Një pemë gjenealogjike e njohur si pema e familjes apo e fisit, është një diagram ose grafik që tregon origjinën e familjes, lidhjet midis anëtarëve ku rrjedhin histori të njëpasnjëshme të tyre. Struktura e tyre është në formë degëzimi të një peme ku çdo degë përfaqëson një pjestar apo linjë të familjesPara shumë vitesh pata lexuar një libër të Gjon Muzakës të shkruar në vitin 1551 në Napoli . Më ka habitur shumë ky libër si një burim i jashtëzakonshëm i historiografisë mesjetare shqiptare pasi është shkruar nga një bashkëluftëtar i afërt i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut.. Ishte shumë libër interesant që nuk të mërziste por faqe pas faqesh merrje vesh gjenealogjinë dhe lidhjet fisnore të familjev fisnike të jugut. Ai libër ishte një testament politik, gjenealogjik trashëgimitë të lëna për fëmijtë e tyre Teodorin, Adrianin, Kostandinin,Helenën dhe Porfiden. Ai mendonte se vendi arbëror do çlirohej nga turqit dhe u kujton fëmijëve të tyre ku i kanë kufijtë e pronave të tyre, si ishin lidhjet e gjakut me të tjera familje fisnike arbërore. Aty është përshkruar pema gjenealogjike e Muzakjave. Janë shumë interesante edhe gjenalogjia e shumë familjevev fisnike të mesjetës.
Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut, është botuar në revistën “Koha Jonë” që dilte në Itali nga viti 1962 deri në 1990-ën, prej Isa Ndreut (i biri i Cen Elezit, pinjoll i familjes së famëshme Ndreu nga Sllova e Dibrës) si botues, dhe Lec Shllakut (shkodran, emigrant politik në Francë e Itali), si editor. Pema gjenealogjike e familjes së Kastriotëve fillon që nga viti 1405 e shtrihet deri në vitin 1963, kur ajo është përmbledhur prej njërit prej pinjollëve të saj, (Gjergj Kastriotit), i cili në vitin 1968 ia ka dorëzuar atë për botim, z. Lec Shllakut, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Në Shkodër ka shumë familje të vjetra të cilat kanë ruajtur pemët e tyre gjenealogjike. Këto pemë natyrisht janë hartuar nga të parët e tyre dhe pastaj kanë vazhduar me pasardhësit të cilët i kanë plotësuar dhe vazhduar me breza të tjerë. Në librin e Hamdi Bushatit “Shkodra dhe motet”- Pemë gjenealogjike të familjeve shkodrane”, botuar më 1999 janë afro 102 pemë gjenealogjike të familjeve shkodrane por edhe disa ulqinake që kanë ardhur nga Ulqini mbas v. 1880 dhe kanë formuar breznitë e ardhshme në Shkodër, si dhe të dhëna për 17 familje shkodrane që nuk kanë paraqitur pemë gjenealogjike por kanë treguar përbërjen e fisit apo familjes me përshkrim. Natyrisht këto janë ato pemë të familjeve që kanë mundur të evidentojnë autorët, duke patur parasysh se ka edhe qindra familje të tjera që mund të kenë hartuar pemët e tyre të trashëgimisë dhe i mbajnë si relike private në arkivat e tyre. Po permend vetem disa:
FISI SUMA mund të jetë një nga fiset më të vjetra shkodrane, pema gjenealogjike e së cilës fillon që në vitin 1330 me Demetrius Suma, baroni i San Sergios (Shirgji i sotëm), që doli triumfues në kryengritjen kundër mbretit të Serbisë Stefan Dushanit. Vjetërsinë e familjes e vërteton edhe H.Bushati në librin e tij “Shkodra dhe motet, vëll II, kur shkruan se në varrezat e Rmajit ka gjetur një gur varri ku shkruhet italisht: “Këtu pushojnë eshtrat e Zotëri Ndrek Ndoc Sumës” vdekur më 22 qershor 1322. Terezina Suma në librin e saj “Familja Suma”, pavarësisht se e fillon pemën gjenealogjike me Demetrius Sumën, për mungesë dokumentash ajo e vazhdon me Kol Sumën e vitit 1600. Në këtë libër janë dhënë 6 pemë gjenealogjike: 1. Pema gjenealogjike e Demetrius Suma (1330) me 16 trashëgimtarë; 2. Agostin Suma me 23 trashëgimtarë; 3. Françesk Kolë Suma me 41 trashëgimtarë; 4, Andrea Mark Suma me 27 trashëgimtarë; 5. Roza Kol Suma me 34 trashëgimtarë. Në këto pemë gjenealogjike gjithsej janë 141 trashëgimtarë.
