Në një qytet që sot është shtëpia e një prej komuniteteve më të mëdha shqiptare jashtë Shqipërisë.
Një e kaluar e përgjakshme nuk është e thënë të prodhojë një rrëfim të vetëm. Kjo ishte ideja qendrore e konferencës ndërkombëtare të JHP 2.0 (Projekti i Përbashkët i Historisë 2.0), të mbajtur në Universitetin Panteion me temë: “Dhuna në histori: Përvoja, kujtime dhe përfaqësime në Europën Juglindore”.
Si drejtues i këtij projekti që përfshin më shumë se 100 studiues nga vendet e Europes Juglindore, ishte kënaqësi të mbaja fjalën e hapjes. Historia nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën. Ajo ka të bëjë edhe me mënyrën se si e shohim njëri-tjetrin sot. Historia rrallëherë është diçka e largët apo abstrakte. Ajo jeton në familjet tona, në komunitetet tona, në vendet ku jemi rritur.
Të gjithë kemi trashëguar kujtime. Disa janë kujtime krenarie. Disa janë të dhimbshme. Disa janë thellësisht personale. Dhe ndonjëherë, e njëjta ngjarje mbahet mend në mënyra krejt të ndryshme. Ndaj, për rajonin tonë, është e rëndësishme se si të hulumtosh, ta kujtosh dhe ta mësosh dhunën e luftën, persekutimin dhe heshtjen që pason, pa lejuar që ajo të shndërrohet në propagandë, mohim apo në një pakënaqësi të trashëguar nga brezi i ri.
Historianët e shqyrtojnë historinë përmes provave dhe studimeve shkencore. Politikanët dhe diplomatët përballen me pasojat e saj në marrëdhëniet midis shteteve dhe shoqërive. Gazetarët ndihmojnë në përcaktimin e mënyrës se si historia kuptohet nga publiku i gjerë. Por të gjithë ndajmë një përgjegjësi të rëndësishme: të sigurohemi që historia na ndihmon ta kuptojmë njëri-tjetrin, në vend që të bëhet një arsye më shumë për të na përçarë.



Burimi/Facebook


Leave a Reply