Sokol Paja
New York, 11 tetor 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Zoja e Shkodrës promovuan kolanën e veprave “Illyricum Sacrum”, vëllimi VII përkthyer nga Giorgio Nalin dhe Luket Hasaj, i pasuruar me qindra shënime sqaruese e plotësuese. Vepra “Illyricum Sacrum” vëllimi 1 përfshin: Historia e 5 dioqezave sufragane të Arkidioqezës së Dioklesë dhe Tivarit (Arbënia, Baleci, Budua, Shasi, Ulqini) dhe e dioqezës së Krajës, e cila trajtohet në këtë libër, si dhe njëpërshkrim i dioqezës së Risanit dhe i disa peshkopatave të lashta, dhe në fund në nderim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, një letër dhe një fjalim i tij si dhe biografi dhe pjesë të zgjedhura nga autorë të shquar kushtuar atij në shekujt XV-XIX. Vëllimi 2 përfshin: Historia e Arkidioqezës së Dioklesë dhe Tivarit; botim i parë; përkthyer nga Antonio Bozza dhe Luket Hasaj. Vëllimi 3 përfshin: Historia e 7 dioqezave sufragane të Arkidioqezës së Dioklesë dhe Tivarit (Deja, Drishti, Sarda, Sapa, Pulti i Madh, Pulti i Vogël dhe Shkodra) dhe Historia e Arkidioqezës së Durrësit dhe 14 dioqezave sufragane të saj (Lezha, Amantia, Apollonia, Vlora, Benda, Priska, Stefaniaka, Bylisi, Kunavia, Kruja, Lestroni, Skampa, Pulkeriopoli dhe Akrokeraunia); ribotim i përmirësuar; përkthyer nga Frano Illijaj.
Kryetari i Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës z.Ndrekë Tonaj në fjalën e mirëseardhjes vlerësoi punën profesionale të përkthyesit Luket Hasaj dhe rëndësinë historike e shkencore të kolanës “Illyricum Sacrum”.
Gazetari i shquar i “Zërit të Amerikës” z.Frank Shkreli në kumtesën e tij theksoi se “Illyricum Sacrum” vëllimi VII, vepra 1, është më shumë se një vepër historiografike. Është një lidhje mes së kaluarës dhe së tashmes, një thesar dokumentar që ndihmon brezat e sotëm të kuptojnë më mire, jo vetëm, rrënjët e Krishtërimit, por edhe të kulturës dhe të qytetërimit iliro-arbëror në ato troje. Është një burim i çmuar për të kuptuar rrënjët tona evropiane, rolin e Kishës dhe vazhdimësinë e identitetit tonë iliro-arbëror në ato anë. Ta njohësh “Illyricum Sacrum”, do të thotë të njohësh një pjesë të rëndësishme të kujtesës sonë historike, fetare dhe shoqërore. Por ky vëllim nuk është, thjesht, vetëm një vepër e rëndësishme historike. Për mua ka edhe një kuptim personal, sepse si shumë të tjerë në këtë tubim, jam me origjinë nga ato treva, për të cilat kjo vepër sjell dëshmi dhe të dhëna historike, të panjohura deri tashti. Vepra “Illyricum Sacrum” është një vepër madhore që përbën një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e historisë së Kishës dhe jetës në trojet iliro-arbërore–në mënyrë të veçantë, të trashëgimisë së Ipeshkvisë dhe Kryeipeshkvisë së Tivarit, tha ndër të tjera z.Shkreli.
Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij deklaroi se libri është një ndihmesë e madhe për studime të thelluara me objekt religjioz katolik por edhe një ndihmesë e madhe për studiues të historisë pasi është i plotësuar me materiale dokumentare të rëndësishme dhe me analizë që plotësojnë histografinë kombëtare, përshkrimin gjeografik të shtrirjes territoriale, të lumenjve, afërsinë me detin dhe jep shumë të dhëna të rëndësishme të zonës ku ndodhet ipeshkvia duke hedhur dritë mbi historinë kishtare si dhe për drejtuesit e impeshkvive dhe për lidhjet midis klerikëve dhe Vatikanin. Po ashtu libri paraqet një panoramë të plotë sociale-kulturore të zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Ku libër shërben edhe si referencë dokumentare për hulumtuesit e rinj duke ofruar një seri materialesh historike me përshkrime sipas viteve përkatëse dhe të rëndësisë që kishte dioçesi apo ipeshkvia p.sh. rasti i Arqipeshkvisë së Shkodrës fillon me arqipeshkvin e parë që njihet për Shkodrën, Basi viti 387; Senecioni 431; Andreu 519; Shtjefni 590, e në vazhdim deri tek Ernesti (Çoba) në vitin 1946.
