Te katërt, në kohën e robnisë sovjetike, ishin emigrantë politikë në Itali. Kjo letër e Koliqit asht nji dëshmi e fuqishme e bindjes së tij se, në kohë tragjike për kombin, intelektuali nuk mund të mjaftohet vetëm me veprën kulturore, por e ka për detyrë morale të angazhohet edhe politikisht për lirinë dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtnore shqiptare. Sipas Koliqit, kur kombi robnohet, heshtja e intelektualit bahet faj. Letra asht transkiptue sipas origjinalit gegnisht/shkodranisht, që ruhet në arkivin personal në fondin: Letershkembim në Mërgim, Karl Gurakuqi, Volumi i Parë.
Romë, 21 maj 1951
Shumë të dashun Karl, Çesk e Petraq,
Urimet e jueja më kanë përmallue. Levdatat aqë të mëdhaja qi më bâni nuk i meritoj, por i kuptoj si shfaqje e sinqertë e zemrave tueja plot ndiesína miqsore ndaj meje. Nji gjâ, veç, mund ta pranoj, pa rá në mëkatin e madhështís, edhe âsht kjo: çdo vepër e ime, ç’se kam marrë mend e shise, i âsht kushtue lulzimit të shqiptarizmit të vërtetë, i cili, për mue, rrâjet e themelet i ka në kulturën e në traditat t’ona. Kam mujtë me gabue, ndoshta shpesh edhe randë, sepse kush vepron bje lehtazi në gjymtime. S’âsht mjeshtri m’u paraqitë i pafajshem kur rrin njeriu n’amtí të plotë e të vazhdueshme. Ai qi nuk vepron, s’bân as mirë as keq. Ndiç, deshta të tham, qi ndoshta ndonji herë kam gabue, por prej zellit të tepruem, ose prej bindjes se ashtu e lypte e mira e vendit. Sidoqoftë, kur të fashitën pasjonet dhe perdja t’u çelet atyne qi sot gjikojnë jo mbas fakteve, por mbas interesave fazjoze politike, atëherë do të dali në shesh se Ernesti në kohna kritike dishka bâni për kulturën shqiptare. Prap edhe do të vazhdoj me qenë i dobishëm. Fjalët ngushëlluese t’ueja më shtyjnë me vazhdue udhën e caktueme, atë qi i a kam shênjue vetes qyshë në moshën ma të blerume, udhën e veprimtarís në fushën e kulturës. Dikush më këshillon me hjekë dorë nga politika. Ky këshill nuk rrjedh nga ndonjí ndjesi e thjeshtë: Mbas sa miqësh e dashamirësh të vrám, në kët gjendje tragjike në të cilën ndodhet i kapërthyem vendi i ynë, derisa të drejtat mâ të para njerzore mos t’i këthehen vllaznëvet t’onë të nji gjaku e të nji gjuhe, do t’ishte krim m’u hjekë në njânë anë e m’u marrë vetëm me letërsi. Mjafton me pá Kapidanin e Mirditës qi humbi dy djelm si dy hyj drite, Kolë Bibën qi la në malet si flije n’alterë të Shqipnis djálin e vllán, e plot tjerë, për m’e ndie veten të detyruem me punue pa u lodhë për lirimin e popullit t’onë. Kjo e sotëshmja nuk âsht nji fushatë politike me rrëzue nji qeveri, kjo âsht kryqëzatë kombtare me shpëtue fisin e bâshkë me te pasunin shpirtnore të trashëgueme. Si mundet nji intelektual m’u mënjànue e me qindrue indiferent para krajatës së pashoqe qi na ka cenue në palc si individa e si pjestarë të nji kombi? Prandej at këshill tash e marr parasȳsh vetëm kur të lirohet Shqipnija. Sot, i armatosun me vullnet e me flakë atdhetare, e ndiej për detyrë të luftoj edhe në fushën politike. I puthi dorën me mirënjohje zojës Hanni e juve nga nji nga nji. U marr ngrykë me mall vllaznuer, i Jueji Ernesti
Burimi/Facebook


Leave a Reply