Një ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe veçanërisht Mirditën është përcjellë në Vatikan nga Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta.
Ipeshkvi i Rrëshenit u prit në audiencë private nga Papa Leoni XIV më 19 shtator, në Vatikan, në një takim që ai e përshkruan me emocione të veçanta dhe me një ndjenjë të fortë afërsie me Atin e Shenjtë.
Në një dëshmi për redaksinë shqipe të Vatican News, Imzot Gjergj Meta rrëfen përjetimin e takimit dhe tregon se gjatë bisedës e ka ftuar Papën Leoni XIV për një vizitë në Shqipëri, duke e shtrirë ftesën edhe në Mirditë, dioqeza që ai drejton.
“Ndjeva shumë dashuri, afërsi nga ana e Atit të Shenjtë”, shprehet Imzot Gjergj Meta, teksa sjell detaje nga takimi me Papën.
Për Kishën Katolike në Shqipëri, takimi vjen në prag të një tjetër momenti të rëndësishëm. Ipeshkvijtë shqiptarë po përgatiten për vizitën ad limina apostolorum, e cila do të zhvillohet në Vatikan në fund të muajit tetor.
Gjatë kësaj vizite, ipeshkvijtë do të paraqiten pranë Selisë së Shenjtë për të ndarë me Papën dhe institucionet e Vatikanit situatën dhe jetën e Kishës në Shqipëri.
Audienca e 19 shtatorit ka qenë një mundësi për të përcjellë te Papa Leoni XIV jo vetëm përvojën e Kishës shqiptare, por edhe dëshirën për ta parë atë në Shqipëri.
Një ftesë që tashmë mbetet në pritje të një përgjigjeje dhe që, nëse do të konkretizohej, do të sillte Papën përballë besimtarëve shqiptarë dhe në veçanti në Mirditë.
Në dëshminë e tij për Vatican News, Imzot Gjergj Meta ndalet edhe te përgatitjet për vizitën e ipeshkvijve shqiptarë në Vatikan në fund të tetorit dhe te rëndësia e këtij takimi për Kishën në Shqipëri.
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply