Rubrika: Njerëz që të bëjnë të lumtur.
NJË MIK NË POGRADEC
Rasti klasik i kafesë me ish-pilotët, seç ka gjithmonë diçka të bukur dhe ndihesh me krahë. Aq më tepër kur të thërret Mark Shabaku.
– Ka një javë që kemi lënë të takohemi me Pashk Reçin të pimë kafe së bashku, – më tha.
Marku ruan kujtime të largëta, por nga dashamirësia janë përherë të afërta. Nga që para rreth pesë dekadash e njihja edhe unë, si fanti spathi, u ndodha mes tyre.
– Kam një vërejtje, komandant. Si, mor burr! Prej kaq dekadash që jeton në Lezhë dhe nuk di akoma ku ndodhet Bar Hollyvood-i? – i thashë jo krejt për shaka. Kjo pyetje u shoqërua me të qeshura. Por edhe me mendime, për të kuptuar çfarë tipi është ish-ushtaraku i Aviacionit të Republikës së Shqipërisë, i dalë në lirim nga reformat e pas viteve -90.
Gjatë bisedës e pyeta se ku i bën pushimet.
– Shkojmë me radhë me bashkëshorten. Njëri punon në pikën e shitjes, tjetri shkon në Shëngjin. Nganjëherë shkoj në Pogradec. Atje kam një mik.
– Ka qenë pilot edhe ai?
– Jo. E kam pasur ushtar.
Qeshi pak me ndjesinë e një përshtypjeje që ngroh i shpirtin human, që e mban të shenjtë brenda vetes. Në këtë moment nisi rrëfimi i tij.
– Për shumë kohë kam qenë Komandant i Batalionit në Kallmet. Në punën rutinë me ushtarët, pashë një djal që kishte rregulluar gjithçka në mënyrë të përsosur. Pasi më bëri shumë përshtypje se si kishte rregulluar çantën, këpucët, krevatin …, i them: “Po qe se i bën të gjitha gjërat sikur ke rregulluar çantën, bashkë kemi për t’ia kaluar mirë”.
Erdhi koha dhe ushtari mori lejë e shkoi pranë familjes. Ishte një pasdite e zakonshme të Shtëpia e Oficerëve dhe po bisedonim mes kolegësh. Jashtë binte shi me intensitet. Nga dritarja shoh ushtarin të lagur e bërë qull. Ishte kthyer nga Pogradeci dhe po priste ndonjë mjet për të mbërritur në repart (në Kallmet). Gati po binte muzgu. Dola jashtë dhe e takova. Më tha që po nisej më këmbë. E mora me zor brenda në shtëpinë e oficerëve dhe i kërkova të merrte diçka për të pirë. Ai vazhdonte të shprehte preokupimin se nuk kishte arritur të gjente ndonjë makinë, ta çonte në repart pa thyer lejen. U mundova ta qetësoja dhe t’i përcillja pak siguri. Ai e ndiente veten fajtor dhe nuk arrinte të çlirohej nga kjo peshë. Në moment dola dhe nga telefoni njoftova divizionin që ushtari kishte mbërritur.
Pastaj i thashë: “tani eja me mua!” Me zor të madh e mora dhe e çova në shtëpi. Tani jemi unë i zoti i shtëpisë e ti miku im. Ti e di mirë se sonte je ti komandant. Druajtja veçse iu shtua. Me bashkëshorten i sistemuan rrobat e lagura, i gjetëm ca rroba të thata dhe vazhduam me darkën … Kështu kaloi mbrëmjen e sikletshme pa u çliruar nga mendimi se rëndoi komandantin dhe bëri figurë jo të mirë djaloshi 20-vjeçar.
Këtë histori ua kishte treguar të tijve. Nga prindërit kishte vetëm nënën. Ajo i kishte vënë ultimatum që me çdo kusht atë do të ma sjellësh në Pogradec. Në shtëpinë time.
Vite më vonë ishte momenti i mobilizimit të ushtarëve. Ne nuk kishim shans të zgjidhnim se në cilën zonë do të shkonim. Më ra rasti të iki nga juglindja. U lidha me mikun tim. Me lumturi të madhe më çoi tek shtëpia e tij. Me një gëzim të papërshkruar e bujari të madhe më pritën. Më caktuan radhën të shkoja tek të gjithë vëllezërit e motrat e tij. Ne ishim mësuar gjithnjë që festën e vitit të ri ta kalonim me shërbim ose në gatishmëri. Këtë herë ata më krijuar ambientin e familjes që më kishte munguar në festa të tilla.
Çdo vit, miku im më fton për pushime atje. Shkoj rrallë, por me shumë dëshirë. Tani ai ka një bar të vogël në të cilin punon. Në mur ai ka vënë fotografinë time dhe u thotë të gjithëve që ky është komandanti im Pashk Reçi.
Ky rrëfim – manifest i vlerave të humanizmit dhe mirënjohjes së njerëzve të sinqertë, të pastër e me shpirt të madh, – ishte dhurata e çmuar që mora më 26.08.2026, në përvjetorin e 68 të lindjes.
Burimi/Facebook


Leave a Reply