A e shihni këtë video? Kur një hoxhë sjell faktin e dëshmon se si katolikët e Shkodrës u kanë thënë vëllezërve myslimanë: “Ejani ju në kishë, e ne vijmë mbrojmë xhaminë me jetë”, aty merr fund çdo debat! Kjo është mburoja jonë ndër shekuj, kjo është besa e vërtetë arbnore.
Por për këtë turp që një grupim—i nxitur nga qarqe që nuk kanë asgjë të përbashkët me gjakun shqiptar—mendon se mund të ndalojë ndërtimin e një kishe në Dardaninë tonë, kjo përbën një shkelje të hapur të çdo parimi kombëtar. Këto nuk janë reagime spontane, por agjenda të telekomanduara nga linja e predikimeve ekstremiste të huaja, të cilat punojnë me plan të qartë për të tjetërsuar trashëgiminë tonë. Veprime të tilla u shërbejnë vetëm armiqve që historikisht kërkojnë të shohin shqiptarët e përçarë. Dardanët e vërtetë nuk pranojnë doktrina importi që tentojnë të fshijnë rrënjët tona autoktone!
Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!
Qëndroni për kombin dhe kundër zakoneve të huaja! Shkoni te rrënjët e të parëve tuaj e mendoni: a mos vallë nga torturat e mundimet që u janë bërë atyre ndër shekuj jeni sot këtu ku jeni?! Unë them po! Zoti e di, e po ashtu e dinë edhe ata që u torturuan, u munduan e u vranë, sepse pushtuesi gjithmonë ka patur vetëm një qëllim: të mbjellë ndasi, përçarje e injorancë mes nesh.
Nga zemra e Shkodrës dhe prej rrënjëve të thella të Malësisë së Madhe, unë flas si nip i dy besimeve—i rritur me Çok Zefin e Babadajën katolike dhe me Dhazant e Rusit myslimanë. Gjaku im është dëshmia më e gjallë se vëllazëria shqiptare nuk pyet për fe, por për nder, besë e atdhedashuri! Jam me bindje të plotë se pjesa më e madhe e popullit tonë janë si dajat e mi: njerëz të të njëjtit gjak, të ndershëm, me taban të fortë e me dashuri për vëllanë e vet, pa dallim besimi.
Pushtuesit e huaj ndër shekuj u munduan të na ndanin e në shumë zona ku shkeli turku u përpoqën të tjetërsonin e të kthenin besimin e njerëzve tanë. Por Zoti deshi që gjaku ynë të mbetet i pastër arbnor, ashtu siç mbetën të parët e mi në krahët kreshnike të Vermoshit, ku me shkjaun jemi vrarë e qëndruar për çdo pëllëmbë trolli e për kufirin shqiptar.
Asnjë urrejtje e asnjë propagandë nuk e shuan dot dritën e së vërtetës tonë kombëtare. Kushdo që përpiqet t’u mohojë të krishterëve shqiptarë kishat e tyre apo t’i etiketojë simbolet e shenjta si “të huaja”, nuk bën gjë tjetër veçse u shërben interesave të serbit e të çdo armiku që do të na shohë të përçarë. Historia jonë është e shkruar me gjak e me qëndresë: para se sllavët të zbritnin në Ballkan, stërgjyshërit tanë arbnorë e mbajtën kryqin e besimin si mburojë të identitetit, gjuhës dhe trojeve tona.
Trimitëria, qëndresa dhe odiseja e Malësisë së Madhe e të Vermoshit janë të shkruara me gjak e me nder në faqet më të ndritura të historisë tonë. Aty te kufiri me shkjaun, ku pushka e malësorit ishte ligji dhe mbrojtja e trojeve të parëve, është ruajtur me vetëmohim identiteti, besa dhe gjaku i pastër arbnor. Malësia nuk u përkul e nuk u shit kurrë para asnjë pushtuesi. Kur era e rrezikut kërcënonte të copëtonte trojet shqiptare, burrat e gratë e atyre kreshave qëndruan si shkëmb i patundur.
Rrënja e madhështisë tonë kombëtare nis që me Kryeheroin tonë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i cili bashkoi të gjithë princat e trojet arbnore nën një flamur e një besë, duke treguar para gjithë botës se arbërori lufton vetëm për dinjitet, liri e atdhe. Po këtë gjak e këtë trashëgimi të patundur e ringjalli në kohët tona edhe Adem Jashari me familjen e tij heroike, duke dëshmuar se fryma e Skënderbeut jeton e gjallë në secilin nga ne. Përpjekjet e mbetjeve të injorancës për t’i dhënë luftës arbnore apo asaj të UÇK-së ngjyrime fetare janë përpjekje të ulëta për të njollosur e tjetërsuar sakrificën tonë më të pastër kombëtare. Si Kastrioti dje, ashtu edhe Jasharajt sot, e bënë të qartë se pushka e shqiptarit shkrepet vetëm për kombin, për trojet e parëve dhe për flamurin kuqezi.
Shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë janë një trup e një shpirt. Krishterimi e Islamizmi ndër ne kanë jetuar e luftuar krah për krah kundër çdo pushtuesi. Besimi te Zoti tregon qytetari, dinjitet e maturi, jo urrejtje.
T’i thërrasim mendjes e të shtrëngojmë duart si vëllezër të një gjaku e një trualli. Të mos ia lëmë vendlindjen e ardhmen tonë as braktisjes e as injorancës. Kjo trashëgimi krenare, e përcjellë brezin pas brezi nga maja e Vermoshit e deri në zemër të Shkodrës, na kujton se kush jemi: një popull me dinjitet të pamposhtur, me rrënjë të thella autoktone dhe me një traditë vëllazërie e qëndrese që as kohërat e as stuhitë politike nuk e tjetërsojnë dot. Amaneti i Gjergj Kastriotit dhe heroizmi i Adem Jasharit mbeten të pashlyeshëm e të paprekshëm nga çdo mbetje apo analfabetizëm historik. Me besim në Zot e dashuri për njëri-tjetrin, le të qëndrojmë të bashkuar e të lartësuar dorë për dorë! Atdheu dhe kombi janë mbi çdo gjë!
Mysliman apo i krishterë, para se gjithash je SHQIPTAR. Jemi të gjithë njerëz, jemi të gjithë bij të Zotit dhe askush nuk ka të drejtë ta kthejë fenë në urrejtje, përçarje apo kërcënim. Kisha nuk është armik. Xhamia nuk është armik. Armiku është urrejtja që na bën të harrojmë kush jemi.
Sot mund të jetë Kisha, nesër mund të jetë Xhamia. Kur fillojmë të sulmojmë njëri-tjetrin për fenë, humbasim atë që na bashkon: shqiptarinë, respektin dhe njerëzillëkun. Mos lejoni askënd t’ju ushqejë me urrejtje. Shqiptarët nuk kanë nevojë për luftë mes njëri-tjetrit. Kanë nevojë për bashkim.
Mysliman, i krishterë, katolik, ortodoks jemi shqiptarë dhe jemi të gjithë rob të Zotit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply