“Atdhetaria dhe humanizmi bëhet me punë e jo me fjalë;
kush tregohet i tillë me fjalë, është një mashtrues.”
Sami Frashëri
JEMI ENDE NË KOHË TË PËRMBYSIM MODELIN E SISTEMIT POLITIK QË PO NA SHPËRBËN SI SHTET DHE KOMB!
(Analizë e trajtuar 5 vite më parë)
Kundër qendrimeve intelektuale mediokre dhe kerkesave per zgjidhje pa rrugezgjidhje, ka kohë që faktori patriotik ka shprehur interesimin për nevojën e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare të Popullit Shqiptar.
Deri në vitin 2020 jemi përballur me disa botime, të cilat kanë qenë më shumë nisma individuale, sesa përpunim i mendimit kolektiv sesi mendojnë shqiptarët për strategjinë e munguar.
Edhe pse ndryshe, botimet në thelb kanë bërë përpjekje të lavdërueshme për t’ia arritur një qëllimi të mirë.
Në disa raste nuk mund të mos kuptohet një lloj ideologjizimi dhe politizimi i problemit kombëtar.
Ky ndikim nuk ka lejuar që botimet të ngrihen në nivelin e kërkuar.
Edhe pse të ngjajshme, ato kanë marrë individualitetin pa mundur të zenë vendin e merituar në ndërtimin e strategjisë së mirëfilltë për trajtimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare të popullit shqiptar, kudo ku ai jeton.
Pavarësisht titujve të publikuar, ato në thelb kanë bërë përpjekje të trajtojnë çështjen kombëtare shqiptare me interes dhe mund të shërbejnë vetëm si bazë teoriko-praktike dhe metodike për nisma institucionale, për ta ndërtuar Strategjinë Kombëtare të Popullit Shqiptar.
Sidoqoftë, të nxitur nga kërkesa dhe trajtimi përherë e më shumë i çështjes në opinionin shqiptar, shumë studiues kanë bërë përpjekje të mira për të udhëtuar në hapësirat e konceptualizmit dhe këndvështrimeve të strategjisë, për të sjellë një metodologji të organizimit të mundshëm të lëvizjes kombëtare me strategji gjithpërfshirëse.
Nuk mund të themi se këto materiale nuk janë interesante dhe sfiduese. Ato janë të hulumtuara mirë, me frymë akademike dhe përvojë praktike.
Gjithësesi, brenda tyre ato shfaqin kontradikta, të cilat vështirësojnë apo pengojnë përpjekjet për rrugëzgjidhjet e çështjes shqiptare.
Përballemi me pengesa artificiale kundër mënyrës shkencore dhe të sigurtë të zgjidhjes së problemit shqiptar.
Ndërsa vazhdojnë polemikat dhe diskutimet mbi modelin e Strategjisë Kombëtare, është krijuar bindja se, pa përfshirjen e institucioneve kërkimore shkencore, të organeve mbështetëse shtetërore, pa pragmatizmin në politikën kombëtare, strategjia nuk mund të bëhet mjet i dobishëm për reflektim në jetën e kombit.
Natyra e saj gjithpërfshirëse është domosdoshmëri jetike për t’i hapur rrugën kombit drejt bashkimit.
Mbi analizën e situatës rajonale dhe faktorëve përcaktues në vendimmarjen ndërkombëtare, nisma drejt Strategjisë Kombëtare synon të argumentojë shkencërisht, pse i duhet strategjia kombit shqiptar përballë strategjive dhe stratagjemave që zbatojnë armiqtë tradicionalë kundër interesave kombëtare të popullit shqiptar.
A mund t’i kundërvihemi me sukses strategjive të tyre armiqësore, pa pasur strategjinë tonë kombëtare?
Çfarë duhet të përfaqësojë Strategjia Kombëtare e Popullit Shqiptar dhe a krijon ajo kushte optimale dhe të perspektivës për zgjidhjen e çështjes kombëtare?
A duhet të jemi në kërkim të zgjidhjes apo thjeshtë për një koceptualizim “të ri” të trajtimit të çështjes shqiptare mbi koncepte dhe emërtime të vjetra?
Përgjigjet e pyetjeve duhet të përkojnë me lëndën kryesore të kërkimeve dhe përpjekjeve për ta ndërtuar Strategjinë Kombëtare.
Ajo duhet të ketë brenda opsionet e mundshme, metodologjinë dhe trajtimin e planifikuar shkencor të mbrojtjes së interesave kombëtare të popullit shqiptar.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar, duhet të shërbejë si frymë dhe platformë e pasur dhe e organizuar për të mundësuar suksesin në të drejtën tonë historike.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar, duhet të qartësojë mendimin se çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodh me të ardhmen, duke e kthyer dëshirën për bashkim në kod sjellje të jetës tonë mbi politikën, ekonominë, potencialin ushtarak, realitetin dhe bindjet tona.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar do të bind njeriun shqiptar që të kuptojë sesa të fuqishëm bëhemi, nëse kjo nismë do të kthehet në program veprimi për t’i thënë ndal padrejtësive dhe shumë pasojave të tjera që na mundojnë në jetën tonë.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar do të bind këdo se, në strukturat përfaqësuese kemi gjëra të tepërta, të padobishme, ashtu sikundër kemi nevojë për gjera të tjera të dobishme që na mungojnë.
