Sapo doli nga shtypi libri i ri “Fjalori i madh dhe Akademia e vogël”, botim cilësor i ALSAR. Mehmet Elezi i bën një oponencë shkencore Fjalorit të madh të gjuhës shqipe (FMGJSH), që ka hedhur në linjë Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Është e vetmja oponencë pak a shumë e plotë për këtë vepër.
Autori shqyrton tri risi kryesore që priteshin në këtë Fjalor:
1. Përkufizim profesional i fjalëve, me filozofinë e një shoqërie të lirë, të zhveshur nga ideologjia;
2. Hapje gjithëpërfshirëse për thesarin e fjalësit nga krejt trevat shqiptare, brenda e jashtë kufijve shtetërorë, duke përfshirë pasuritë leksikore të lëna jashtë fjalorëve të mëparshëm për arsye jashtëgjuhësore; dhe:
3. Metodologji bashkëkohore në përkufizim, përfshi etimologjinë e fjalëve dhe ilustrimin me citime nga autorë e vepra të mëdha.
Ai thekson se pritshmëri të tilla për FMGJSH ishin me këmbë në tokë, ishin për të mundshmen, jo thjesht për të dëshiruarën.
Lënda është strukturuar në 28 kapituj, si “Fjalori si pasqyrë qytetërimi”, “Fjalë identitare pa pasaportë”, “Etimologjia nuk shkëlqen me mungesën e saj”, “Nuk është duvaku që të bën nuse”, “Zëri i fjalëve prej emërvendeve të moçme”, “Modernizimi i fjalësit”, “Shto ujë, shto miell. Metafora është tjetër nga kuptimi figurativ në leksikografi” e të tjera. Në libër shqyrtohen përkufizimet e fjalëve (lemave), që autori i përzgjedh sipas kriteresh të caktuara, bëhen përqasje më fjalorët e mëparshëm dhe me përvojën e akademive të tjera, bëhen vërejtje e sugjerime.
Libri argumenton se:
– mungesa e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës dhe përzgjedhja e hartuesve shpesh jo sipas kapaciteteve shkencore që përfaqësojnë, por me kritere që nuk lidhen me gjuhësinë;
– mungesa e etimologjisë së fjalëve;
– mungesa e ilustrimit nga vepra të autorëve të mëdhenj e nga monumentet folklorike të botës shqiptare;
– ngutja për të përfunduar veprën pavarësisht mangësive të tilla serioze;
– këto e lënë përsëri Fjalorin e gjuhës shqipe nën mundësitë tona dhe nën nivelin e veprave të ngjashme të akademive të rajonit.
Libri ndihmon edhe për të bërë përmirësime aq sa mund të bëhen, para se Fjalori i madh i gjuhës shqipe i Akademisë të dërgohet për shtyp.
(sipas njoftimit të botuar në faqen e botuesit ALSAR)


Burimi/Facebook


Leave a Reply