
Nga Lindita Çela
Jonida Hyseni, një vajzë rreth të 25-ve, ka lënë të gjitha punët për të marrë pjesë në procesin historik të së djathtës, atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.
Pasi ka kapërcyer pragun e derës së partisë së saj, duke i dhënë llogari deri më një rojës, Jonida ia del të ngjitet në katin e dytë, aty ky anëtarët e njësisë nr. 8 dhe 10, anëtarët e kryesisë, deputetët dhe ministrat e Partisë Demokratike kanë votuar sot për kryetarin e ri.
Por angazhimi historik i Jonidës përfundon këtu, pikërisht në katin e dytë të selisë blu.
Një grup pune, i ngritur për të drejtuar votën e anëtarëve të partisë, nuk lejon që vajza t’i ofrohet kutisë së votimit apo komisionit zgjedhor.
Që në hyrje të sallës së madhe, aty ku zakonisht Berisha mbledh Këshillin Kombëtar, i thonë se emri i saj nuk është në listë, megjithëse ndër duar mban kartën e anëtarësimit të Partisë Demokratike.
Por vajza e re nuk është ndër ato votues që zmbrapset lehtë, si bie fjala Merita Lumi, një anëtare tjetër e partisë që, dhe pse ka 23 vjet që militon në këtë forcë politike, sërish nuk gjen emrin e saj.
Merita, pasi i thonë që nuk ka emrin, ikën duke shfryrë tërë dufin dhe mllefin ndër hartuesit e listave, që me sa duket i kanë bërë çorap, jo pa qëllim.
Si Merita Lumi janë të shumtë anëtarët që nuk kanë gjetur emrin në listën e votimit.
Madje, jashtë listave janë lënë dhe kryetarë të grupeve të seksionit, siç ishte rasti i Leonard Grabovës, që dhe ai nuk është lejuar të votojë.
E ndërsa disa anëtarë as që janë lejuar t’i ofrohen kutive, krejt e kundërta ka ndodhur për një pjesë tjetër anëtarësh. Mjafton që të kishe adresimin e duhur dhe komisioni i vëzhgimit bënte një sy qorr dhe një vesh shurdh.
Keltis Kruja, prefekti i Tiranës, është kujdesur vetë që votues të caktuar të mos pengoheshin në votim, ndërkohë që mungesa e emrave në lista dhe procesi i kontrollit të grupeve të caktuara, duket se ka sjellë jo pak çoroditje mes anëtarëve të Partisë Demokratike.
Kjo ka bërë që shumica e anëtarëve të bojkotojnë procesin, ku dy orë para përfundimit të votimit, pjesëmarrja ka qenë 30 përqind.
Edhe në zgjedhjet për kryetar partie nuk u hoq dorë nga sëmundja e vjetër shqiptare, ajo e votimit kolektiv, ku një person votoi për disa persona të tjerë.
Mijëra anëtarë jashtë listës
Florian Xhuti është një prej anëtarëve të komisionit organizativ që është marrë me hartimin e listave të anëtarëve të Partisë Demokratike.
Ndërsa ekzistojnë mijëra emra të përjashtuar nga votimi, në selinë blu nuk gjen qoftë dhe një njeri që të shpjegojë çka ndodhur me emrat e anëtarëve.
Florian Xhuti ishte “zhdukur” që kur në orët e para të ditës u raportuan problemet me listat e anëtarëve.
Ndërsa komisioni zgjedhor mjaftohet duke u thënë se nuk kanë emrin në listë, ndërsa ata që insistojnë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse sorollaten nëpër godinë, pa marrë qoftë dhe një shpjegim. Anëtarët e partisë janë përballur me “zhdukjen” e emrit të tyre në momentin kur kanë shkuar për të votuar.
Kjo për faktin se listat e anëtarëve janë afishuar pasditen e djeshme.
Por mosafishimi në kohë i listave nëpër qendrat e votimit, nuk ka qenë shkelja e vetme e konstatuar në këtë proces “historik” të zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike.
Kanë qenë të shumtë votuesit që emrin e tyre e kishin në listat e përgjithshme të anëtarësisë, por jo në atë të komisionit zgjedhorë.
Mëngjesin e së hënës, atëherë kur ka nisur procesi i votimit, komisioni zgjedhor është pajisur me lista të veçanta mbi të cilën është lejuar edhe votimi.
Tirana nuk ka qenë i vetmi qytet ku janë hasur problematika të tilla.
Pothuajse në të gjitha qendrat e votimit në mbarë vendin, është raportuar heqja e emrave të caktuar, ndërsa i vetmi njeri që ka folur publikisht për këtë fenomen, ishte Sokol Olldashi, me sa duket kandidati i gjymtuar nga ky proces.
Olldadhi tha se mijëra emra janë hequr nga lista, e për këtë u kërkonte ndjesë anëtarëve.
Sipas tij, ditët e fundit janë shtuar 2500 emra të rinj, për të cilën Olldashi tha se kishte dijeni.
Jonida Hyseni ishte pikërisht një prej tyre. Pasi vajza e re bëri namin në të gjithë godinën, falë ndërhyrjes së njerëzve të caktuar, u lejua të votojë, pikërisht në atë komision, të kryesuar nga Gjergj Lezhja, e me anëtarë Halit Shamata, Paulina Hoti, Gazmend Dibra, Bahrije Isufi, Arben Ibro dhe Genti Minarolli.
Por pa njerëzit e duhur vajza nuk qasej as tek hyrja e godinës së Partisë Demokratike.
Gazeta Tema
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply