Nga Laureta Petoshati
Në fotografitë e takimit të kryeministrit Rama me ambasadorin e ri amerikan, kontrasti është pothuajse poetik. Ambasadori i ri Eric Wendt shfaqet me kostum, këmishë e kravatë, i përmbajtur dhe elegant ashtu siç i ka hije një diplomati që përfaqëson një shtet. Një pamje që nuk ka nevojë të bërtasë për të tërhequr vëmendjen.
Përballë tij, Rama vjen me të zeza, me një veshje sportive që duket sikur ka humbur rrugës nga palestra për në protokollin diplomatik. Dhe pastaj janë atletet: të zeza, me ato vijat e verdha që i japin të gjithë ansamblit një prekje zoologjike njësoj si të ishin këmbët e verdha të ndonjë shpendi ekzotik që ka zbritur gabimisht në sallën e pritjeve.
Nuk është thjesht çështje mode. Veshja, sidomos në fotografitë zyrtare, është edhe një gjuhë më vete. Kostumi flet për institucionin; atletet flasin për personazhin. Njëri duket sikur ka ardhur për të përfaqësuar një shtet, tjetri sikur ka ardhur për të përfaqësuar veten.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron gjithë ironia e fotografisë: kur përballë një diplomati amerikan me elegancën klasike të një zotërie, kryeministri shqiptar zgjedh të duket si një përzierje mes një menaxheri mode, një trajneri fitnesi dhe një shpendi me këmbë të verdha.
Diplomacia kërkon protokoll. Rama, si gjithmonë, kërkon skenën.

Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply