Zëvendësministri grek për Maqedoninë dhe Trakën, Konstandinos Gkioulekas (Kostandin Gjuleka), ka bërë një deklaratë të pazakontë gjatë një vizite në qytetin e Korçës, ku ka pretenduar se aty kanë jetuar dhe vijojnë të jetojnë popullsi greke, duke e cilësuar qytetin si helen.
Gjatë vizitës së zhvilluar një ditë më parë, ku shoqërohej nga një delegacion intelektualësh grekë, Gjulekas u shpreh se ardhja në Korçë ishte një detyrim për të, duke theksuar se çdo grek duhet ta vizitojë qytetin për të parë, sipas tij, rrënjët e njerëzve të tyre.
“Ishte detyrim imi të vija këtu. Çdo grek duhet të kalojë edhe nga Korça, të shohë rrënjët e njerëzve tanë që ishin këtu dhe që vazhdojnë të jenë”, deklaroi zëvendësministri grek.
Deklarata u bë gjatë një takimi me Mitropolitin e Korçës, Anastasin, ku ishin të pranishëm edhe klerikë dhe të rinj nga kampet e Voskopojës dhe Boboshticës.
Nga ana e tij, mitropoliti shprehu kënaqësinë për vizitën e zëvendësministrit dhe delegacionit që e shoqëronte, duke nënvizuar nevojën për mbështetje në zhvillimin e Kishës.
“Ne jemi një kishë e vogël, që ka gjithmonë nevojë për miq që do ta ndihmojnë. Duhet ta kuptojnë edhe miqtë se kjo Kishë vetëm nuk do të mund të zhvillohet”, u shpreh ai.
Sipas njoftimeve të publikuara në disa media, Gjulekas është takuar gjithashtu me anëtarë dhe përfaqësues të pakicës kombëtare greke në Korçë.
Vizita dhe deklaratat e zëvendësministrit vijnë rreth një vit pas hapjes së konsullatës greke në Korçë, e cila u bë e dyta në Shqipëri, pas asaj në Gjirokastër.
Burimi/Facebook/joqalbania


Leave a Reply