ORA E KUJDESTARISË – NJË DOMOSDOSHMËRI PËR EDUKIMIN, FORMIMIN DHE TË ARDHMEN E NXËNËSVE TANË
Duke u mbështetur në përvojën time shumëvjeçare në arsim, që nga viti 1989, ndiej përgjegjësi profesionale dhe njerëzore të shpreh mendimin tim për një çështje, të cilën e konsideroj tejet të rëndësishme për edukimin dhe formimin e nxënësve tanë: rikthimin dhe organizimin e mirëfilltë të orës së kujdestarisë.
Nga përvoja ime si mësimdhënëse e Matematikës dhe njëkohësisht si kujdestare klase ndër vite, jam e bindur se ora e kujdestarisë ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol të pazëvendësueshëm në menaxhimin e klasës, në edukimin e nxënësve dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet tyre.
Në vitet e mëhershme, kujdestaria nuk ishte vetëm një përgjegjësi formale e mësimdhënësit. Ajo kishte një strukturë dhe organizim të qartë. Ne kishim planin tonë të veprimit, ku edukimi zinte vendin kryesor. Një herë në javë mbanim orën e kujdestarisë, e cila evidentohej dhe trajtohej si orë e rregullt, me përgjegjësi dhe kompensim përkatës.
Gjatë këtyre orëve zhvillonim aktivitete të ndryshme edukative, kulturore, historike dhe shoqërore. Shënonim festat shtetërore dhe kombëtare, organizonim programe me nxënësit për takimet me prindër, vizita në institucione të ndryshme, ekskursione dhe aktivitete që zgjeronin horizontin e tyre kulturor e qytetar.
Personalisht, kam organizuar vizita në Arkivin Historik të qytetit, si dhe aktivitete të veçanta për nder të mësueses së parë të nxënësve tanë, të cilën e vizitonim me rastin e 7 Marsit dhe 8 Marsit, duke i dhuruar një buqetë lulesh në shenjë respekti dhe mirënjohjeje.
Këto nuk ishin thjesht aktivitete simbolike. Ishin momente që i mësonin fëmijët të respektonin historinë, mësuesin, prindin, njëri-tjetrin, traditën dhe vlerat njerëzore. Ishin përvoja që ndikonin në formimin e karakterit të tyre dhe krijonin një lidhje më të fortë mes shkollës, familjes dhe shoqërisë.
Sot, duke përcjellë mënyrën se si zhvillohet kujdestaria në disa prej shkollave tona, vërej se kësaj përgjegjësie jo gjithmonë po i kushtohet rëndësia dhe vëmendja e duhur. Natyrisht, ka edhe përjashtime dhe kujdestarë që punojnë me përkushtim të madh, por mendoj se nuk duhet të mbështetemi vetëm në vullnetin dhe iniciativën individuale të mësimdhënësve.
Është koha që ora e kujdestarisë të rikthehet si një praktikë e rregullt, e organizuar dhe e institucionalizuar në nivel vendi.
Propozoj që:
Të hartohet një plan i unifikuar veprimi për orën e kujdestarisë në nivel të vendit, me mundësi përshtatjeje sipas moshës dhe nevojave të nxënësve.
Ora e kujdestarisë të mbahet së paku një herë në javë dhe të evidentohet në mënyrë të rregullt.
Kjo orë të njihet si ngarkesë e veçantë pune dhe të kompensohet financiarisht për kujdestarët e klasave.
Aktivitetet të përfshijnë edukimin qytetar, kulturor, kombëtar, etik, shëndetësor, bashkëpunimin, respektin, përgjegjësinë dhe komunikimin.
Të forcohet bashkëpunimi ndërmjet kujdestarit, prindërve, nxënësve dhe komunitetit.
Jam e bindur se një organizim i tillë do të ndikonte dukshëm në përmirësimin e klimës në klasë, në ngritjen e cilësisë së edukimit dhe në formimin e brezave me më shumë përgjegjësi, kulturë komunikimi dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Shkolla nuk duhet të jetë vetëm vendi ku nxënësit marrin njohuri nga lëndët mësimore. Ajo duhet të jetë edhe institucioni ku ata mësojnë si të jetojnë, si të komunikojnë, si të respektojnë dhe si të bëhen qytetarë të përgjegjshëm.
Sepse arsimimi pa edukim është i paplotë!
Dhe pikërisht ora e kujdestarisë është njëra ndër mundësitë më të mira për ta plotësuar këtë mision.
Këtë mendim e shpreh jo vetëm si mësimdhënëse e Matematikës, por mbi të gjitha si një arsimtare që nga viti 1989 ka besuar se suksesi i shkollës nuk matet vetëm me rezultatet në nota, por edhe me njerëzit që arrijmë të formojmë.
Le ta rikthejmë orën e kujdestarisë, jo si një formalitet administrativ, por si një investim të domosdoshëm në edukimin, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!
*Autorja është mësuese në shkollën “Thimi Mitko”, në Gjilan
Burimi/Facebook/albanianeducation.net


Leave a Reply