Republika e Shqipërisë ka përfunduar blerjen e godinës së Ambasadës së saj në Londër, për një vlerë totale prej 3.7 milionë paundësh.
Një burim pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme konfirmoi për Albanian Post se kjo është shuma përfundimtare e negociuar për blerjen e pronës në kryeqytetin britanik.
Përfundimi i transaksionit u bë i ditur edhe përmes një postimi nga një përfaqësues ligjor i firmës britanike Bolt Burdon, e cila asistoi Republikën e Shqipërisë gjatë procesit.
Sipas tij, marrëveshja shkoi përtej një transaksioni të zakonshëm të pasurive të paluajtshme, pasi përfshiu një sërë çështjesh juridike të lidhura me statusin e shtetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
Mes tyre ishin regjistrimi i një shteti të huaj si subjekt juridik në sistemin britanik, si dhe çështjet që lidhen me statusin dhe imunitetin diplomatik.
Përfaqësuesi ligjor e cilësoi transaksionin si një proces me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, duke theksuar kontributin e tij në sigurimin e pranisë diplomatike shqiptare në Londër.
Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me ish-ambasadorin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, si dhe me anëtarët e tjerë të ekipit të përfshirë në proces.
Blerja shënon përfundimin e procedurës së sigurimit të pronës për përfaqësinë diplomatike shqiptare në Londër.
Burimi/Facebook/albanianpostofficial


Leave a Reply