqiptare, më vonë me TV Alba Life dhe kam intervistuar shumë personalitete, ku mund të përmend disa prej tyre:
Regjisori i Hollivudit Stan Dragoti, Prof.Peter R Prifti, At Artur Liolin, prof.Sami Repishti, Dr.Elez Biberaj, Prof.Shenasi Rama, ish Kongresisti Joe Dio Guardi, keshilltari James Vacca, avokati Sabri Gjoni, Mark Gjonaj, fotografi Fadil Berisha, Tony Dovolani, Ermira Cunmulaj, Amir Suka, Dritan Mishto, Ruben Avxhiu, Eduard Dilo, Viktor Martini, Lek Pervezi, Grid Rroji, Sali Berisha, Arta Dade, Teuta Arifi, Ibrahim Kolari, Avokati Steven Kaufman, Dr.Gjon Bucaj, dr.Gani Abazi, Agim Shehu, Pëllumb Kulla, Naum Prifti, Novruz Shehu, Fatos Kongoli, Gjekë Marinaj, Ramiz Gjini, Adnan Mehmeti, Dalan Luzaj, Skifter Këllici, Pirro Loli, Petrit Ruka, Demir Gjergji, Hajro Ceka, Aurela Gace, Entela Barci, Bledar Maqellara, Diana Zerega, Richard Lukaj, Gani Perrolli, Blerim Cami, Petrit Lumaj, Ken Biberaj, Emin Egriu, Edmond Xhani, Petrika Melo, Lindita Tole Mezini, Ylli Baka, Sokol Asllani, Taulant Hoxha, Sali Bollati, Kadrije Pronjo, Ibrahim Kolari, John Hodgson, Peter Lumaj, Kleriket Dom Pjeter Popaj dhe Edin Gjoni, Joshua Martson, Andamiano Murataj, Dhimitri Ismaili Valona, Roland Uruci, Herion Mustafaraj etj,…
-Cili është vlerësimi që është bërë për televizionin, shkollat shqipe që ju drejtoni, nga shteti amerikan dhe shqiptarët?
Si Bord i TV Alba Life sapo festuam 5 vjetorin e tij. Në këtë 5 vjetor morën pjesë shumë personalitete të shquara të politikës, artit dhe kulturës, organizata të mirënjohura, Konsulli i Përgjithshëm z.Dritan Mishto dhe qindra njerëz të thjeshtë që i shikojnë rregullisht emisionet në TV. Gjithashtu dhe bashkëpunimi me median si gazeta e mirënjohur “Illyria”, Kultura Shqiptare, TV Alb apo Shqiptarë të Amerikës, e kanë bërë dhe më të lehtë përhapjen e kulturës dhe lobimin e çëshjtes kombëtare. Pjesëmarrja e gjerë e tyre është vlerësim për punën e Bordit të TV Alba Life, ndërkohë kemi marrë një sërë çmimesh nga organizata të ndryshme të Diasporës. Në këtë 5 vjetor nëpërmjet një video mesazhi përshëndeti dhe Kryetari i Bashkisësë Nju Jorkut, bilionieri Michaele Bloomberg, një personalitet i shquar botëror, i cili falënderoi për punën që po bënë TV Alba Life në Amerikë.
Ju keni botuar disa vëllime me poezi. Ku e keni marrë frymëzimin dhe a është poezia për ju një domosdoshmëri apo një pasion i çastit që duhet të hidhet në shkronja?
Kam botuar katër vellime me poezi dhe një libër me esse dhe kritikë letrare të botuar më parë në gazeta të ndryshme. Ndërkohë kam në proces dy libra të tjerë… Por dua të them se poezia është dashuria ime në tërë parametrat e imagjinueshme., Pas saj vijne essetë…
Por librat dhe shkrimtarët i vlerëson koha, gjykatësja e pakompromentueshme….
Natyra e vëndit ku kam lindur, ma ka dhënë këtë mission magjik deri hyjnor. Nata e mëndafshtë nën Hënën e bukur, midis malit lirik të Trebeshinës dhe Shëndëllisë, ku mund të gjendej dhe gjilpëra në kashtë, rënia e lehtë e borës nën ndriçimin e magjishëm të rrezeve të saj, kanë qenë mahnitëse dhe ma mbajtën përjetësisht peng botën shpirtërore.
Këtu në Amerikë, me natyrën e vëndlindjes në kujtesë, citoj Pablo Nerudën:
: “Unë jam rritur në këtë qytet, poezia ime ka lindur në mes të kodrës dhe lumit, ajo mori zërin e saj nga shiu, dhe si lëndë drusore, ajo kalonte veten në pyje”.
Bukuria dhe shpirti mezhgoranas më kanë mbajtur dhe më mbajnë në gjendje dehëse për tërë kohën dhe janë melhelm për jetën dhe poezinë…
New York,20 Korrik 2013
http://gazeta-nacional.com/?p=5825
Per”Alba – Dansk” shkodrani



Leave a Reply