Protesta e studentëve në Tiranë ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pas ditës së djeshme ku është parë dhunë në rritje ndaj demonstruesve. Demonstruesit kanë zhvendosur sot protestën drejt institucioneve të ndryshme.
Pas sulmeve dhe akteve të revoltës të regjistruara më herët ndaj institucioneve të tjera shtetërore, zemërimi i protestuesve është drejtuar tani simbolikisht edhe ndaj sistemit të drejtësisë.
Studentët u larguan nga zona e Kryeministrisë dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ata kanë shkuar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa më herët ishin në shënjestër Ministria e Arsimit, ajo e Financave, Bashkia e Tiranës, Ministria e Brendshme dhe godina e Kryeministrisë. Në qendër të kryeqytetit janë parë skena të përplasjeve të ashpra me forcat e rendit.
Policia ka reaguar me masa të shtuara sigurie, duke përdorur në mënyrë masive gaz lotsjellës dhe bombola shpërthyese. Por pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit kanë vijuar me aksione dhe janë përballur me kordonët policorë në disa pika të qytetit.
Atmosfera në Tiranë mbetet e tensionuar, ndërsa flakët, tymi dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë dominuar pamjet e mbrëmjes.
Tani për tani nuk mund të thuhet se çfarë pritet në orët në vijim. Protestuesit kanë bërë të ditur se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, duke paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit dhe të aksioneve në kryeqytet.
Burimi/Facebook


Leave a Reply