Unë jam Amina Nuraj, e lindur dhe e rritur në Pazar, ku edhe sot jetoj, ndërsa një pjesë të jetës e kaloj edhe në Mitrovicë, sepse jam e martuar. Jam aktiviste e çështjes kombëtare shqiptare në Sanxhak dhe një ndër të parat gra që ngritën zërin hapur kundër asimilimit dhe sllavizimit të shqiptarëve të Sanxhakut.
Deri në moshën 15-vjeçare nuk e kam ditur se edhe familja ime kishte prejardhje shqiptare. Historinë time të plotë mund ta gjeni edhe në librin tim „Unë, bija e Atdheut“.
Me kalimin e viteve, nisa të interesohem gjithnjë e më shumë për prejardhjen e familjes sime, si nga ana e babait, ashtu edhe nga ana e nënës. Çdo libër që lexoja më shtynte të hulumtoja edhe më shumë. Dokumentet dhe historitë që zbuloja më çonin drejt së njëjtës të vërtetë: rrënjët tona janë shqiptare.
Kam pyetur familjarët e mi dhe të gjithë më kanë treguar se paraardhësit tanë kanë ardhur nga Plava dhe Gucia. Familja e nënës ka prejardhje edhe nga Bijello Polja. Por, para se të vendoseshin në Plavë e Guci dhe më pas në Sanxhak, rrënjët e familjes sime shtriheshin në Rugovën e Kosovës. Kjo është historia ime, historia e gjakut dhe e rrënjëve të mia, të cilat nuk mund t’i fshijë askush.
Në këto 14 vitet e fundit, rruga ime ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Kam përballuar pengesa nga institucionet shtetërore, presione dhe sulme nga individë që kanë zgjedhur t’i shërbejnë politikave të Serbisë, në vend që të qëndrojnë pranë popullit të tyre. Por asnjëherë nuk e kam ndalur punën time dhe as nuk do ta ndal!
Në vitin 2023 hapëm Zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Pazarin e Ri, duke vendosur një pikë të rëndësishme referimi për veprimtarinë tonë kombëtare në Sanxhak. Aty vulosëm një kapitull të ri të organizimit dhe përfaqësimit të shqiptarëve.
Po në vitin 2023 hapëm kursin online të gjuhës shqipe, i cili pati sukses të madh. Më pas, së bashku me anëtarët e zyrës, vendosëm që mësimi i gjuhës shqipe të zhvillohej edhe drejtpërdrejt në ambientet e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Sepse për mua, gjuha shqipe nuk është thjesht një gjuhë. Është identitet, histori, trashëgimi dhe dëshmi se ne jemi këtu. Një komb që ruan gjuhën e tij, ruan edhe ekzistencën e tij!
Jam autore e dy librave: „Gjaku nuk bëhet ujë“ dhe „Unë, bija e Atdheut“. Dy libra që mbajnë brenda historinë, dhimbjen, rrënjët dhe dashurinë time për kombin shqiptar.
Gjatë katër viteve të fundit, në pothuajse çdo kalim timin nëpër kufirin e Serbisë, jam përballur me ndalesa dhe kontrolle të vazhdueshme nga policia. Jam informuar se ndodhem në një listë të zezë, ndërsa unë besoj se arsyeja e vërtetë e gjithë kësaj është veprimtaria ime kombëtare dhe fakti që jam shqiptare që nuk hesht përballë padrejtësive.
Sa herë jam ndaluar, më janë marrë dokumentet dhe më është dashur të pres jashtë, në autobus apo në veturë, varësisht nga mënyra se si kam udhëtuar.
Dhe tani dua të flas edhe për një çështje që shumë njerëz e keqkuptojnë.
Të ardhurat e mia të vetme janë 340 euro në muaj nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Asnjë cent më shumë!
E di që ka njerëz që mendojnë se nga kjo veprimtari fitoj miliona, por e vërteta është krejt ndryshe. Për 14 vite kam sakrifikuar shumë, kam hequr dorë nga mundësi të ndryshme pune dhe kam zgjedhur të mos pranoj angazhime që do të më largonin nga misioni im kombëtar në Sanxhak.
Kam kaluar vështirësi të mëdha ekonomike dhe personale. Ka pasur momente kur vetëm Zoti dhe bashkëshorti im e kanë ditur se çfarë kam përjetuar, sa shumë kam vuajtur dhe sa herë nuk kam mundur as frymë të marr nga pesha e të gjitha këtyre.
Nuk kam qenë duke ndërtuar pasuri personale. Kam qenë duke u përpjekur të ndërtoj diçka për kombin tim, për fëmijët shqiptarë që meritojnë ta mësojnë gjuhën e nënës dhe për gjeneratat që nuk duhet ta harrojnë se kush janë dhe nga vijnë.
Për të gjithë ata që më kanë pyetur: „Kush je ti që Serbia të ndalojë?“
Ja kush jam dhe për çfarë më ndalon!
Jam Amina Nuraj, një shqiptare e lindur dhe e rritur në Sanxhak, me rrënjë në Rugovën e Kosovës, Plavë e Guci. Jam një grua që ka zgjedhur të mos e mohojë gjakun e saj, të mos e fshehë identitetin dhe të mos heshtë përballë asimilimit të popullit të vet.
Serbia nuk krijon probleme për njerëzit që heshtin, që pajtohen dhe që nuk e kundërshtojnë padrejtësinë. Problemi fillon kur ne vendosim të flasim, të punojmë, të organizohemi dhe të jetojmë për kombin tonë.
Unë nuk kam ardhur në Sanxhak për të kërkuar një identitet. Kam lindur këtu, por kam zbuluar rrënjët e mia dhe kam vendosur t’i mbroj ato.
Nuk jam kundër askujt për shkak të kombësisë së tij. Jam kundër asimilimit, padrejtësisë dhe mohimit të identitetit shqiptar!
Nuk kërkoj privilegje. Kërkoj të drejtat që na takojnë. Nuk kërkoj që dikush të na dhurojë identitetin. Identiteti ynë është i yni, i trashëguar nga të parët tanë.
Mund të më ndaloni në kufi, mund të më kontrolloni, mund të më merrni dokumentet dhe të më detyroni të pres me orë të tëra, por nuk mund të më ndaloni të jem shqiptare dhe të punoj për kombin tim!
Unë jam bija e Sanxhakut, bija e Atdheut dhe bijë e një kombi që nuk e ka harruar kurrë kush është!
Përderisa kam frymë, do të punoj për gjuhën, identitetin, historinë dhe flamurin kuq e zi.
Gjakun nuk e ndërrojmë, gjuhën nuk e harrojmë, flamurin nuk e ulim!
Burimi/Facebook


Leave a Reply