E çfarë me thanë tjetër, veçse me e thanë hapur atë që mendoj?
Nëse ata që janë ngritë kundër ndërtimit të kishës në Vushtrri janë njerëz të besimit Islam, kjo nuk na nderon si popull, por as nuk i nderon ata në besimin e vet.
E njëjta vlen edhe nëse një ditë dikush do të ngrihej kundër një xhamie.
Ku mbeti toleranca? Ku mbeti vëllazëria?
Pse duhet me pasë frikë prej kishës? E pse duhet me pasë frikë prej xhamisë?
Ndërtoni ku të doni tempujt e besimit, por tempulli ma i madh është ai që ndërtohet në mendje e në zemër.
Vëllezër myslimanë në Vushtrri, historia e kësaj toke nuk fillon sot. Ka pasë kisha aty prej qindra vitesh, ashtu siç sot Kosova ka me qindra e qindra xhami. Këto nuk duhet me na nda. Përkundrazi, duhet me na kujtue se kjo tokë ka qenë gjithmonë vend ku njerëzit kanë besue, kanë jetue e kanë bashkëjetue.
A jemi shqiptarë në tokën tonë?
Nëse po, atëherë duhet me e pranue njani-tjetrin me të mirat e me të këqijat tona, me besimin, me traditat e me historinë që mbartim.
Le të ketë kishë.
Le të ketë xhami.
Le të ketë vend për çdo njeri që don me iu falë Zotit sipas ndërgjegjes së vet.
E pse jo, le të gëzohemi e të festojmë bashkë, pa ia numërujtë njani-tjetrit se kujt i takon Zoti ma shumë.
Hasmin nuk duhet me e kërkue brenda vetes. Pushtuesit e historisë kanë ardhë e kanë shkue. Ne kemi mbetë.
Prandaj mos lejoni me na futë në grindje, e aq ma keq, në vëllavrasje.
Bashkohemi për hir të historisë, për hir të gjakut që na lidh, për hir të tokës ku kemi lindë e për hir të fëmijëve që do ta trashëgojnë këtë vend.
Kisha nuk e rrëzon xhaminë.
Xhamia nuk e rrëzon kishën.
Ajo që na rrëzon është urrejtja mes nesh.
Burimi/Facebook


Leave a Reply