FISI BUSHATLINJËVE Pema gjenealogjike e Bushatlinjve është shumë e madhe, ndoshta ndër më të mëdhatë në qytetin e Shkodrës, sepse përfshin një numër të madh trashëgimtarësh me shumë kontribute në qeverisjen e qytetit, në luftërat për çlirim kombëtar, si dhe në kulturë, sport e tjerë. Pema e dinastisë se Bushatlinjve zë fill që në vitin 1479. Ajo është e shoqëruar me një promemorie (testament) të lënë nga Mahmut Pashë Bushati më 5 Shkurt të 1812.
FISI SHIROKA është një nga fiset e vjetra të Shkodrës .Pema gjenealogjike e realizuar nga një pinjoll i fisit, Emil Shiroka, tregon që fisi konsiderohet një nga më të vjetrit në qytetin e Shkodrës me preardhje nga fisi i Engjëllorëve të Drishtit, një nga familjet princërore më të vjetra të Shqipërisë dhe me shumë kontribute. Pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit, një pjesë e kësaj familjeje emigroi në Itali dhe një pjesë u vendos në një zonë në mes Shkodrës dhe Shirokës
FISI BORIÇVE është ndër më të njohurat dhe më të shquarat e familjeve shkodrane. Ajo dallohet nga shtrirja e gjerë dhe nga përmasat e mëdha në karrierën fetare, në veprimtaritë administrative dhe ekonomike, në fushën e drejtësisë, në lëmin e arsimit dhe lidhur ngushtë me këto, në kontributin e veçantë atdhetar. Familja e Boriçëve ishte një familje shqiptare e shpërngulur nga fshati Boriç i rrethinave të Tivarit, e vendosur në Shkodër (sipas të dhënave të familjarëve), në shekullin e 17-të, rreth vitit 1650, më parë në lagjen Sudbege, afër xhamisë Plakë, pastaj në atë të Perashit dhe më vonë e shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit. Ka fis dhe familje muslimane por edhe katolike me mbiemerin Boriçi.
FISI LOHJA Një nga fiset më të vjetra dhe fisnike shkodrane. Sipas gojëdhanës fisi ka qenë i shpër¬gulur nga malet e Grudës dhe Tuzit dhe ka zënë vend në rrëzë të “Parunit të Rrjollit” që sot quhet “Kunora e Lohes” ku krijoi katundin dhe fisin “Lohe”. Pemen gjenealogjike e ka bere Hysen dhe Asim Lohja
FISI MUZHANI.Një nga fiset më të vjetra tregtare që daton që në shekullin XVIII. Është me origjinë nga fshati Muzhan i Krajës afër Ljarjes. Më i pari tregtar i këtij fisi, Tush Muzhani, i cili ushtronte tregtinë që në v. 1715, më të shumtën rrinte në Venedik.
FISI TAIPI Ka pemën gjenealogjike në osmanishten e vjetër e cila ka 662 emra. Në këto emra si gjini mashkullore, më së shumti janë përdorur Kasem dhe Taip, që kanë alternuar nga gjyshërit tek nipat
FISI SHANTOJA Pema gjenealogjike e këtij fisi është interesant sepse është shprehur në vargje nga Dom Lazër Shantoja, rast ky i rrallë i një peme gjenealogjike e shprehur në vargje. Nepërmjet këtyre vargjeve tregohet jo vetëm historia e anëtarëve të këtij fisi por edhe ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur gjatë veprimtarive të tyre. Pjesa e parë e historisë së familjes Shantoja ka 104 strofa, pjesa e dytë 158 strofa, pjesa e tretë 55 strofa, pjesa e katërt 101 strofa, pjesa e pestë 114 strofa, pjesa e gjashtë 122 strofa, gjithsej 654 strofa46. Ai e fillon historinë e fisit të tij duke treguar preardhjen prej Vjerdhës së Vjetër, për të vazhduar pastaj me të gjithë anëtarët e fisit. Si i parë i fisit ishte Gjush Lazri i parë, tregtar në Bezisten që e thirrnin “shejt”, apo “santo” nga ku i mbeti edhe emri fisit Shantoja. Ja disa vargje si e përshkruan fisin Dom Lazër Shantoja:
………..
