Sot, oborri i shkollës gëlonte nga zërat e fëmijëve dhe gjallëria e zakonshme e një dite të re mësimi. Ishte nga ato mëngjese kur nxitimi i nxënësve dhe bisedat e minutës së fundit të mësuesve përziheshin në një lloj melodie të njohur.
Ndërsa qëndroja pranë shkallëve, duke parë nxënësit që hynin në shkollë, ndjeva dikë që m’u afrua nga pas.
Përpara se të kthehesha, dëgjova një zë të dridhur nga mosha, por plot ngrohtësi:
— Përshëndetje, mësuesja më e mirë e Republikës!
U ktheva dhe pashë një zonjë të moshuar, e cila mbante shtrënguar në duar një buqetë të mrekullueshme me lule të freskëta. Sytë e saj më shikonin me një dritë të veçantë.
— A më kujtoni? — më pyeti, duke kërkuar në kujtesën time mes viteve të gjata që kisha kaluar në atë shkollë.
Buzëqesha menjëherë, sepse fytyra e saj nuk ishte nga ato që fshiheshin lehtë nga memoria.
— Po, të kujtoj shumë mirë, moj nënë! — i thashë, duke i prekur krahun me përzemërsi. — E mbaj mend si sot ditën kur erdhe për herë të parë me Ajsunë e vogël këtu në shkollë. Prindërit e vajzës ishin larg në atë kohë dhe ishe ti ajo që e solle përdore dhe u kujdese për çdo gjë.
Sytë e gjyshes u mbushën me lot gëzimi.
— Ajsuja është maturante këtë vit! — tha ajo me krenari. Pastaj, duke parë se rreth nesh ishin afruar disa nga koleget e mia, ngriti pak zërin, sikur donte të ndante me të gjitha një dëshmi të rëndësishme:
— Dëgjoni këtu, ju lutem, sepse disa prej jush mund të mos kenë qenë mësuese në këtë shkollë në atë kohë…
Mësueset e reja kthyen kokën me kuriozitet dhe oborri, për një çast, sikur heshti për t’i lënë radhë rrëfimit të saj.
— Kur erdha për herë të parë në këtë shkollë, — filloi gjyshja, duke sjellë ndër mend me hollësi atë ditë të largët, — isha krejtësisht e humbur. Nuk dija kujt t’i drejtohesha. Pyeta dikë te dera se kush ishte drejtoresha dhe ku mund ta gjeja. Më thanë: “Ngjitu në katin e dytë, aty është drejtoria.”
U ngjita me zemrën që më rrihte fort, duke mbajtur mbesën për dore. Trokita në derë me një pasiguri të madhe.
— Hyr! — m’u përgjigj nga brenda një zë i ëmbël dhe i ngrohtë.
Vetëm nga ai zë, shpirti m’u ngroh menjëherë.
Gjyshja ktheu sytë nga unë, me një mirënjohje që nuk e kishte zbehur dot asnjë vit që kishte kaluar.
— Hyra brenda dhe çfarë të shikoja..një zonjë të vërtetë! Sapo na pa, u ngrit menjëherë në këmbë, na zgjati dorën me respekt dhe më afroi karrigen që të ulesha. Më pyeti së pari si isha me shëndet dhe më pas, me shumë interesim, më pyeti për çfarë kisha nevojë.
I tregova se kisha mbesën, vajzën e djalit, dhe dëshiroja ta regjistroja në shkollë.
— Po ku i ka prindërit? — më pyeti me atë butësinë e saj.
I shpjegova se ishin me shërbim jashtë vendit dhe do të ktheheshin pas një jave, por unë nuk doja që mbesa të humbiste asnjë ditë mësimi.
Koleget e mia po dëgjonin në heshtje, të prekura nga thjeshtësia dhe vërtetësia e kësaj ngjarjeje.
— Ishte pikërisht Eli, — vazhdoi gjyshja, duke mbytur një ngashërim, — ajo që e regjistroi vajzën pa asnjë hezitim. U kujdes për të që në sekondën e parë, që ajo të ndihej mirë dhe të vinte e lumtur në shkollë.
Ne sapo ishim shpërngulur nga një qytet tjetër për t’u vendosur në Tiranë, ndaj mbesa ime e kishte shumë të vështirë të ambientohej dhe kishte frikë. Por, falë kujdesit dhe dashurisë së drejtoreshës Eli, ajo u përshtat shumë shpejt dhe shkolla u bë shtëpia e saj e dytë.
Në fund, gjyshja zgjati duart dhe më dorëzoi buqetën e luleve. Ajo buqetë dukej sikur mbante brenda aromën e një falënderimi që nuk kishte vdekur kurrë.
— Ndaj, kjo buqetë sot është gjëja më e vogël, mësuese Eli..Sepse, me gjithë shpirt, po të mundja, çdo ditë që më ka mbetur nga jeta do të të sillja nga një buqetë!
Ndërsa mbaja lulet në duar dhe përqafoja atë gjyshe të shtrenjtë, kuptova edhe një herë se të gjitha sakrificat, lodhjet dhe vitet e gjata mbi librat e nxënësve marrin kuptim pikërisht në momente të tilla.
Në ato çaste, profesioni pushon së qeni thjesht një punë.
Bëhet mision njerëzor.
Dhe ndoshta kjo është buqeta më e bukur që mund të marrë një mësues: të kuptojë, pas shumë vitesh, se një mirësi e bërë dikur nuk është harruar.
Sepse lulet thahen…
Mirënjohja, JO!
Burimi/Facebook


Leave a Reply