Sot nuk kishte vend për indiferencë, sepse përballë Ministrisë së Arsimit u dëgjua zëri i një brezi të lodhur nga premtimet e pambajtura, nga padrejtësitë dhe nga një sistem që prej vitesh nuk u garanton as kushtet minimale për të studiuar e jetuar me dinjitet.
“Dorëheqje!”, “Ministria e turpit!” — këto nuk ishin thjesht thirrje proteste, por një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj një institucioni që duhet të ishte në shërbim të studentëve, por që për shumë prej tyre është kthyer në simbol të hipokrizisë dhe dështimit. Një godinë që flet për të ardhmen, ndërsa përballë saj të rinjtë detyrohen të luftojnë për të tashmen e tyre.
Sot pamë revoltën e studentëve dhe dhunën e policisë. Por pamë edhe diçka më të fortë, vendosmërinë e një brezi që nuk pranon të nënshtrohet, të heshtë apo të heqë dorë nga e drejta për të kërkuar llogari.
Si përfaqësuese e studentëve, mbështes vullnetin dhe vendosmërinë e çdo studenti që kërkon ndryshim të vërtetë, që refuzon të pranojë si normalitet kushtet e papranueshme dhe që kërkon ta shembë simbolikisht këtë mur hipokrizie që e ndan Ministrinë nga studentët. Sepse kjo godinë nuk ka vlerë nga muret e saj, por nga shërbimi që u ofron të rinjve. Dhe kur ky shërbim mungon, kur premtimet mbeten në letër dhe kur zëri i studentëve përballet me forcën e policisë, atëherë është vetë institucioni që duhet të japë llogari.
Studentët nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë të drejtat e tyre. Nuk kërkojnë favore, por dinjitet. Nuk kërkojnë premtime të tjera, por zgjidhje konkrete.
Studentët nuk dorëzohen! Sepse një brez që ngrihet për të ardhmen e vet nuk mund të mposhtet me heshtje, presion apo dhunë. Dhe asnjë ministri nuk mund të quhet e suksesshme kur ata për të cilët ekziston i dalin përpara me thirrjen: “Ministria e turpit!”
Sot foli revolta. Tani radha është e institucioneve të mbajnë përgjegjësi

Burimi/Facebook


Leave a Reply