ku na gjeni zotni t’mi
Ç’ju lypë zemra, çju lypë goja
Marifet edhe burrni
Do t’i gjeni n’derë Shantoja
Përditë ndihet ktu muzika
Me mekame e tingle t’veta
Edhe rrahet politika
Edhe dijmë me qijtun bejta
Ka edhe shumë pemë të tjera gjenealogjike jo vetëm të familjeve shkodrane por edhe atyre që kanë ardhur nga Dibra, Ulqini, Podgorica, etej. që tregon për origjinen e tyre, Në librin tim “Dibranëtt e Shkodrës” unë kam vënë pemët gjenealogjike të disa fiseve, si Fisit Dibra(Koçi), Alush-Muharrem Dibra, Beqir Dibra, Lloshi, Liman Dibra, Metani, Mitku, Sali Dibra, Ibrahim-Jonuz Dibra, Gjoka, Rrahman Dibra. Dibranët në të shumten e rasteve e kanë humbur mbiemrin e fisit apo familjes autoktone nga kanë ardhur dhe kanë marrë mbiemrin Dibra për shumë arsye të tyre . Shumë nuk e dinë vitin e të parit të fisit për të ardhur deri në ditëtë tona
Po kështu në librin “Lidhjet në mes Shkodrës dhe Ulqinit unë kam vënë pemët gjenealogjike të fisit Beci, Bilali, Dizdari, Gjyli, Mehmet Hotit, Kadia, Kalamishi, Luli, Reizi, Shabani, Truma, Ulqinaku, Në mes tyre mund të veçohet pema e fisit Bilali ë jep edhe datën e të parit të tyre:
FISI BILALI, një nga fiset më të mëdha dhe më të vjetër, me shumë kontribute në zhvillimin ekonomik-shoqëror të Shkodrës. Një pjesë e fisit vjen në Shkodër mbas v. 1880, kur Ulqini i jepet Malit të Zi. Sipas të dhënave të familjes pema gjenealogjike për këtë fis fillon me Dautin që i përket vitit 1580. Në v. 1620 u bë më trashëgimtar që i vuri emrin Hysen. Me kohën, fisi shtohet duke arritur në 13 breza (viti 2015)
Mendoj se çdo familje shqiptare duhet të ketë një pemë gjenealogjike sepse këto ndihmojnë në gjurmimin e origjinës, në ruajen e historisë në lidhjen e trashëgimisë.
TË DASHUR MIQTË E MIJ DHE VEÇANARISHT SHKODRANËT E MIJ!
Bani pemët gjenalogjike, se aty gëlon gjaku i juaj, aty është vjetërsia e Shkodrës, aty lidhemi me njëri tjetrin. Nuk e harroj prof Ahmet Osen që i njihte familjet e vjetra dhe lidhjet e tyre dhe më thontë që Oso Kuka ka lidhje gjaku me At Gjergj Fishten. Filloni një pemë gjenealogjike, edhe pse ju duket se jeni vonë, fillojeni aty sa e mbani mend lidhjen , pyetni edhe të tjerët, më të moshuarit. Kjo pemë sot mund të jetë e re por mbas 100 vitesh sternipërit e tuaj do të dinë diçka për gjakun dhe origjinën e tyre. Të marrim shembull nga arbëreshet që nuk e harrojnë origjinën e tyre dhe kushedi sa pemë gjenealogjike kanë ruajtur. Edukoni fëmijët për të njohur gjakun e tyre. Bëni ushtrime me to që ato të mësohen të ndërtojnë një pemë gjenealogjike dhe të fillojnë si edukim aty ku ato kanë njohur gjyshin e tyre, xhaxhallarët, dajallarët, tezet, hallat kush ishin fëmijët e gjyshërve e si lidhen me to, çfarë i kanë e kështu me radhe.Ndihmoni fëmijët që ta pasurojnë këtë pemë gjenealogjike vazhdimisht kur lindin pinjollët e rinj. dhe me ato çfarë ju kujtohet më vonë pema do të plotësohet e riplotësohet e do rritet. Kjo është një detyrë në familje nga prindërit për bijtë e tyre për të njohur fisin dhe gjakun e tyre Ta mbajmë gjallë gjakun tonë ,Shqipërinë tonë e sidomos sot kur shqiptarët kanë ikur dhe shumë prej fëmijëve të tyre nesër, pasnesër, nipërit nuk do dijnë prej ka kanë ardhur, cili është gjaku dhe origjina e tyre.
Po postoj vetem disa foto të zgjedhura te pemeve gjenealogjike te familjeve nga shumë të tjera që disponoj.
JU LUTEM TREGONI A E KA FISI APO FAMILJA E JUAJ PEMEN GJENEALOGJIKE?
FOTO 1 Pema gjenealogjike e familjes se Skenderbeut
FOTO 2 Pema gjenealogjike e Bushatlinjëve
Foto 3 Pema gjenealogjike e Ndre Mjedes(nga nena)



Burimi/Facebook


Leave a Reply