Në këtë libër tha Dr. Marku paraqiten gjithashtu letërkëmbime të heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastrioti Skenderbeut me Papatin dhe me disa princër. Gjatë leximit të materialeve publikuar në libër vivet re konsiderata që Vatikani gëzonte për Princin shqiptar dhe bashkëpunimi i tyre. Në letrën e Papës Kalisti për Gjergj Kastriotin i shpreh mbështetje, vlerësim të larta si burrë fisnik, i guximshëm dhe trim me shumë vepra
heroike. Me konsideratë përshkruhen edhe letra e Papës pasardhës, Piu II duke nisur letrën me Bir i Dashtun për Gjergj Kastriotin. Libri ka një gjuhë të pastër drejtshkrimore dhe ajo çka e bën më të besueshëm janë referencat shkencore, interpretimet e shumta me fusnotë dhe citimet në tekst.
Historiani Zef Ujkaj trajtoi historikun e ipeshkvive të Arbënit, Balecit, Buduës, Shasit, Ulqinit dhe Krajës, të cilat paraqiten si dioqeza sufragane të Arqipeshkvisë së Tivarit, në pjesën e tretë të vëllimit VII të Illyricum Sacrum. Përveç dioqezave të lidhura me Arqipeshkvinë e Tivarit, në këtë pjesë trajtohet shkurtimisht edhe historia dhe veprimtaria e disa qendrave të tjera kishtare, si Risani, Adrianopoja, Butrinti, Finiqi dhe Onhezmi. Illyricum Sacrum sipas historianit Zef Ujkaj përbën një vepër me vlerë të jashtëzakonshme historike, e cila dokumenton historinë e krishterimit dhe zhvillimin e organizimit kishtar në trevat arbërore. Përmes historisë së ipeshkvive, kishave dhe qyteteve, vepra dëshmon rëndësinë e këtyre trevave në historinë fetare, kulturore dhe politike të rajonit.
Luftërat, ndryshimet politike dhe, veçanërisht, pushtimi osman përbënin faktorë të rëndësishëm që ndikuan në dobësimin, rënien ose zhdukjen e disa prej këtyre dioqezave. Megjithatë, historia dhe dokumentacioni i tyre përbëjnë një trashëgimi me vlerë të madhe për njohjen e së kaluarës kishtare, historike dhe kulturore të trevave arbërore, tha ndër të tjera historiani Zef Ujkaj.
Bashkëthemeluesi i “AlbLibris” Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij theksoi vlerat historike e kishtrare të “Illyricum Sacrum”, rolin e jashtëzakonshëm të përkthyesit në shoqëri e institucione, garantoi përfshirjen dhe shpërndarjen në Bibliotekën “AlbLibris” dhe ftoi të gjithë të pranishmit që ky libër të jetë në Bibliotekën e çdo patrioti.
Përkthyesi Luket Hasaj u shpreh se “Illyricum Sacrum”, është një vepër madhore e historiografisë botërore, e cila dokumenton historinë kishtare dhe civile të gadishullit Ilirik, me rëndësi të jashtëzakonshme për trojet shqiptare. Ajo është vepra më e plotë dokumentare që është shkruar ndonjëherë për historinë e territoreve të Ilirisë, pasi përfshin dokumente nga një periudhë e gjatë kohore,
përkatësisht që nga antikiteti deri në fillim të shekullit 19-të. Në këto dokumente theksoi përkthyesi Hasaj gjenden të dhëna jo vetëm për vendndodhjen, historinë dhe kulturën e qyteteve dhe qendrave të ndryshme të qytetëruara, ekzistuese apo të zhdukura, por edhe për shumë personalitete të ndryshme që janë pak apo aspak të njohura në burime të tjera. “Illyricum Sacrum” është fryt i punës së gjatë të tre historianëve jezuitë dhe ndihmësve të tyre: at Filip Riçeputi, at Daniel Farlati dhe at Jakopo Koleti.
Mbledhja e të dhënave, shkrimi dhe botimi i kësaj vepre u bë në një hark kohor prej rreth 125 vjetësh. Vepra “Illyricum Sacrum” konsiderohet unike në prurjen e të dhënave historike mbi ardhjen e Krishterimit në Iliri. “Illyricum Sacrum” është pasuri kombëtare me shumë vlera. Pa të, historia shqiptare e Mesjetës do të kishte mbetë e varfër, pasi përmban mijëra dokumente të çmueshme historike. Kjo vepër sipas përkthyesit Hasaj shërben si një urë kryesore ku historia kishtare dhe ajo civile ndërthuren për të provuar autoktoninë dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare.




Burimi/Facebook/Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare


Leave a Reply