Pas gjashtë vitesh në Francë, Elisa Hasanaj zgjodhi të kthehej në Shqipëri për të ndërtuar të ardhmen e saj. Ndonëse kishte përfunduar shkollën profesionale për menaxhim dhe administrim, 25-vjeçarja nga Shkodra vendosi të ndiqte pasionin e saj të vërtetë: të bëhej pjesë e Policisë së Shtetit.
Sot, prej dy vitesh, Elisa shërben në Stacionin e Policisë Kufitare Hani i Hotit, ku punon si operatore e sistemit të kamerave, një detyrë që kërkon përqendrim, vëmendje dhe përgjegjësi të vazhdueshme.
“Jam kthyer në Shqipëri për të jetuar dhe kam hyrë në polici, pasi e kisha pasion”, shprehet Elisa, duke përmbledhur në pak fjalë vendimin për t’u rikthyer në atdhe dhe për të ndjekur rrugën profesionale që kishte dëshiruar.
Në një pikë kufitare ku çdo ditë lëvizin qytetarë dhe automjete, puna e saj zhvillohet kryesisht pas ekraneve, larg syrit të udhëtarëve. Përmes monitorimit të kamerave, ajo është pjesë e rëndësishme e punës së përditshme të shërbimit kufitar, ku vigjilenca dhe vëmendja ndaj çdo detaji janë thelbësore.
Gjashtë vitet e kaluara në Francë janë pjesë e rrugëtimit të saj, por Elisa zgjodhi që jetën ta ndërtojë në vendin e saj, duke e kthyer pasionin për uniformën në profesion.
Historia e 25-vjeçares shkodrane është promovuar nga Policia e Shtetit, si një shembull i një të reje që vendosi të kthehej në Shqipëri dhe të ndiqte ëndrrën e saj, duke i shërbyer vendit përmes uniformës së policisë.
Burimi/Facebook/portali_shkodres


Leave a Reply