Të përfshirë nga kompleksi i inferioritetit, jetën tonë e kemi lënë në mëshirë të fatit.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar duhet të krijojë bindjen dhe të nxisë nevojën e ndryshimit, përballë mungesës së vullnetit politik dhe paaftësisë për ta ndërtuar Strategjinë Kombëtare të Popullit Shqiptar.
Shtrimi i problemit synon skematizimin e çështjes kombëtare në Strategji Kombëtare, të hedhur për veprim si praktikë, mbështetur në analizën shkencore të situatës kombëtare, rajonale e më gjerë.
Për nevoja të sotme dhe të perspektivës, të mos mendojmë me indiferentizëm se kjo mund të jetë e parëndësishme dhe mund të bëhet në një kohë tjetër.
Shqyrtimi i varjanteve është i ballafaquar me strategjitë armiqësore, metodat hibride që përdoren kundër interesave shqiptare, duke analizuar më parë natyrën e konflikteve që ka populli shqiptar brenda vetes, me shtetet fqinje dhe më tej.
Këto janë detyrime të rëndësishme dhe të ndryshme në qëllimin e tyre.
Kundër veprimeve armiqësore hibride ndaj interesave të kombit, sot kërkohet metodologji e re, e cila mund të jetë e ndarë në mes me një vijë shumë të hollë të domosdoshme pragmatizmi me amanetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Filozofinë Politike të Ukshin Hotit.
Ndërtimi i varjanteve që modelojnë Strategjinë Kombëtare të Popullit Shqiptar mundësojnë përpjekjet për ta kapëcyer këtë vijë të hollë të ndarjes së periudhave, duke iu shmangur ndikimit të shabllonizmit të fryrë me patriotizëm, pa rrugëzgjidhje konkrete.
Shoqëria dhe politika shqiptare kanë nevojë për trasformim të thellë psikologjik, metodik dhe shoqëror, për t’iu larguar formave steriotipe të zbatuara deri tani sipas metodologjisë së Lindjes.
Duam apo nuk duam, mënyrat e interpretimit nuk kanë sjellë zgjidhje edhe kur është sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Nuk ka më vend për inferioritet dhe kompromise politike në dëm të interesave kombëtare.
Realiteti në të cilën ecën çështja kombëtare është ndryshe nga ajo që populli shqiptar në shtetin amë dhe trojet etnike përjetoi para viteve ’90, ’99 dhe 2001.
Këto janë dekada që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e popullit dhe intelektualizmit shqiptar.
Megjithatë, të mendohet se proceset tashmë janë kapërcyer pa menduar sesa dëm i bëhet çështjes shqiptare, kjo është e gabuar.
Qëndrimi pragmatist në trajtimin e çështjes shqiptare dhe mundësitë e rrugëzgjidhjeve, janë vërtet diçka e re.
Ndryshe nga më para, ato kërkojnë programin shkencor, të pranuar nga akademizmi dhe mbështetur nga institucionet shtetërore.
Në mungesë të vizionit dhe strategjisë, konfrontimi politik brenda popullit është më afër të vërtetës.
Mentaliteti dhe psikologjia ecin ngadalë në rrugën e ndryshimit.
Gjuha konfliktuale nxit urrejtjen, paragjykimin, militantizmin, separatizmin politik, duke vënë partinë mbi Shqipërinë.
Kjo është gjuha që i kthen perceptimet e realitetit në pamundësi për të gjetur rrugët e së ardhmes.
Së fundi duhet të pranojmë modele të tilla, të cilat nuk kanë si qëllim imponimin itelektual apo egon nismëtare, as denigrim ndaj mendimeve që mbart vetëdija dhe zemra e inteligjencës patriotike shqiptare.
Strategjia nuk mund të jetë e dhënë një herë e përgjithmonë. Në proces janë mundësitë që ajo të përsoset në raport me ndryshimin e situatave.
Modelet justifikojnë domosdoshmërinë jetike të ndërtimit të saj.
Ajo duhet të ndërtohet, të pranohet dhe të aktivizohet si kushtetutë dhe pasaportë e Kombit, kundër metalitetit antikombëtar.
Strategjia është fryma që do të nxis zemërimin e njerëzve të mirë kundër padrejtësive dhe nëpërkëmbjes.
Çdo përpjekje për të kuptuar apo interpretuar gabim nismat që mund t’i hapin rrugën vizionit strategjik të kombit për shekullin në vazhdim, do të jetë në baraspeshë të plotë me përpjekje të tjera dhe më të mira, të cilat mund të plotësojnë kërkesat bashkëkohore në zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Këto nuk janë përpjekje për qëllime politike, as metoda apo metodologji për rrugë pa krye, as për të thelluar diversitetin e mendimit për përçarjen e popullit, por janë thirrje e zëshme për t’u bashkuar në rrugën e ndryshimit.
Jemi ende në kohë të bëjmë më të mirën e mundshme për të ardhmen e Kombit dhe të Shqipërisë.
Janë njerëzit dhe koha ato që i hapin rrugën ndryshimit.
Nëse të interesuarit mund të gjejnë ngjajshmëri konceptuale mes shumë botimeve, atëherë jemi në rrugë të mbarë në përpjekjet tona të mirëfillta dhe të përbashkëta për të ndërtuar diçka ndryshe, të re dhe me fuqi shpirtërore, e cila mund dhe duhet të zgjojë shqiponjën brenda vetëdijes kombëtare.
Faleminderit
Sulejman Abazi NESHAJ
Tirane, 13.10.2021
(Lejohet shperndarja sipas mundesive)
Burimi/Facebook


Leave a Reply