Ajo qarkullon përmes lajmeve të frikshme, tsunameve,tërmeteve,luftrave për këtë apo atë liri të rreme.
Zhurma që vjen shpirtit tim,endet e mbyllur.
Diçka kuptohet nga ndryshimi i ngjyrës së syve të mi por kaq pak e kupton vetëm kush më njeh nga afër.
Pse vallë kaq shumë këmbë kjo zhurmë?
Ecën me një llogari apo bën më parë llogaritjen?
A nuk e ndjen të nevojshme të heshtë?
Ufff….Një mijë pyetje turbullojnë rrugën e mendimeve!
A nuk më kishin thënë se heshtja është flori?
Se ajo duhej besuar pa shumë përpjekje si e vetmja formë shpëtimi nga gjithë të zezat krijuar jashtë mureve të kufirit shtëpiak?
Dhe unë i’u përgjigja kësaj lloj forme ” standart” edukimi.
Ranë tërmete që shembën shtëpitë, madje plagosën dhe morën viktima dhe unë shtrëngoja zemrën fort pa e lënë atë të rritej, pa e përgatitur për tërmete të cilat dukeshin së largu por që unë çuditërisht i bëja sehir, ndoshta nga pafajësia, ndoshta nga naiviteti i trashëguar pikërisht prej asaj lloj heshtje në formën e një shkëmbi ngjyrë kafe e pjekur prej ndejtjes.
Kështu deshi bota. Kështu të do ajo e pa të pyetur hiç!
Ajo të do të heshtur me qëllim që t’i të mos kundërshtosh, të rrish sus para dallavereve dhe joshjes së ngërdhjeshjes që ndjen.
Të do me sy përhumbur, pa pikë fuqie sepse ashtu ngushëllohet dhe pjek të zezën e shpirtit të vet, e ti mbetesh pavetëdija.
Në cakun e portës së shpirtit do të fillojnë të shkëputen copëzat e para të energjisë diellore që aq mundimshëm i ke ruajtur.
Vetëtimthi kujton atë gishtin tregues drejtuar fytyrës fëminore, si një e rënë sëpate dhe….hesht!
Hesht sepse bota është e ligë, ajo të gropos duke nxjerrë dhëmbët e pamëshirshëm ngjyrë egërsie dhe ti ngre supet, tund kokën, në shenjë aprovuese – Po do hesht!
Bota vazhdon të bëjë zhurmë, madje ajo i ka shtuar zhurmat e saj përgjatë mendimit se heshtja nuk i hyn aspak në punë pazareve, se djalli dhe engjëjt janë shpikur për t’u ngacmuar me njëri -tjetrin , përndryshe do mërziteshin në kotësinë e kohës.
Hej dreqo punë!
Ku ngeca?
Në cilën teori u pleksa kaq keq?
Në atë të heshtjes apo zhurmës?
Shkoj dorën mbi flokë, në ngjyrat e saj të verdhë në gri e përpara syve më del gishti tregues i butë por i vendosur:
– Dëgjo!
Hesht , sepse heshtja është flori!
Tani ngre sytë në kupolën e qiellit. Ai duket sikur hesht por unë e di mirë se shtrëngatat e tij vijnë nga heshtja që mban dhe ngre gishtin lart sikur ta prek ,ta shpoj e të dal jasht saj, për t’i thënë botës se heshtja është njëlloj magjie e cila të rikthen sërish tek vetja!
(Moza)
Burimi/Facebook


Leave a Reply